Tërhiqet një dëshmitar, Shullazi i mori dëmshpërblim shtetit



largea_emiliano-shullazi-duke-dale-nga-gjykata-alna-620x3991461563706

Mitri Prifti, juristi që dëshmoi në polici kundër Emiljano Shullazit në fillim të shkurtit, pritet të merret në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Në Policinë e Tiranës, mbrëmjen e 3 shkurtit, ai dha detaje se si kushëriri i tij, ndërtuesi Jani Zaka, ishte kërcënuar nga Shullazi, i cili donte t’i merrte një parking nëntokësor, me sipërfaqe 1 200 metër katrorë, në rrugën “Sali Butka”.

Javën e kaluar, kur dëshmia e tij u publikua në media, menjëherë pas ndalimit të Shullazit, u largua nga Shqipëria dhe udhëtoi për në Beograd.

Tani ai është kthyer sërish në Tiranë dhe do të jetë këtë javë përballë prokurorëve të Krimeve të Rënda për t’u marrë në pyetje.

I pyetur nga Televizioni Klan, në lidhje me dëshminë e dhënë në polici kundër Emiljano Shullazit, Mitri Prifti nuk pranoi të japë detaje: “Lëruani organeve kompetente atë punë”.

Në polici, Mitri Prifti nuk ka bërë kallëzim ndaj Shullazit, por ka dhënë vetëm dëshminë si person që ka pasur dijeni për ngjarjen, duke thënë se Jani Zaka është kërcënuar dhe se ishte i frikësuar.

Por pas arrestimit të Shullazit, kushëririt të tij Blerim Shullazit dhe Gilmando Danit, ai e ka ndryshuar qëndrimin e tij.

Juristi ka mohuar që kushëriri i tij të jetë kërcënuar.

Po ashtu është shprehur publikisht se Emiljano Shullazi i kishte kërkuar Jani Zakës, që ta zgjidhte miqësisht konfliktin me familjen Sinanaj, për parkingun nëntokësor.

Por në procesverbalin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për marrjen e të dhënave nga personi që ka dijeni për veprën penale, të siguruar nga Televizioni Klan, të firmosur, ai ka folur për kërcënim jo vetëm të Jani Zakës, por edhe të tijin, nga Blerim Shullazi.

Pyetje: Me çfarë numri ju ka marrë në telefon dhe a ju ka kërcënuar në telefon shtetasi Blerim Shullazi? Përgjigje: “Shtetasi Blerim Shullazi më ka marrë në telefon me numrin 0688393…. Më ka sharë dhe më ka kërcënuar duke më thënë: Do më qash në duar. E di çfarë të bëj, por hajde urgjent tek lokali!. Jani vete te një lokali i kuq mbrapa qendrës “Globe” dhe atje takon personalisht Emiljano Shullazin, ku ai i thotë: “Nesër nga ora 10:00, ta kesh telefonin hapur, do të vijë ky djali i xhaxhait tim të kalojë pak atë pronën në emrin e tij”.

Pa i lënë mundësi që ai të flasë, Emiljano i ka thënë të dilte jashtë, pasi kishte mbaruar punë me të”.

Prokuroria e Krimeve të Rënda do të thërrasë edhe ndërtuesin Jani Zaka të dëshmojë, edhe pse deklarata e tij dhe ajo e Mitri Priftit, të dhëna më 3 shkurt, janë tashmë pjesë e dosjes hetimore.

Vendimi

Shullazi mori 4 milionë lekë për burgim të padrejtë

I shumëpërfoluri Emiljano Shullazi ka marrë para nga qeveria për burgim të padrejtë. Kjo sipas një dokumenti të publikuar nga gazeta “RD”, i cili është një vendim i Gjykatës Administrative i 15 dhjetorit 2014, që i njeh Shullazit të drejtën e dëmshpërblimit për kohën e ndenjur në qeli, pas një arrestimi në nëntorin e vitit 2011, për veprën penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit” dhe “Moskallëzim të krimit”. Pas një serie vendimesh, ka ardhur edhe padia e fundit e Shullazit, ku kërkon dëmshpërblim për ditët e qëndrimit në burg. Sipas dokumentit të publikuar nga gazeta, Shullazi ka marrë 4 milionë lekë të vjetër për 6 muajt që ka ndenjur në qeli. Gazeta thotë se ky vendim nuk u apelua nga Ministria e Financave. “Detyrimin e palës së paditur Ministria e Financave dhe Dega e Thesarit Tiranë, t’i paguajnë paditësit Emiljano Shullazi, kompensimin për burgim të padrejtë në vlerën 404.800 (katërqind e katër mijë e tetëqind) lekë për 184 ditë paraburgim në vlerën 2.200 lekë për një ditë”, thuhet në vendimin e gjykatës. Shullazit i është rrëzuar pjesë tjetër e padisë, për diferencën që i përket kompensimit në vlerën maksimale, për periudhën e paraburgimit prej 184 ditësh, prej 800 lekësh të tjerë për një ditë.

loading...
Shkruar Nga
More from Revista User

Louis Tomlinson dhuron 10.000 dollarë për fansen e sëmurë

Louis Tomlinson ka dhuruar 10 mije dollarë për një vajzë nëntë vjeçare...
Read More