Timoni drejt rrugës së ekonomisë, jashtë saj është humnerë

Nga Ervis Iljazaj

Tashmë që Partia Socialiste fitoi zgjedhjet e vetme ashtu si Rama ia kërkoi me vendosmëri dhe kurajë elektoratit shqiptar, nuk ka më alibi për qeverisjen dhe përgjegjësinë e saj. Ky është një element pozitiv i cili doli nga këto zgjedhje. Përkundrejt shqetësimeve të pabaza për mbipushtet apo rrezikun e putinizmit në Shqipëri, qeverisja e përqendruar në një forcë politike rregullon raportin midis qeverisjes, llogaridhënies dhe qytetarëve. Një raport i cili deri më tani ishte deformuar plotësisht nga qeverisjet e koalicionit, të cilat më shumë energji harxhonin në raportet e vështira midis tyre se sa në zgjidhjen e problemeve të popullit shqiptar.

Edi Rama bëri një fushatë e cila u bazua te mënyra e qeverisjes dhe jo te përmbajtja e saj. Në vetvete dhe mënyra e qeverisjes është një instrument i rëndësishëm për përmbajtjen.

Mungesa e një programi të qartë gjatë fushatës, u theksua edhe më shumë kur Rama, disa ditë më parë filloi konsultimin me popullin për prioritetet e mandatit të tij ardhshëm. Në fakt, kjo mënyrë është populiste në formë, por që të tregon se tashmë Rama po fillon të mendojë për programin qeverisës në këtë mandat.

Tani që timonin e drejton i vetëm, Edi Rama duhet ta drejtojë në rrugën e rritjes ekonomike. Në mandatin e kaluar, për shkak të formalizimit të ekonomisë me reformat e ndërmarra nga qeveria, ekonomia pati një tkurrje. Kjo është normale, pasi rregullimi ndikon negativisht në ekonomi ndryshe nga derregullimi. Megjithatë ajo ishte një fazë tek e cila duhej vënë theksi në shtetformim dhe zbatimin e rregullave.

Pasi mbaroi faza e formalizimit, vendi ka nevojë për rritje ekonomike. Të gjitha energjitë duhet të fokusohen te zhvillimi ekonomik. Estetizimi dhe forma është shumë e rëndësishme në një shoqëri të caktuar, pasi kanë një rol të rëndësishëm, por tani në këtë mandat të dytë dhe mbi të gjitha, i çliruar nga aleatët, Rama duhet të fokusohet te përmbajtja.

Rruga e reformave duhet të vazhdojë edhe më e vendosur, larg populizmave, që në fakt nuk kanë qenë pjesë e qeverisë Rama në mandatin e parë. Është e rëndësishme të dëgjosh popullin, por më e rëndësishme është fakti i vendimmarrjeve që zgjidhin vërtet problemet e tyre, pa solidaritet fals dhe humanizëm që nuk i hyn në punë askujt. Aq më tepër që dëgjesa me publikun vlen për të konstatuar problematikat dhe jo për të marrë zgjidhje.

Ekonomia duhet të jetë kryefjala e këtij mandati, në të kundërt vendi do të shkojë drejt një ngërçi shoqëror të parikuperueshëm. Shenjat e para të tkurrjes ekonomike janë aty, duke filluar që nga emigracioni dhe punësimi i të rinjve. Andaj, të gjitha energjitë e qeverisë, përtej reformave të tjera të rëndësishme, si ajo e administratës që ishte i vetmi premtim elektoral i Ramës në fushatë, duhet të drejtohet te plani për zhvillimin ekonomik. Një plan i cili duhet të rifillojë me rishikimin e barrierës fiskale. Nuk ka kuptim që një shtet si Shqipëria të vazhdojë të aplikojë taksën progresive, e cila presupozon një administratë më shumë se efikase në kthimin mbrapsht të tyre në formën e shërbimeve. Në thelb nuk ekziston një sistem fiskal i mirë apo i keq, por një kontekst i caktuar ku aplikohet ai. Konteksti shqiptar duke patur parasysh funksionimin e administratës sonë dhe efikasitetin e saj, kërkon më shumë që paratë të jenë në dorë të qytetarëve se sa të pushtetarëve. Me gjithë përpjekjen e lavdërueshme të krijimit të tregut në disa sektorë, si ai i energjisë, ka ende vend për përmirësimin e masave në shumë sektorë të tjerë që kanë ngelur etatistë dhe që vetëm shpenzojnë para publike pa asnjë kontribut në ekonominë shqiptare.

Kështu që, timoni në një dorë të vetme është i rëndësishëm, por nëse Rama nuk arrin ta presë atë drejt rrugës së ekonomisë, do të jetë një mandat zhgënjyes dhe i pajustifikuar ndaj besimit të madh popullor që mori në këto zgjedhje!

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Siç ka qenë do të jetë (PD-ja)

Nga Mustafa Nano Në PD po bëhet një debat që po shoqëron...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *