Tinka e përjetshme

Edhe pse 85 vjeç, aktorja Tinka Kurti, me një jetë të gjallë artistike, sapo mbylli premierën e filmit “Yjet e së ardhmes”, me regji të Edmond Topit, në një rol protagonist; një ditë më parë është gjendur në Shkodër, e entuziazmuar nga atmosfera dhe pritja e jashtëzakonshme në festimin e ditëlindjes së saj, pa asnjë suitë politikanësh në radhë

“Para se të hyjmë në teatër e ta urojmë për ditëlindje, të gjithë së bashku, dua të them se Tinka Kurti është e përjetshme, e mrekullueshme, por ajo është edhe lashtë”, fjalët e aktorit shkodran Zef Deda kanë qenë solemniteti jozyrtar që për herë të parë shohim të krijohet një piedestal i tillë për një aktor, pa prezencë politike.

Ndjekur nga kamerat, një grup i madh njerëzish, të afërm, miq, adhurues, artistë e qytetarë shkodranë mu para teatrit të Migjenit kanë nderuar aktoren Tinka Kurti në 85-vjetorin e lindjes në një festë madhështore.

Për të nderuar kontributin, dhe emrin e Tinka Kurtit si artiste, dhe qytetare shkodrane, aktori Zef Deda ka drejtuar për nga sheshi para teatrit, për të mbjellë një ulli në kujtim të saj në këtë 85-vjetor. “Për arsye se ulliri ka jetë të gjatë, ky do të jetë ulliri Tinka, i përjetshëm”. Tinka ka marrë lopatën duke hedhur në mënyrë simbolike pak dhe, në rrënjë të tij, si shenjë përjetësie. Ka qenë drejtorja e Teatrit “Migjeni”, Rita Gjeka, e cila ka ideuar festën, duke e etiketuar “Tinka e Përjetshme”.

“Nuk e prisja këtë. Falënderoj në mënyrë të veçantë të gjithë këtë popull të mrekullueshëm që erdhi këtu, që janë shkodranët e mi dhe jam lind e jam rrit me ta. Pavarësisht se kam ndenjur në Sarajevë, jeta ime është këtu në Shkodër. Falënderoj në mënyrë të veçantë kryetaren e Bashkisë që ishte aq e gatshme, por edhe Rita Gjekën me gjithë stafin e saj të teatrit Migjeni”, ka thënë aktorja.

Aktorja duket se e ka marrë veten dhe nga gjendja jo e mirë shëndetësore që kaloi pak kohë më parë. Një urim i veçantë aktores i është bërë edhe nga shkrimtarja dhe botuesja Flutura Açka. Për shkrimtaren, Tinka është një nga gratë më të mençura dhe më të talentuara shqiptare: “Ti ke moshën e Mams, Tinka Kurti, e mamat kurrë nuk plaken… Edhe 100 vite për një nga gratë më të mençura e më talentuara shqiptare që kam takuar!”. Tinka Kurti lindi më 17 dhjetor 1932 në Sarajevë. U ngjit për herë të parë në skenë kur ishte vetëm 14 vjeç. Për disa vjet u aktivizua në teatrin amator në Shkodër. Më 1947-n u përjashtua nga Liceu Artistik i Tiranës dhe nuk mori asnjëherë ndonjë diplomë shkolle, por kjo nuk e pengoi të bëhet një aktore e madhe. Që viti 1949 e deri sa doli në pension ishte aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku interpretoi rreth 120 role.

Veçanërisht e suksesshme në rolet e forta dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi. Shkëlqen me role protagoniste në “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “Toka Jonë”, ku luan në fillim Filen e pastaj Loken, “Fisheku në pajë” apo “Fejesa e Çehovit”. Si rrallëkush, Kurti rikonfirmon talentin e saj edhe në kinema, duke interpretuar në rreth 35 filma artistikë, duke filluar me filmin e parë të metrazhit të gjatë, “Tana”, më 1958-n.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Drejtësia ka mbetur i vetmi instrument i diplomacisë amerikane në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë

Nga Ervis Iljazaj Parlamenti i Maqedonisë ka zgjedhur dje Kryeprokurorin e Përgjithshëm,...
Read More