Tirana e Erion Veliajt, metropoli i taksave të larta

Rritja drastike e taksave dhe tarifave e ka bërë Tiranën një qytet shumë më të shtrenjtë se një vit më parë. Vendimet e Këshillit Bashkiak të 11 marsit 2016, rënduan biznesin dhe qytetarët, e nga ana tjetër e “frynë” si kurrë më parë arkën bashkiake. Si të mos mjaftonte kjo, Erion Veliaj dhe administrata e tij ushtruan edhe të drejtën ligjore për të vendosur taksa të përkohshme, siç është ajo për arsimin, me të cilën po ushqehet skema e PPP për ndërtimin e 17 shkollave të reja.

E kanë akuzuar shpesh se ai shfaqet në televizion “në krye të punëve publike” edhe në ditët kur është jashtë shtetit. Sido të jetë, është po aq e vërtetë se Erion Veliaj ka hapur dhjetëra kantiere pune kudo nëpër kryeqytet. Dhe si një mjeshtër komunikimi, (kundërshtarët e akuzojnë si mjeshtër mashtrimi) ai nuk nguron të shfaqet kudo. Diku shtron një rrugicë lagjeje, diku mbjell ca pemë, pastaj pret shiritin e një shkolle për të qenë, një ditë më vonë diku në periferi me fshatarë që e ndjekin tek inspekton punimet e një ure. Është kudo dhe jo rastësisht. Gjithçka falë të ardhurave të shumta që ka mundur të sigurojë. Si? E thjeshtë, duke rritur taksat.

Plani i ndërhyrjes

Erion Veliaj duket se gjithçka e ka patur të qartë që përpara se të merrte drejtimin e bashkisë së kryeqytetit në gusht të 2015. Nuk do të kalojnë vetëm pak muaj dhe ai me administratën e tij do të vendosnin në tryezat e Këshillit Bashkiak propozimin për rritjen më të lartë të taksave që ishte bërë ndonjëherë në Tiranë. Paketa fiskale kërkonte dyfishim për tarifën e pastrimit, 10-fishim i taksës së zënies së hapësirës, taksë e re 2500 lekë për tavolinat, rritje rreth 50 për qind të taksës mbi ndërtesën, taksë e re për truallin prej 20 lekë për metër katror. Duke qenë se në bazë të ligjit për taksat vendore, bashkia nuk ka të drejtë të ulë taksat me më shumë se 30 për qind dhe t’i rrisë me më shumë se 10 për qind, ato që planifikoheshin të ndryshonin në mënyrë drastike ishin tarifat vendore që shkonin deri në 10-fishim. Lista vazhdonte me taksat e tabelës mbi 2 metër katror që shkuan menjëherë 45 mijë lekë, ndërsa për tabelat elektronike kjo taksë u bë 90 000 lekë metër në vit, ndonëse më parë tabela elektronike tatohej njësoj nga sipërfaqja me tabelat e tjera. Furtuna u shtri edhe në bizneset e ish-komunave tashmë të përfshira në Bashkinë Tiranë, një metër katror tabelë do të tatohej me 31.500 lekë/m2/vit dhe tabelat elektronike 63.000 lekë/m2/vit. Në fillim pati një “tatim pulsi” me një vendim pothuaj të fshehtë të Këshillit Bashkiak i votuar më 30 dhjetor 2015. Bizneseve pak pas vitit të ri iu shkuan faturat e kripura. Dyfishohen tarifat e pastrimit, bizneset e mesme dhe të mëdha përballen me fatura nga 30 mijë-300 mijë lekë në vit në një kohë që një vit më parë kishin paguar nga 15 mijë -150 mijë lekë në vit, në varësi të llojit të biznesit. Listës nuk i mungonin as bizneset e shërbimit, sallonet e bukurisë, hotelet, shtëpitë botuese, komplekset sportive, institucionet jopublike të edukimit, profesionet e lira ishin pjesë e vjeljes së taksës. Tarifa e zënies së hapësirës u 10-fishua nga 120 lekë në 1500 lekë për metër katror. Taksa mbi ndërtesën u rrit me rreth 50 për qind. Një familje që kishte paguar 70 lekë për metër katror banesë do të paguante 100 lekë për metër katror taksë mbi ndërtesën. Reagimi qe i menjëhershëm. “Heqja e taksës së biznesit të vogël nuk është asgjë para supertaksave që po na vë Bashkia”, deklaronin sipërmarrësit të cilët “nuk kishin parë asgjë akoma”.

