Thaçi dhe Vuçiç takohen sot në Bruksel. Zbardhen detajet për çfarë do të diskutojnë

 

Presidentët e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, takohen sot në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Palët kanë paralajmëruar se takimi do të shënojë një fazë të re të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Dy presidentët do të shkëmbejnë pikëpamjet mbi vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve, pas pajtimit të tyre, në muajin korrik, që të fillojnë përgatitjet për një fazë të re të dialogut”, ka thënë zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq.

Në takimin e 3 korrikut, Thaçi dhe Vuçiq kanë thënë se kanë rënë dakord që bisedimet të hyjnë në një periudhë të re, për të trajtuar çështje përtej atyre teknike.

Thaçi ka shprehur bindjen se kjo periudhë e re do të çojë në pajtimin e dy vendeve dhe do t’i hapë rrugë së ardhmes evropiane.

Kocijançiq ka paralajmëruar se në takimin e sotëm do të flitet edhe për zbatimin e marrëveshjeve që kanë arritur palët deri më tani.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013.

Normalizimi është kusht për të dyja vendet që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian.

Me procesin e deritashëm, Kosova ka siguruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, ndërsa Serbia ka hapur disa kapituj të negociatave për anëtarësim në bllok.

Vuçiq po ashtu ka paralajmëruar hapjen e një dialogu të brendshëm për Kosovën, me qëllim që t’i jepet fund, siç ka thënë ai, “qasjes mitike” ndaj saj.

Qëllimi përfundimtar i këtij dialogu nuk dihet. Kosova vazhdon të figurojë në Kushtetutën serbe si “pjesë e Serbisë”, ndonëse Vuçiq ka thënë se po shqyrton mundësinë e ndryshimeve kushtetuese deri në fund të këtij viti.

Megjithatë, analistët në Prishtinë nuk presin që në një afat të shkurtër kohor të ndodhë ndonjë kthesë e madhe, që si rezultat do të sillte njohjen e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, në bazë të planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, të enjten në mëngjes do t’i takojë në Bruksel presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç.

Maja Kociançiç, zëdhënëse e Përfaqësueses së lartë, Mogherini, ka deklaruar se takimet në Bruksel do të zhvillohen në kontekstin e diskutimit për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“Diskutimet do të ndodhin pas takimit të disa javëve më parë, ku janë marrë vesh se do të nisin të punojnë për fillimin e fazës së re të dialogut”, ka thënë Kociançiç.

“Në këtë kuptim, puna tashmë është në zhvillim e sipër dhe ata nesër do t’i vazhdojnë bisedimet”, ka theksuar ajo.

Takimi i radhës në Bruksel, sipas Kociançiçit do të jetë joformal.

“Do të bisedojnë edhe për zbatimin e marrëveshjeve të cilat tashmë janë arritur në dialog dhe zbatimi i të cilave është në vazhdim e sipër”, ka thënë Kociançiç.

Thaçi e Vuçiç, patën theksuar pas takimit të 3 korrikut të zhvilluar po në Bruksel, se nevojitet një fazë e re e procesit të bisedimeve, që sipas lehtësuesit të këtij procesi, Bashkimit Evropian, ka si qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka nisur në mars të vitit 2011, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008.

Ndër marrëveshjet e para ka qenë ajo për Menaxhimin e integruar të kufirit apo për lëvizjen e lirë.

Kosova dhe Serbia, ndërkaq kishin arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013, e cila parasheh formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Fahredin Spahija: Nudoja në kohën e akullit

Nudoja është një prej temave kryesore të fotografisë së tij. Por përtej...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.