Tipologjia e personazheve femërore në universin letrar të Ismail Kadaresë

Plakat e jetës te Kronikë në gur, gratë e komunizmit te Dimri i madh apo te Natë me hënë dhe heroinat e komunizmit te romani Dasma, janë disa nga tipet sociologjike që studiuesi mund t’i analizojë në këtë këndvështrim dhe në këtë artikull do të ndalemi veçanërisht te modeli i heroinës komuniste dhe se si shfaqet ligjërimi i saj.

Nga Irena Myzeqari*

Universi letrar i Kadaresë është pa diskutim një oaz nga ku mund të nisim kërkimin për të kuptuar tipet sociale. Përfaqësimi është po aq produkt i komunikimit aq edhe kusht primar për ekzistencën e tij, (Duvven: 2000: f. 12-13). Kjo lidhje midis përfaqësimit dhe ligjërimit është e rëndësishme sepse siç thotë edhe Moscovici: “përfaqësimi social është një set vlerash, idesh dhe praktikash më një funksion të dyfishë: së pari, ai vendos një rregull i cili u mundëson individëve të orientojnë dhe të përmirësojnë veten e tyre në botën sociale dhe materiale që u rrethon dhe së dyti, mundësojnë komunikimin midis anëtarëve të një komuniteti duke u siguruar atyre një kod për shkëmbimin social dhe një kod për të emërtuar dhe klasifikuar në mënyrë të qartë aspektet e ndryshme të botës së tyre dhe të historisë së tyre individuale dhe grupit që u përkasin (1973: f. 13).

Duke qenë se këto kode ndryshojnë, po ashtu edhe identitetet ndryshojnë dhe janë në proces të vazhdueshëm transformimi dhe negocimi, (Hall, 1988). Duke pasur në mendje këtë variabël, përshkrimi i narratorit si edhe analiza e veçorive të tyre komunikative mund të na japin të dhëna sidomos për ato vepra të shkruara gjatë regjimit për të kuptuar më mirë se cilat ishin klishetë gjinore të cilat autori përçon me anë të teksteve të tij. Plakat e jetës te Kronikë në gur, gratë e komunizmit te Dimri i madh apo te Natë me hënë dhe heroinat e komunizmit te romani Dasma, janë disa nga tipet sociologjike që studiuesi mund t’i analizojë në këtë këndvështrim dhe në këtë artikull do të ndalemi veçanërisht te modeli i heroinës komuniste dhe se si shfaqet ligjërimi i saj.

Heroina komuniste

Vendi i parë nga mund t’ia nisim kërkimin për heroinën komuniste është pa diskutim romani Lëkura e daulles ose Dasma, i cili është romani i një qyteti të ri në ndërtim. Dasma, simboli qendror i romanit, shënjon fillimin e ri të gjithçkaje. Në faqet e tij romani gëlon prej lëvizjeve, në role, në norma, në vlera, gëlon nga kuptimet e reja. Studiuesi Eric Faye do ta quajë atë qytet-kantier, si alegori e një Shqipërie në ndërtim e sipër dhe e njeriut të ri të saj”, (Faye, 2000: f. 14). Kjo alegori, për studiuesin John Cox, lidhet me faktin se ky roman, si ndër më të hershmit e Kadaresë, vuan nga një dozë e madhe e “realizmit socialist”, ( Cox. f. 13). Prandaj në dallim nga veprat e tjera të tij, ky roman është një lavd për regjimin diktatorial të Enver Hoxhës.

Megjithatë, kompozicioni dhe ndërthurja e të resë me të vjetrën në çdo aspekt të romanit, e bën atë të vlefshëm për synimin e analizës sonë. Libri është i mbushur me referenca të vazhdueshme të njeriut të ri, ndërmarrjeve të reja kooperativiste, stacioneve të trenave dhe fakti që fshati akoma nuk ka një emër është simbol i nevojës për të mos emëruar asgjë të re me shenja apo histori të vjetra. Për shkak të dozës së lartë të “realizmit socialist”, kjo vepër përçon edhe një shkallë të lartë negativiteti kundër feve, ku si kristianizmi ashtu edhe islami akuzohet për hajdutëri dhe hipokrizi. Dervishët, të izoluar në shpellat e tyre në male, portretizohen jo vetëm si advokues të ideve reaksionare kundër progresit komunist shqiptar, por ata e përdorin fuqinë e tyre mbi vajzat e reja dhe gratë për t’i manipuluar ato me traditat e vjetra të martesave.

Më shumë se sa personazhet, në këtë roman është ngjarja ajo që merr më tepër rëndësi. Personazhet janë aty për të bërë në mundur zhvillimin e ngjarjes, ecuria e saj varet pikërisht nga këmbëngulja e tyre për të vazhduar, me dasmën, me ndërtimin; treni duhet të ecë, ai stacion aty nuk është pa qëllim; – edhe pse ngadalë Shqipëria duhet të lëvizë. Dasma është nga ato të rejat, është një martesë zgjedhjeje midis dy individëve të rritur, të barabartë; Xhavidi dhe Katrina janë përfaqësues të njeriut dhe rendit të ri, ku gjinia ishte variabël i parëndësishëm sepse çdokush duhet të ishte në funksion të ndërtimit të ri. Kjo është një dasmë socialiste, ose një kundër–dasmë siç e quan autori, çka simbolizon ndryshimin.