Taksa, taksa taksa

Dy do të ishin “shpikjet” që administrata bashkiake do të kërkonte t’i materializonte në muajt e parë të 2016. E para, do të shfrytëzohej e drejta ligjorë e Këshillit Bashkiak për të vendosur taksa të përkohshme. Kështu veç taksave tradicionale në Bashkinë e Tiranës do të kishte edhe një taksë për Arsimin. Çdo familje kryeqytetase do të paguante 1800 lekë në vit, për shtatë vjet me radhë, për shkollat e reja, bizneset sipas llojit të aktivitetit do të paguanin 4000 deri 3700 mijë lekë në vit. Kjo do të bëhej efektive me “shpikjen e dytë”: agjent tatimor do të ishte Ujësjellës-Kanalizime sh.a. Pra, gjithçka do ta kishim tek uji. Finalja do të luhej më 11 mars 2016. Këshilli Bashkiak kishte në shqyrtim 6 vendime, i fundit ndër ta ishte rishikimi i paketës fiskale miratuar në fund të dhjetorit. Bashkia në relacionin e paraqitur thoshte se për shkak të ankesave të biznesit, ajo kishte marrë në konsideratë uljen e barrës fiskale. Ishte propozuar ndryshimi i niveleve të “Taksës mbi kalimin e të drejtës së pronësisë”, dhe heqja e tarifës së pastrimit “Vendosje tavolina në muaj në hapësirat publike për tavolinë”, me qëllim ekuilibrimin e ngarkesës së shtuar fiskale nëpërmjet aplikimit të tarifës së re për zënien e hapësirës publike. Nivelet e tjera të tarifës së pastrimit mbeteshin të pandryshuara. Kishte edhe një lehtësi tjetër, Bashkia kishte vënë dorën në zemër dhe afatin e pagesës së taksave nga 20 prilli e kishte shtyrë për në 30 maj. Pra, ajo që i paraqitej publikut si ulje taksash në fakt ishte “konsolidimi” i shumëfishimit të tyre. Si përfundim qytetarët do të paguanin:

