Tillerson: Agresioni rus në Ukrainë, pengesë në raportet me SHBA-të

Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, ka thënë se problemi madhor që e parandalon përmirësimin e raporteve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, është agresioni i Rusisë në Ukrainë.

Duke folur me ministrat e Jashtëm evropianë, dje në Vjenë, Tillerson tha se Uashingtoni nuk do t’i tërheq sanksionet kundër Rusisë, derisa ajo të mos i largojëforcat e veta jashtë pjesës lindore të Ukrainës dhe nga Krimeja.

“Çështja që qëndron në këtë rrugë është Ukraina”, tha Tillerson në konferencën për gazetarë pas takimit të ministrave të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Vjenë.

“Ne mund të kemi dallime në fusha të tjera…por kur një vend e pushton një tjetër, atëherë është vështirë të kapërcehet dallimi ose të arrihet pajtimi”, tha Tillerson dhe ka shtuar se “këtë ia kemi bërë të qartë Rusisë prej fillimit – se ne duhet ta shqyrtojmë çështjen e Ukrainës, e cila qëndron si pengesa e vetme më e vështirë për ne, për rinormalizim të raporteve”.

Pas deklaratës së fuqishme të zotit Tillerson për Ukrainën, duket se takimi direkt me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, nuk ka prodhuar kthesa të rëndësishme në pikët e tenisoneve ndërmjet dy shteteve.

“Nuk do t’ju them juve në mënyrë specifike për ato që kemi…ajo që kemi është progresi”, tha Tillerson pas takimit me ministrin Lavrov.

“Ne kemi dialogun, ne kemi bashkëpunim, ne nuk e kemi të zgjidhur këtë. Ju nuk mund t’i zgjidhni ato në një mbledhje”, tha zyrtari i lartë amerikan.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po bëjnë presion ndaj Moskës për të lejuar vendosjen e forcës paqeruajtëse të fuqishme të Kombeve të Bashkuara pjesën lindore të Ukrainës, ku milicitë separatiste të mbështetura nga Rusia, po luftojnë kundër forcave të Qeverisë së Ukrainës. Nga ky konflikt, që ka filluar në prill të vitit 2014, janë vrarë më se 10 mijë njerëz.

Lidhur me këtë çështje, ministri Lavrov theksoi:

“Ne jemi të shqetësuar për përpjekjet për kthim në kaos të nismës sonë për vendosjen e rojtarëve të Kombeve të Bashkuara për ta siguruar Misionin special monitorues të OSBE-në”, tha Lavrov.

Moska dhe Uashingtoni nuk pajtohen se çfarë mandati do të ketë kjo forcë e propozuar e OKB-së.

Kremlini thotë se misioni i OKB-së duhet të ketë autoritet për t’i mbrojtur monitoruesit e OSBE-së në pjesën lindore të Ukrainës.

Por, fuqitë perëndimore frikësohen se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dëshiron ta kufizojë mandatin e forcës në mënyrë që çfarëdo armëpushimi vetëm do t’i konsolidonte pëfitimet e separatistëve të mbështetur nga Rusia.

Tillerson tha se Uashingtoni dëshiron që kjo forcë e propozuar e Kombeve të Bashkuara, të ketë kompetenca shtesë për paqeruajtje, ku do të përfshiheshin autorizimi për çarmatosjen e milicive separatiste të mbështetura nga Rusia.

Në fjalimin e tij në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të OSBE-së, Tillerson tha se Shtetet e Bashkuara “kurrë nuk do ta pranojnë okupimin e Rusisë dhe përpjekjen për aneksimin e Krimesë”.

Sipas tij, sanksionet amerikane, që janë imponuar pas aneksimit ilegal të Gadishullit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Moskës, në mars të vitit 2014, “do të mbeten ashtu siç janë derisa Rusia e kthen kontrollin e plotë të gadishullit tek Ukraina”.

“Ne u bashkohemi partnerëve tanë evorpanë në mbajtjen e sanksioneve derisa Rusia i tërheq forcat e veta” nga pjesët e rajoneve të Donjeckut dhe Luhanskit, që janë nën kontroll të forcave separatiste dhe rrjedhimisht “t’i plotësojë përkushtimet e veta sipas marrëveshjes së Minskut”, tha Tillerson.

Shkruar Nga
More from Revista User

Trump – Putin, në telefon për 50 minuta

Telefonata e shumëpritur u krye. Donald Trump dhe Vladimir Putin folën me...
Read More