Timbri i dhimbjes mes diktaturës dhe lirisë

…Me flokë të gjatë, i ulur me një kitarë në dorë, zëëmbël, lirik, Françesk Radi kështu do të kujtohet përjetësisht, një prej rocker-ve që nuk ulëriu, por vazhdoi muzikën deri në frymë të fundit. Një ditë më parë kantautori u nda nga jeta duke na lënë muzikën dhe imazhin njerëzor, edhe pse dhimbshëm iku nga kjo jetë…e kujtojnë për momentet e tij më të dhimbshme të jetës, poeti Sadik Bejko, kritiku i teatrit Josif Papagjoni…por, për gjurmën e sotme flasin Elton Deda dhe Aurela Gaçe

Që kur doli në skenë në fillim të viteve ’90 kantautori Françesk Radi sikur ndante një të “fshehtë” me publikun e sapohyrë në liri. Ishte i njëjti ritëm psikik dhe shpirtëror, që realizonte butë, plot dhimbje rebelimin mbi të shkuarën. Ishte koha e Françesk Radit që do perceptohej nga publiku shqiptar si njeriu që po merrte përdore lirinë e brishtë, bashkë me të edhe muzikën që ai bëri. Me timbër mjaft të afërt me Adriano Çelentanon, këngët e të cilit ishin si të tijat, duke i kënduar në çdo mjedis dhe sa herë në skenë. Me flokë të gjatë, i ulur me një kitarë në dorë, zëëmbël, lirik, Françesk Radi kështu do të kujtohet përjetësisht, një prej rocker-ve që nuk ulëriu, por vazhdoi muzikën deri në frymë të fundit. Një ditë më parë kantautori u nda nga jeta duke na lënë muzikën dhe imazhin njerëzor, edhe pse dhimbshëm iku nga kjo jetë.

Prej disa ditësh, kantautori gjendej në spital prej një jave derisa dje në moshën 68-vjeçare, i cili ndodhej në spitalin Nënën Tereza. Radi vuajti nga një goditje e rëndë në tru, prej të cilës nuk mundi të shpëtonte. Ka qenë familja e tij që njoftoi për ngjarjen, ndërsa pak ditë më parë bashkëshortja e Françeskut, prezantuesja e njohur, Tefta, njoftoi se autoritetet ishin gati ta dërgonin jashtë artistik për kurim, por gjendja e tij ishte e rëndë dhe nuk përballonte transportin.

Dhimbja për humbjen e kantautorit ka prekur në mënyrë të gjerë miqtë e të afërm, njerëz të artit e letërsisë me disa prej të cilëve ka pasur njohje më herët. Një prej tyre, poeti Sadik Bejko përmes ngushëllimit ka kujtuar por edhe vlerësuar: “Ngushëllime! Ishte aq larg nga huqet e artistëve. Një njeri i paqtë me shpirt e një zë si një thesar për kohën e vendin e tij! E njoha që në këngën e parë të regjistruar në 1971, Adresa. Kam bërë fjalët, tekstin e këngës së tij në Festivalin e 11-të, “Kur dëgjojmë zëra nga bota”. E vlerësoj për shpirtin e tij të butë, për atë gjerdan perlash, për zërin e meloditë që ia la thesarit të muzikës shqiptare. Ai vuajti nën diktaturë dhe nuk e bërtiti dhembjen e tij. Ai ishte shumë shpirtëror, fetar, i pasur dhe i thellë në botën e vet pak të fshehur! Jam i prekur! Jam lutur këto ditë për shpirtin e shëndetin e tij! U prehsh në paqe Françesk Radi!”

Kritiku i teatrit, Josif Papagjoni, bashkëkohës me Françeskun në kohën e diktaturës, ndan pikërisht dhimbjen mbi këtë të kaluar, kur situata politike në vend ishte bërë me e ashpër se kurrë. Papagjoni ngushëllon dhe kujton: “Sa mësova lajmin e hidhur të vdekjes së kantautorit Françesk Radi. Ishte një mik i vyer i rinisë sime, kemi fjetur së toku në një dhomë në Fushë-Arrës asaj kohe të acartë pas plenumit IV të PPSH (1973-1974), fillimisht në një barakë druri vrima-vrima e pastaj në një studio në prapaskenë në Pallatin e Kulturës. Shkëmbenim dëshpërimet tona, por dhe shpresat, energjinë, humorin, artin. Madje dhe kënduam bashkë disa këngë të tij, deri në TVSH, duke marrë unë përsipër rolin e “garantuesit” të daljes në skenë, pasi ia kishin ndaluar. Dhe aty, mes borës dhe erës, në gjithë vështirësitë e menduara të asaj kohe, me gjithë frikat dhe pasiguritë, ai merrte kitarën dhe këndonte në dhomë këngë të Adriano Çelentanos e këngëtarëve të tjerë italiane. Ende e kam në vesh zërin e tij paksa të ngjirur, krejt origjinal, dhe atë tipin e njeriut të urtë, babaxhan, me kokën varur mbi tastierë, në një përhumbje të bukur. Dhe ky imazh, me atë miqësi e respekt gati të shenjtë të krijuar atëherë, në vitet e vështira të rinisë sonë, më ndoqi gjithë jetën, duke mbetur një adhurues i muzikës së tij, por dhe i miqësisë që kam pasur. Ngushëllime familjes, Teftës dhe fëmijëve, si dhe gjithë adhuruesve të tij”. Nga fusha e tij, muzika është kantautori Elton Deda, që ka reaguar edhe në ditën e shtrimit në spital të Radit, por menjëherë në përhapjen e njoftimit ka shkruar në rrjetin e tij social: “Një artist më pak, një mik më pak. Vërtet që e humbe pranverën Franko, por ke lënë gjurmë të madhe mbrapa. Je i dënuar të kujtohesh përjetësisht. Lamtumirë mik i dashur, lamtumirë artist!”.