Taksën mbi tokën bujqësore, bazë e të cilës është sipërfaqja e tokës bujqësore, në hektar, në pronësi të taksapaguesit. Toka është ndarë në 10 kategori me pagesa nga 1800-5600 lekë për ha në vit sipas llojit të tokës bujqësore. Taksa mbi truallin. Baza e taksës mbi truallin është sipërfaqja e truallit, në m2, në pronësi apo përdorim të taksapaguesit. Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël. Niveli i tatimit për subjektet e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin me qarkullim vjetor nga 0 deri në 5 milionë lekë, është 0 (zero) lekë. Shkalla tatimore e aplikueshme mbi fitimin e tatueshëm, për subjektet e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, me qarkullim nga 5 deri në 8 milionë lekë, është 5 për qind mbi fitimin e tatueshëm. Taksa e fjetjes në hotel. Subjekt i taksës janë të gjitha hotelet, motelet, stabilimentet turistikë, pensionet, shtëpitë e pritjes, turizëm familjar dhe çdo objekt tjetër që përdoret për këtë ushtrim veprimtarie. Niveli i taksës aplikohet sipas kategorive: Bashkia Tiranë, Njësia Administrative Tiranë, Kashar, Dajt, Farka me 350 lekë për net fjetje për subjektet e hotelerisë dhe për të gjitha Njësitë Administrative të tjera në Bashkinë e Tiranës aplikohet niveli 140 lekë për çdo fjetje. Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja. Baza e taksës është vlera në lekë e investimit të ri që kërkohet të kryhet për metër katror të investimit të ri ndarë në dy kategori me çmime nga 700 deri në 2000 lekë për metër katror. Taksa mbi kalimin e të drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme, që vendoset për ndërtesat dhe të gjitha pasuritë e paluajtshme në çastin e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi to. Taksa paguhet nga personi, që kalon të drejtën e pronësisë. Taksa e tabelës, aplikohet për të gjitha subjektet të cilat vendosin emërtimin e subjektit në pamjen ballore të njësisë, të ndara në tabela të zakonshme dhe tabela elektronike edhe kjo e ndarë sipas njësive administrative të bashkisë në dy kategori me çmime që variojnë nga 31000 deri në 90000 lekë në vit. Taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore. E paguajnë të gjitha familjet, personat fizikë ose juridikë, vendës ose të huaj, të ndarë në 12 këste mujore nga 150 lekë për familje dhe nga 4000 deri në 37000 lekë për bizneset sipas kategorive. Taksa do të aplikohet për 7 vjet.

Një mal me tarifa

Ligji ka vënë kufizime për këshillat bashkiake për uljen dhe rritjen e taksave. Ata mund të veprojnë deri në 30 për qind kur duan të ulin taksat dhe nuk mund t’i rrisin më shumë se 10 për qind. Por ky kufizim nuk ekziston kur është fjala për tarifat e shërbimeve që kryen administrata lokale. Duke e patur këtë liri, administrata bashkiake e Tiranës i propozonte Këshillit Bashkiak ndryshime të mëdha duke i rritur tarifat në raste të caktuara deri në 10 herë në raport me çfarë kishin qenë më parë. Kështu tabela e çmimeve mori një pamje të re dhe tashmë ndryshimet nisnin që nga tarifa e pastrimit. Tarifa e pastrimit dhe largimit të mbeturinave. Kësaj tarife i nënshtrohen të gjithë familjet, personat fizikë ose juridikë, vendës ose të huaj, që banojnë dhe ushtrojnë veprimtari ekonomike brenda territorit të Bashkisë së Tiranës. Detyrimi për të paguar këtë tarifë është vjetor. Familjarët e paguajnë atë në 12 këste të barabarta. Për Tiranën paguhen 5000 lekë në vit ose 417 lekë në muaj. Për njësitë e tjera vendore taksa varion nga 1000-2000 lekë në vit. Mënyra e pagesës: përfshihet në faturën e konsumit të ujit. Kategoria e dytë paguese e kësaj tarife janë të gjitha llojet e bizneseve të cilat kanë detyrimin ta paguajnë atë brenda datës 20 prill të çdo viti. Taksa është e ndarë sipas llojit të biznesit dhe nis nga 3500 lekë në vit për bizneset e vogla për të shkuar deri në 450 000 lekë në vit për kompanitë e ndërtimit. Në ligj thuhet se të ardhurat e krijuara nga tarifat e pastrimit dhe largimit të mbeturinave, përdoren vetëm për qëllimin për të cilin është vendosur kjo tarifë. Mbi këtë bazë në bashkinë e kryeqytetit u krijua një ndërmarrje publike EcoTirana. Tarifa për zënien e hapësirave publike. Paguhet për metër katrorë nga të gjithë individët apo subjektet private që e shfrytëzojnë hapësirën për qëllime biznesi. Pagesa varion nga 200 deri në 1500 lekë për metër katror në varësi të kategorisë. Territori i bashkisë së madhe është i ndarë në 4 kategori. Të ardhurat kalojnë 100 për qind për Bashkinë e Tiranës. Tarifa për dhënie licence për tregtim karburanti e lënde djegëse. Niveli i tarifës dhe kushtet për dhënien e licencave për tregtimin e naftës bruto dhe nënprodukteve të saj, përcaktohen me VKM. Taksohen të gjitha njësitë e tregtimit të karburanteve. Tarifa e shërbimit veterinare. Tarifa është një detyrim fiks që aplikohet nga shërbimi veterinar për thertoret dhe tregjet e gjësë së gjallë.

