Tirana, qytet i studentëve ndërkombëtarë: Prezantohet nisma në UET

Shkëmbimi studentor përmes programit Erasmus po bën që Tirana të kthehet çdo ditë e më shumë në një qytet të preferuar për studentë ndërkombëtarë që zgjedhin të kalojnë disa muaj studimi, por edhe përvojë jete në kryeqytetin shqiptar. Ditën e djeshme në Universitetin Europian të Tiranës është prezantuar nisma “Tirana International Student City”, një nismë që ka qëllim promovimin e qytetit dhe rritjes së numrit të studentëve të huaj. Aktorët e përfshirë në këtë nismë diskutuan sesi mund të punohet më shumë në këtë drejtim për ta bërë qytetin edhe më tërheqës për studentët

Janë më shumë se katër milionë njerëz që në tridhjetë vjet kanë lëvizur nga një vend në tjetrin për të kaluar një pjesë të studimeve ndërkombëtare mundësuar nga programi Erasmus.

Me të shkuarën e izoluar komuniste në Shqipëri dhe me tranzicionin kaotik të pas viteve ’90, ata studentë të huaj që kanë zgjedhur Shqipërinë për të kryer disa muaj studimi në një prej universiteteve shqiptare ka qenë i vogël.

Shtatëdhjetë e dy ishin ata që në vitin 2017 zgjodhën Tiranën dhe universitetet e saj si pjesë e mobilitetit që Erasmus ofron, bën të ditur koordinatorja kombëtare e programit Erasmus në Shqipëri, Aida Berxholi Bret.

Francesco është një student i Shkencave Politike në Universitetin e Bolonjës në Itali dhe prej shkurtit të këtij viti po jeton në Tiranë si pjesë e shkëmbimit studentor Erasmus+ dhe ka zgjedhur Universitetin Europian të Tiranës për të ndjekur studimet.

Arsyeja që e shtyu këtë të ri italian të zgjidhte kryeqytetin shqiptar mes morisë së zgjedhjeve që ky program u ofron studentëve ishte njohuria e pakët që kishte rreth këtij vendi të Ballkanit. “Doja të mësoja më shumë rreth institucioneve dhe kulturës së këtij vendi, për mua të panjohur. Më pëlqen qyteti, njerëzit, jeta e natës dhe byreku”, -tha ai për të pranishmit në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës gjatë prezantimit të nismës “Tirana International Student City”, një nismë e ndërmarrë nga Bashkia Tiranë dhe Forumi i Pavarur i Rektorëve, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë si dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme. Kjo nismë ka si qëllim promovimin e qytetit të Tiranës dhe rritjes së numrit të studentëve të huaj.

Bashkë me Francescon në Universitetin Europian të Tiranës kanë mbërritur edhe një grup studentësh ndërkombëtarë të profileve të ndryshme të studimit, por edhe nga vende të ndryshme si Polonia, Finlanda apo deri nga Vietnami siç është rasti i Bihn që studion Turizëm në Bolonjë dhe pikërisht turizmi e shtyu drejt këtij vendi të panjohur me të cilin u miqësua dhe nisi ta pëlqente ditë pas dite. Pjesa nga jeta e përditshme mes leksioneve në auditorët e UET apo eksplorimi i qytetit nga ana historike, kulturore, por edhe argëtuese u shfaq në formën e një dokumentari ku secili nga studentët ndërkombëtarë rrëfente arsyet pse e kishte zgjedhur Tiranën dhe Universitetin Europian të Tiranës.

Këta studentë që kur të përfundojnë kohën e mobilitetit të studimeve ofruar nga programi Erasmus+ e do të kthehen në vendet e tyre do të shërbejnë si ambasadorë të vendit tonë, është i mendimit nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Arbi Mazniku, i pranishëm në këtë aktivitet të prezantimit të nismës për ta kthyer Tiranën në qytet tërheqës për studentët ndërkombëtarë.

“Kënaqësi që mirëpresim në qytetin tonë një grup studentësh nga programi i Erasmus. Ka qenë aspiratë e jona që Tirana të kthehet në qytet ndërkombëtar studentësh. Çdo shans i mundshëm për ta kthyer Tiranën jo vetëm qytet të studentëve shqiptarë, ku 20 për qind e popullatës në Tiranë janë studentë dhe jeta studentore është element kyç, dhënia e kësaj jete një ndjesi ndërkombëtare është aspiratë e qytetit”, u shpreh Mazniku, duke e parë programin Erasmus edhe si një mundësi për t’i bërë gjërat më mirë nisur nga shkëmbimi i përvojave dhe informacionit që sjellin me vete studentët e huaj.

Ka studentë të Erasmus që kanë ardhur në vijimësi, numri po rritet dhe fakti që kemi edhe universitete jopublike me studentë Erasmus është lajm i mirë për botën universitare në Tiranë”,  përfundoi Mazniku.

Për Presidentin e Universitetit Europian të Tiranës, Adrian Civici, ky projekt synon ta kthejë Tiranën si shumë qytete të tjera universitare me emër në botë.

