Thaçi reagon pas deklaratës së Haradinajt: Thirrjet për luftë dhe tragjedi, të hidhen në kosh

Presidneti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ka kundërshtuar fuqishëm idenë e shkëmbimit të territoreve. Sipas presidentit, individë të caktuar në vendin tonë, me veprimet e tyre po tentojnë të krijojnë panik dhe konfuzion.

“Të gjitha shtetet perëndimore, aleatët tanë, garantuesit e paqes dhe sigurisë në Ballkan po bëjnë përpjekje dhe thirrje për paqe, stabilitet dhe arritje të marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje nënkupton njohje reciproke dhe perspektivë të sigurt të anëtarësimit të Kosovës në BE, NATO dhe OKB.

Por, fatkeqësisht, individë të caktuar në vendin tonë, me veprimet e tyre po tentojnë të krijojnë panik dhe konfuzion. Kosova, përkundër kësaj, mbetet e përkushtuar për dialog dhe arritje të marrëveshjes paqësore përfundimtare.

Thirrjet për luftë dhe tragjedi të reja në Ballkan i takojnë mentalitetit të shekullit të kaluar dhe si të tilla, meritojnë vetëm të hidhen në shportë”,- ka shkruar Thaçi në faqen e tij zyrtare në Facebook.

Ndërkohë, Haradinaj kishte thënë se diskutimi i vazhdueshëm mbi ridizajnimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve është një ftesë për tragjedi të reja në Ballkan, i cili çon në destabilizim, pasiguri dhe rrezikon investimet afatgjata politike dhe të sigurisë për stabilitetin dhe paqen në Kosovë dhe rajon.

“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës do të vazhdoj fuqishëm të qëndroj kundër këtyre ideve shkatërruese dhe u bëj thirrje të gjitha vendeve mike dhe institucioneve ndërkombëtare kontribuese për Kosovën, që të kundërshtojnë idetë shkatërruese dhe të mos lejojnë që ato të arrijnë në tryezën e vendimmarrjes”,- ishin fjalët e kryeministrit.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Pas Obamës, Klinton e CNN, një pako e dyshimtë edhe aktorit Robert De Niro

  Një pako e dyshimtë, e ngjashme me ato që besohet se...
Read More