Rezultati: Thesi i fryrë i 2016

Sipas buxhetit faktik të vetë Bashkisë së Tiranës për vitin 2016, të ardhurat tatimore dhe jotatimore kanë qenë 7.6 miliardë lekë, apo rreth 55 milionë euro. Nga shuma totale, 4.5 miliardë lekë, ose 60% janë të ardhura tatimore dhe pjesa tjetër jotatimore. Rritja në krahasim me një vit më parë ka qenë fantastike. Por mendo se si do të kishte qenë ajo nëse bashkia do të kishte mundur të mblidhte të gjithë sasinë e parave të planifikuara, pra të kishte mundur të realizonte planin e të ardhurave, që e parashikonte 10.6 miliardë lekë, apo rreth 78 milionë euro. Por në fund të vitit rezultoi se plani i të ardhurave ishte realizuar vetëm me 71%, apo 22 milionë euro më pak se parashikimi. Mosrealizimin e kishte shkaktuar taksa e ndikimit në infrastrukturë, ku bashkia ka arritur të mbledhë vetëm rreth gjysmën e të ardhurave të pritshme (1.2 miliard lekë, nga 2.2 miliardë që priste). Por edhe këtu pamja ndryshon nëse e krahasojmë me një vit më parë. Në relacionin e vetë Bashkisë thuhej se viti 2016 rezulton si viti më i suksesshëm për arkëtimin e taksës se ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja, pasi ishte arkëtuar vlera më e lartë e 15 viteve të fundit. Realizimi i të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja ishte mbi 4 herë më shumë se viti 2012, rreth 87% më shumë se viti 2013 dhe 17% më shumë se viti 2014. Ndërkohë zëri që solli më shumë të ardhura në buxhetin e bashkisë Tiranë është ai i taksës mbi ndërtesat nga subjektet e biznesit. Prej saj ishin arkëtuar 1.4 miliardë lekë. Ndërkohë, po sipas relacionit të Bashkisë, taksa mbi truallin që ka të bëjë me truallin e përdorur për banesë dhe për biznes sollën 36,8 milionë lekë të ardhura me një realizim prej 184%. Ndërkohë dështim ishte shënuar në taksën mbi tokën bujqësore e realizuar vetëm 20%. Mosrealizime të mëdha kishin edhe të ardhurat e parashikuara nga tarifa e zënies së hapësirave publike, me vetëm 50 për qind. Por edhe pse kështu, siç do të konfirmonte vetë administrata bashkiake, arkëtimet nga tarifa e zënies së hapësirës publike ishin 3 herë më të larta se arkëtimet e vitit 2015, 4 herë më të larta se ato të vitit 2014. Taksa e fjetjes u realizua 45 për qind. Taksa e tabelave identifikuese e reklamuese u mblodh vetëm 62 për qind e planit. Por edhe pse kështu, Bashkia theksonte se në vitin 2016 u shënua niveli më i lartë i arkëtimeve nga kjo taksë për 15 vitet e fundit, ose 40 për qind më shumë se një vit më parë. Shkaku i këtyre të ardhurave të bollshme në një kohë që plani i tyre nuk realizohej nuk është i vështirë për t’u gjetur, është vetëm një rritja eksponenciale e tarifave dhe taksave. Thesi u mbush gjithashtu nga rritja e dukshme e arkëtimit të tarifës së pastrimit, si për bizneset edhe për familjarët. Në 2016 u arkëtuan gati dy herë më shumë se arkëtimet e periudhës 2012-2015. Nga taksa e arsimit, e futur për herë të parë në 2016, u mblodhën 3.6 milionë euro, nga taksa e transportit 1.3 milionë euro. Por edhe pse 2016 ishte një stinë e begatë për arkën bashkiake ajo është pak me atë që pritet të mblidhet këtë vit.