“Jemi mbledhur për një projekt me një filozofi shumë të veçantë, që Tiranën ta kthejmë në një qytet ndërkombëtar studentësh që në fakt nga përvoja e shumë qyteteve të botës studentore dhe që luajnë këtë rol janë më të hijshëm më të këndshëm dhe mendoj se edhe Tirana jonë do të bëhet e tillë; qytet i rinisë, qytet i studentëve dhe në frymën e Erasmusit të Roterdamit që jetën nuk e pati të gjatë dhe me shumë vuajtje, por idenë, filozofinë dhe moralin që na la trashëgim janë nga gjërat më të bukura. Në atë Mesjetë aq të zymtë ishte ndoshta humanisti i parë që foli për lirinë e mendimit, për shkëmbimet e studentëve, të njerëzve, shkëmbimet e kulturave që janë baza e lirisë së çdo individi, baza e demokracisë, baza e zhvillimit”, – u shpreh Civici duke theksuar rëndësinë e programit Erasmus për studentët dhe universitetet. “ Dhe në fakt duke qenë një mjedis universitar dhe ne e dimë sa i rëndësishëm është programi Erasmus, jo thjesht si numër bursash, jo thjesht si studentë që lëvizin nga njëri vend në tjetrin, por mbi të gjitha në këtë botë gjithnjë e më globale shkëmbimi i kulturave, vendosja e kontakteve, shkëmbimi i njohurive dhe sa më tepër siç thoshte Roterdami, sa më i ditur të jetë një i ri aq më i lirë, aq më i zoti dhe aq më shumë kontribuon në shoqërinë ku ndodhet. Në këtë kontekst mendoj jo vetëm si Universiteti Europian i Tiranës, por të gjitha universitetet partnere, ai i Nju Jorkut në Tiranë, Beder, Epoka, Luarasi dhe të tjerë, të gjithë së bashku të mund të krijojmë kushtet e përshtatshme, sa më cilësore që të kemi sa më shumë studentë që vijnë në Tiranë, sa më shumë studentë që nga Tirana shkojnë në qytete apo kryeqytete të tjera të botës ku janë universitetet që në këtë mënyrë të krijojmë këtë komunitet të së ardhmes, komunitetin modern, që di të njohë kultura, që është tolerant, që di të bëhet jo vetëm profesionist i mirë por një qytetar i mirë, për të cilin ka nevojë demokracia e çdo vendi”, përfundoi Presidenti i UET.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe zëvendësministri i Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Shpat Kolgega, i cili ndër të tjera kujtoi me nostalgji edhe periudhën e studimeve të tij në Universitetin Europian të Tiranës.

“Ka rivalitet sot mes qyteteve më të dëgjuara në botë për të marrë sa më shumë studentë ndërkombëtarë. Është çështje kulture, ekonomie e zhvillimi të arsimit po ashtu. Fakti që kemi studentë të huaj që studiojnë në Tiranë në të gjitha universitetet tona tregon që edhe cilësia e arsimit në Shqipëri ka arritur në atë fazë sa t’i lejojë vetes të ketë jo vetëm studentë shqiptarë por edhe të huaj, që kur shkojnë në vendet e tyre kanë studiuar jashtë shtetit, siç i mendonim ne dikur shokët tanë që kishin studiuar jashtë shtetit. Këta do të jenë studentë që kanë studiuar në Tiranë”, –u shpreh Kolgega, duke shtuar se Ministria e Arsimit do të japë gjithë mbështetjen e saj në vazhdimësi të kësaj nisme.

Koordinatorja Kombëtare e Programit Erasmus+ për Shqipërinë, Aida Berxholi Bret, pasi solli një tablo historike të rëndësisë së këtij programi në botë në 30 vjet, foli rreth impaktit të thellë që lë në jetët e individëve kjo përvojë. “Është kënaqësi që po shihen frytet që programi nxit dhe mbështet prej 30 vitesh. Na duhet një propozim i ideve konkrete sesi së bashku ta kthejmë Tiranën në qytet tërheqës për studentë ndërkombëtarë”, -tha koordinatorja e këtij programi duke shtuar se aftësitë ekstrakurrikulare që fitohen nga këto shkëmbime janë po aq të rëndësishme sa edhe kualifikimet akademike. Ajo foli edhe për disbalancën mes shifrave të studentëve të huaj që zgjedhin Tiranën si destinacion dhe atyre shqiptarë që zgjedhin një prej universiteteve të Europës, ku të huajt për 2017-n kanë qenë vetëm 72 ndërsa shqiptarët që kanë përfituar nga Erasmus vitin e kaluar kanë qenë 306. Berxholi theksoi rëndësinë e kurseve në gjuhën angleze apo një gjuhe tjetër europiane që universitetet shqiptare duhet të ofrojnë për të tërhequr studentë ndërkombëtarë.

“Studentët europianë kanë zgjedhje të pafundme dhe Tirana konkurron me destinacione shumë më tërheqëse, Madridi, Parisi etj., ndaj universitetet tona duhet të konkurrojnë në këtë kuptim” – tha ajo, duke shtuar se mund të bëhen akoma shumë gjëra për ta kthyer Tiranën në destinacion të pëlqyer të studentëve ndërkombëtarë.

Francescoja, studenti italian që po e kalon përvojën e tij të shkëmbimit studentor në Tiranë thotë se duhen kapërcyer paragjykimet se Shqipëria është një vend i pasigurt dhe duhen lehtësuar procedurat burokratike dhe universitetet shqiptare duhet të promovojnë fort Tiranën si destinacion në universitetet europiane e kështu me njohurinë do të shtohet edhe numri i atyre që do zgjedhin të kalojnë një pjesë të studimeve në Tiranën plot ngjyra, siç e quajnë ata që tashmë kanë mbërritur këtu.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

PS propozon tryezë Rama-Basha, opozita e refuzon

Reforma zgjedhore bën bashkë PS, PD dhe LSI, që pritet të nisin...
Read More