Ndërsa këngëtarja Aurela Gaçe, shkruan e kujton vargjet më të dhimbshme nga Françesku:

“Lamtumirë Franko, artisti modern e i guximshëm krijoi e guxoi në një kohë të zymtë për Shqipërinë, ku artisti edhe mund të dënohej pse ishte ndryshe…vuajti e kurrë s’u ankua…

por u kthye përsëri në skenë e na la përsëri këngë me stilin që vetëm ai e kishte.

Qofsh i Parajsës. Ngushëllimet më të sinqerta familjes: Rrojmë të gëzuar/

Me derë të blinduar/Të huajt punojnë/Shqiptarët të rrojnë/ Ky fat na ra – disa vargje kaq të vërteta të një këngë të tij”. Françesk Radi ka kryer Liceun Artistik dhe më pas Akademinë e Arteve Tiranë. Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar në Estradën e Shtetit me instrumentin e kitarës, por njëkohësisht dhe si kantautor. Në vitin 1992 ai ka filluar punë në Radio Tirana si solist, instrumentist, gjatë kësaj kohe ka kompozuar dhe kënduar shumë këngë në festivalet e ndryshme. Në fillimet e tij me krijimtarinë muzikore solli për publikun këngët “Adresa” dhe “Biçikleta”, dhe që nga ai moment Françesk Radi u bë një emër i vlerësuar. Ishin pikërisht këto dy këngët e tij të para të realizuara në vitet ’70, që bënë që krijimtaria e tij artistike të niste rrugëtimin drejt suksesit muzikor. Kënga “Adresa” dhe “Biçikleta” kanë qenë dhe videoklipet e para shqiptare në këngë të xhiruar në vitin 1972. Më pas krijimtaria e tij muzikore do të shënonte sërish një tjetër kulm pas viteve ’90, duke sjellë disa krijime për publikun. Përmendim këtu këngët “Rroku i burgut”, “Humba pranverën”, “Telefonatë zemrash”, “Zemër e lodhur”, “Ky fat na ra”, “Kemi dasmë “o” etj., të cilat kanë mbetur në kujtesën e publikut. Kantautori Françesk Radi, është një emër i cili tashmë e ka arritur suksesin e tij muzikor, duke sjellë këngë të cilat janë vlerësuar nga publiku./V.M

 

Kujton festivalin e 11-të

Sadik Bejko: Françesku vuajti në diktaturë e nuk e bërtiti dhimbjen

Poeti Sadik Bejko përmes ngushëllimit ka kujtuar por edhe vlerësuar: “Ngushëllime! Ishte aq larg nga huqet e artistëve. Një njeri i paqtë me shpirt e një zë si një thesar për kohën e vendin e tij! E njoha që në këngën e parë të regjistruar 1971, Adresa. Kam bërë fjalët, tekstin e këngës së tij në Festivalin e 11-të, “Kur dëgjojmë zëra nga bota”. E vlerësoj për shpirtin e tij të butë, për atë gjerdan perlash, për zërin e meloditë që ia la thesarit të muzikës shqiptare. Ai vuajti nën diktaturë dhe nuk e bërtiti dhembjen e tij. Ai ishte shumë shpirtëror, fetar, i pasur dhe i thellë në botën e vet pak të fshehur! Jam i prekur! Jam lutur këto ditë për shpirtin e shëndetin e tij! U prehsh në paqe Françesk Radi!”

 

Kritiku i teatrit

Josif Papagjoni: Ishte i ndaluar, u bëra ‘garant’ që Françesku të dilte në skenë

Papagjoni ngushëllon dhe kujton: “Sa mësova lajmin e hidhur të vdekjes së kantautorit Françesk Radi. Ishte një mik i vyer i rinisë sime, kemi fjetur së toku në një dhomë në Fushë-Arrëz asaj kohe të acartë pas plenumit IV të PPSH (1973-1974), fillimisht në një barakë druri vrima-vrima e pastaj në një studio në prapaskenë në Pallatin e Kulturës. Shkëmbenim dëshpërimet tona, por dhe shpresat, energjinë, humorin, artin. Madje dhe kënduam bashkë disa këngë të tij, deri në TVSH, duke marrë unë përsipër rolin e “garantuesit” të daljes në skenë, pasi ia kishin ndaluar. Dhe aty, mes borës dhe erës, në gjithë vështirësitë e menduara të asaj kohe, me gjithë frikat dhe pasiguritë, ai merrte kitarën dhe këndonte në dhomë këngë të Adriano Çelentanos e këngëtarëve të tjerë italiane…”.

 

Shkruar Nga
More from revista mapo

“Passion never fails”: UET përfaqëson Shqipërinë në Startup Ole

Nga Prof. asoc. dr. Ermira Qosja Qyteti historik i Spanjës, Salamanka, ishte...
Read More