Më shumë se sa Xheviti, Katrina luan rolin kryesor sepse tek ajo personifikohen të gjitha parimet ideologjike të një sistemi të ri organizimi siç ishte shteti i ri komunist. Katrina përfaqëson të gjithë motorin e ndryshimit dhe me anë të çdo veprimi të saj, mbrapa qëndron ideologjikja e cila me anë të saj realizon të gjithë revolucionin e saj.

Dasma bëhet kundër-dasmë për shkak të asaj çka bën Katrina; ajo hedh pas krahëve një dasmë prej kanuni. Celebrimi i kësaj dasme tërheq rreth vetës çfarëdolloj grupi social; mësuese fshati, tornatorë, studiues antropologjie, prezenca e të cilëve i përngjan barkës së Noas, e cila duhet të shpëtojë dhe të gjitha krijesat mundohen të futen në anije.

-Propozoj të ngremë këtë dolli për anëtarin e kolektivit tonë, montatorin e dalluar, shokun Xhevit dhe për shoqen Katrinë, që sot po bashkojnë fatet e tyre në kuadrin e përpjekjeve të përbashkëta të popullit për ndërtimin e socializmit..- ngritja e gruas në përgjegjësi

Katrina përfaqëson kolektiven, e cila realizohet nëpërmjet saj. Si grua ajo bëhet simbol i mbajtjes së bashku të gjithë shoqërinë, e cila mund të shumohet dhe zhvillohet vetëm me anë të gruas dhe femërores. Në këtë kolektiv ka vend për aktivitete të reja, sjellje dhe qëndrime të reja ndaj jetës dhe traditës, të cilat duhet të mohohen bindshëm nga gjenerata e re. Këtë funksion luan shumë mirë dyshja Xhevit-Katrina, të cilët të vendosur përballë të atit të saj, nuk janë duke kundërshtuar vetëm zërin e burrit të parë të jetës së saj, por edhe ushtimën që ai sillte me vetë, me pushkën, me kapelën e veshjen e tij. Ai është oshtima e Kanunit, e librit i cili nuk është thjesht një libër por edhe e të vjetrës

“Nuk është një libër, është një monstër maskuar si libër. Njerëzit i imagjinojnë monstrat me lloj bishtash dhe kokash të tmerrshme. Ky është një monstër me një veçanti të re. Paragraf pas paragrafi, shkruar me terma koncizë”.

Babai i Katrinës rri deri në një moment të dasmës dhe më pas largohet në mënyrë misterioze. Gjithë qëndrimi i tij në dasmë, është e shkuara që përpiqet të bëjë dallimin me atë çka po ndodh aty, ndërsa largimi është shkëputja përfundimtare e të kaluarës, për ta lënë të tashmen të vazhdojë fluturimin.

Ai donte të ikte prej saj, por e reja e ndiqte…gjysmë shekulli më parë, ndërsa ai me babanë dhe të vëllezërit u uronin mirëseardhjen, duke i përqafuar te shkallët dhe u merrnin pushkët dhe koburet dhe ua varnin në muret e kullës….Natën e fundit, kur mbaroi dasma dhe po përcillnin dasmorët gjer jashtë fshatit, ndaj të gdhirë, ndërsa ai po përkëdhelte për herë të parë në jetë një femër, diku larg u dëgjua një krismë dhe pastaj në oborrin e kullës një ulërimë!

Përndjekja nga e reja, aq sa portretizon luftën midis gjeneratave po aq e lidh ndryshimin me femëroren, e cila është e re edhe freskët. Paralelizmi mes dy dasmave, të tijës dhe të bijës së tij tregon gjithë gjendjen inkandeshente rreth e rrotull, e cila shënjon edhe dyluftimin midis dy Shqipërive, asaj të vjetrës dhe të resë; herë tërhiqte njëra e herë tjetra dhe ajo çka cenohej ishte dasma, pra e ardhmja. Largimi i babait, është një metaforë e goditur Frojdiane e autorit, i cili edhe pse u jep të rinjve misionin për të thyer të vjetrën, është babai si forma mashkullore e kontrollit dhe dhunës që zmbraps Kanunin dhe ligësinë e tij. Gratë e kantierit dhe Katrina bashkë me to, janë të vetëdijshme se para tyre gjendej Kanuni i tmerrshëm…. Mijëra pushkë na përshëndetën duke na kërcënuar.