“Sihariqi” i 2017

Në fund të vitit të kaluar Bashkia e Tiranës njoftonte si një sihariq: Në vitin 2017 nuk do të kishte asnjë rritje të taksave vendore. Ishte e qartë se një vit më parë, ajo që ishte arritur me një goditje të vetme ia kishte vlejtur. Shifrat do të tregonin në pak muaj se sa e “frytshme” kishte qenë ajo goditje. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave në tremujorin e parë të vitit 2017 të ardhurat nga taksat vendore në të gjithë vendin ishin dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të ardhurat nga tarifat vendore ishin rritur me 15 për qind në terma vjetorë. Sipas të njëjtit burim dyfishimi i të ardhurave nga taksat vendore, vinte i gjithi nga të ardhurat e mbledhura nga Bashkia e Tiranës. Vetëm taksa e ndikimit në infrastrukturë në Bashkinë e Tiranës në vlerë ishte 1.3 miliard lekë ndërkohë që për të gjitha bashkitë e tjera të marra së bashku të ardhurat e saj ishin as më pak e as më shumë se 400 milionë lekë. Po çfarë thonë shifrat për Bashkinë e Tiranës të marrë më vete? Taksat e larta, sollën rritjen me 120 për qind të të ardhurave në tremujorin e parë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave të ardhurat e grumbulluara nga Bashkia e Tiranës arritën rekord historik me rreth 2 miliardë lekë në janar-mars, nga vetëm 908 milionë lekë vitin e kaluar. Bashkia rezultoi të jetë suficitare me mbi 500 milionë lekë pasi shpenzimet për tremujorin e parë ishin 1.4 miliardë lekë. Po sipas të dhënave nga Ministria e Financave, Bashkia e Tiranës grumbulloi në janar-qershor 5.2 miliardë lekë të ardhura, nga 3.2 miliardë lekë që mblodhi vitin e kaluar. Po çfarë pret, çfarë ka planifikuar Bashkia të ketë në arkën e saj në fund të këtij viti. 3.3 milionë euro për të parkuar; 5 milionë euro për zënien e hapësirës publike; 6.3 milionë euro për taksën e arsimit; 16 milionë euro për pastrim; 13 milionë euro taksë për pasurinë, e që në total bëhen rreth 100 milionë euro. Plani është të mblidhen nga të ardhurat tatimore 7 miliardë lekë, nga ato jotatimore 4.8 miliardë lekë dhe të ardhurat nga transferta e pakushtëzuar 1.9 miliardë lekë. Me këto miliona është planifikuar që të zgjerohet dhe sistemohet shtrati i lumit Lanë, pylli orbital (mbjellja e 2 milionë pemëve në brezin e ri të qytetit), terminali i transportit (që synohet të përfundohet brenda vitit 2017), rrjeti minimal i biçikletave (krijimi me shpejtësi i korsive të dedikuara në akset kryesore, Rrugën e Dibrës, Rrugën e Durrësit, Rrugën e Kavajës, Zogu i Parë dhe Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Unazën e parë dhe të tretë të qytetit), 17 shkolla të reja, vazhdim i rehabilitimit të rrugëve.

