Tillerson ka kërkuar që milicitë iraniane të largohen nga Iraku

Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, thotë se është koha që milicitë e mbështetura nga Irani dhe këshilltarët e tyre iranianë, që e kanë ndihmuar Irakun për t’i shkaktuar disfatë Shtetit Islamik, të “shkojnë në shtëpi”.

“Sigurisht që milicitë iraniane që janë në Irak, tash kur lufta kundër Shtetit Islamik është kah fundi, këto milici duhet të shkojnë në shtëpi”, tha sot Tillerson në një konferencë për shtyp në Riad të Arabisë Saudite, ku ai po zhvillon takime me liderët e Irakut dhe të Arabisë Saudite.

“Luftëtarët e jashtëm në Irak duhet të shkojnë në shtëpi dhe t’i lejojnë popullit të Irakut që ta rimarrë kontrollin”, tha Tillerson.

Vizita e sekretarit Tillerson në rajonin e Gjirit po bëhet në kudër të përpjekjeve të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për ta izoluar Iranin në Lindjen e Mesme dhe jashtë saj dhe për ta ndalur ndikimin e Teheranit në rajon.

Tillerson, po ashtu, ka kërkuar nga vendet e tjera, veçanërisht nga ato në Evropë, që t’i ndalin bizneset me Gardën Revolucionare të Iranit, e cila ka luajtur rol madhor në ekonominë iraniane dhe e cila është përfshirë në listën e zezë të terrorizmit në Shtetet e Bashkuara, më herët këtë muaj.

Shkruar Nga
More from Revista User

Guterres dënon sulmin ndaj migrantëve në Jemen

Shefi i Kombeve të Bashkura, Antonio Guterres, ka thënë se është i...
Read More