Katrina është përfaqësuese e gjithë gjinisë së saj. Ajo përfaqëson modelin e ri të gruas shqiptare, emancipimi i saj lidhet direkt me përfshirjen në ndërtimin e Shqipërisë. Nëpërmjet saj dhe zërave të tjerë shoqërorë demaskohen prapambetjet gjinore që kanë rënduar mbi gruan, e cila ka qenë e varur nga vargonj kulturorë mesjetarë. Thirrja në tren me altoparlant për të folur mbi ngjarje ose tregime të vogla në lidhje me fenë ose emancipimin e gruas, luten të paraqiten në qendrën e zërit, është thirrje për të bërë publike atë për të cilën nuk është folur më përpara. Altoparlanti na vjen në formën e një mediumi, i cili sjell në rendin e ditës së atyre udhëtarëve tema të ndjeshme për Shqipërinë e Re Socialiste. Njëlloj si ai, shkrimtari, Radio televizioni, gazetari, janë kanale komunikimi dhe dokumentimi i ndryshimit. Prezenca e tyre në roman është sinjal i një ere të re propagande, e cila do të mbajë në këmbë regjimin.

Siç u tha edhe më lart, romanin e përshkon një frymë antifetare, që lidhet edhe me Revolucionin fetar dhe kulturor që po ndodhte në atë kohë në vend. Sërish pika lidhëse e demaskimit të tyre ishte gjinia femërore, e cila shpesh manipulohej prej marrëzirave të dervishëve.

-E shihni atë vajzën atje, atë me flokë të prerë shkurt?- tha ajo.

-Ajo që kërcen gjithë mërzi?

-Po. Asaj i ka ndodhur diçka e tmerrshme. Është aq e tmerrshme, saqë unë nuk mund t’jua tregoj dot. Ndoshta ajo mund t’jua tregojë vetë.

– Përse është fjala?

– Ka lidhje me ca dervishë që kanë qenë këtu përpara se të ngrihej kantieri, – tha vajza- ….

….

Edhe historia e trishtë e dy vajzave, trashamania dhe ajo me çizme rozë, që po presin trenin, lidhet me vizitën në teqenë, kur ato dy 15-vjeçare jetime morën rrugën për herë të parë drejt këtij vendi pelegrinazhi, ku një plakë i kishte thënë se “po të flije një natë, të mbarohej një dëshirë”.

Dialogu midis dy vajzave është deklaratë e ligësisë që maskonin fetarët, sidomos dervishët, motiv ky i rëndësishëm në veprën e Kadaresë, duke qenë se ai e lidh perversitetin me çdo gjë lindore. Gjithashtu, dialogu shënjon mbetjet kulturore të një periudhe kur Shqipëria vuante nga besëtytnitë dhe prapambetje të pushtimit osman. Gruaja dhe femërorja bëhen sërish trupi ku mishërohen ngarkesat ideologjike dhe ato përdoren si dëshmi për të faktuar idetë identitare të autorit.

Më gjithë notat revolucionare, të cilat shpalosen përgjatë romanit; lufta për të drejtat e grave, autori nuk arrin dot të zhbëjë edhe në gjuhën që u vesh personazheve paragjykimet gjinore. Mbase kjo është bërë me dashje, brenda një nënteksti i cili thotë se nuk mjafton vetëm të ndërtosh Shqipërinë e Re së jashtmi; ajo që duhet ndryshuar është kultura, e cila është ngulitur fort në mendjet dhe personalitetet e çdo të ftuari të kësaj dasme. Katrina dhe Xheviti, dy njerëzit e rinj të Socializmit, mbartin me vetë gjithë peshën e historisë e cila sado të fshihet, gjen skutat e saj cirkumvolutime të bëhet sërish epiqendra e ngjarjeve.

Një element i fundit me vlerë për analizë është edhe dialogu i pushkëve që risillet prej të shkuarës, të cilat pohojnë se ndryshimi po vjen.

Pushkët një copë herë nuk folën

-Uh u plakëm- tha përsëri pushka me tytën më të gjatë

-Të ka marrë malli të qesësh tym?

-E pse jo? Ne për atë punë jemi bërë….

Plakja si proces tregon humbje rëndësie dhe roli sepse konteksti social në të cilat ato merrnin kuptim po bie.

-Po prishen zakonet e lashta. Po merret nëpër këmbë kanuni i maleve, kurse ne heshtim.

– Ai që prish zakonin, është armik.

-Përkundrazi,

-Ti je i paftyrë, tha pushka e shkurtër

– Si the bushtër? – thirri maliheri

– Mjaft! Thirri me zë të ngjirur pushka më e moçme. – S’ju vjen turp? U bëtë si gratë, kur grinden tek pusi i fshatit.

Etiketimi “bushtër” dhe krahasimi “si gratë” përdoren si ofendim që i bëhet diçkaje tipikisht mashkullore siç është arma. Krahasimi pohon se tashmë ka ardhur një kohë e re dhe ato kanë dalë jashtë funksionit, si gratë të cilat nuk luajnë asnjë rol përveçse të fjalosen. Si rrjedhojë heroizmi që mvesh Katrina si grua, është vetëm ideologjikisht i rëndësishëm; ajo nuk është grua, ajo është njeriu i ri socialist, i cili uniformizohet me turmën komunitare në një funksion të përbashkët, në këtë rast të ndërtimit të Shqipërisë.

*Pedagoge, Universiteti Europian i Tiranës

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Vizat, Rama: Refuzoj politikat që tregojnë me gisht shqiptarët

Kryeministri Edi Rama, pas takimit që zhvilloi me homologët e tij të...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.