Marketingu politik: “Eri” po bën shkolla

Nuk dihet se kush i ka thirrur i pari “Lali Eri”. Por cilido qoftë është fakt se atij i ka pëlqyer. E ka kthyer atë nofkë në një element marketingu, duke u përpjekur të duket sa më shumë popullor. Dhe në tregun e tij të marketingut ndërtimin e shkollave e ka një pikë të fortë. Ka fituar admirim me atë që po bën. Po sa në të vërtetë po e bën “Lali Eri” këtë, apo thjesht po shet bukur futjen e një takse të re që i ka sjellë miliona euro në vit, dhe që e ka kanalizuar në një PPP shumë pak transparente. Çfarë është e gjitha kjo? Me taksën e arsimit të futur për herë të parë në 2016, Bashkia Tiranë njoftonte dhënien me koncesion të ndërtimit të 17 shkollave të reja. Sipas të dhënave të Bashkisë deri në fund të vitit 2016 ishin arkëtuar 360 milionë lekë në një llogari të veçantë. Drejtuesit e Bashkisë kanë deklaruar se kjo taksë që do të zbatohet për 7 vjet do të shërbejë për të financuar një skemë për partneritetit publik-privat (PPP) për ndërtimin e 17 shkollave, duke qenë se janë rreth 17,000 nxënës që janë mbi kapacitetin aktual, ose me një mesatare prej 56 nxënës në klasë. Përfaqësuesit e Bashkisë deklaruan në atë kohë skemën e destinimit të kësaj takse, e cila paguhet si nga biznesi, ashtu edhe nga familjarët e Tiranës dhe thanë se është gati studimi i fizibilitetit për ndërtimin e shkollave. Plani ishte që kësti i parë i parave të grumbulluara do të shkojë për shpronësimin e pronarëve të trojeve ku do të ndërtohen këto shkolla. Pastaj me dorëzimin e objektit nga ana e firmës që do të bëjë ndërtimin do të merren çdo vit për 7 vite me radhë këste që do të përcaktohen nga Bashkia. I gjithë ky operacion sipas Bashkisë së Tiranës do të kushtojë 6.2 miliardë lekë. Përveç vendosjes së taksës që nuk u ndje pasi ishte te fatura e ujit, (shumë qytetarë thanë është rritur çmimi i ujit) në atë kohë shpërtheu një debat i madh edhe për faktin se bashkia detyroi bizneset që ta paguanin taksën edhe për NIPT-et sekondare. Vetëm ky operacion do të sillte të paktën 1.2 milion euro në vit. Plani është që për periudhën 2016-2018 nga taksa e arsimit të merren 2 miliardë lekë, apo rreth 15 milionë euro, të ndara pothuajse gjysmën nga familjarët dhe gjysmën nga bizneset. Ndërkohë në publik përcillet mesazhi: Lali Eri po bën shkolla. 

 

TIRANA 

Rritja e taksave vendore                                Basha                          Veliaj

TAKSA                                                              ISHTE                        BEHET

Taksa për ndërtesën tregti shërbime                280 lekë m2                 440 lekë m2

Taksa për ndërtesat e tjera                               70 lekë m2                   100 lekë m2

Taksa mbi truallin                                             0                                  20 lekë m2

Taksa e fjetjes në hotel                                     3 për qind                    350 lekë nata

Taksa e ndikimit në infrastrukturë                   10 euro m2                   50-110 euro m2

Taksa e tabelës                                                120 lekë m2                 45.000 lekë m2

Taksa e tabelës elektronike                              45000 lekë m2             90000 lekë m2

Taksa e arsimit familjar                                    0                                  1800 lekë në vit

Taksa e arsimit biznes                                     0                                  40000-370000 lekë në vit

 

Rritja e tarifave vendore

TARIFA                                                 ISHTE                                    BËHET

Tarifa e pastrimit                                   10000-225000 lekë në vit       20000-450000 lekë në vit

Tarifa e hapësirës publike                     120 lekë m2                             1500 lekë m2

Tarifa e licencimit të karburanteve        20000-30000 lekë                   300000 lekë

Tarifa e shërbimit veterinar                   0                                              200-500 lekë për krerë

Tarifat administrative                           0                                              16 tarifa të reja

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Arresti kardiak, çdo vit vdesin tre mijë persona

Doktor Skënder Brataj, drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore,...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.