Tiranë: Vrau vëllanë pas sherrit për mbjelljen e kanabisit



afrim kallariNgjarja ndodhi mesditën e djeshme në fshatin Valias të Tiranës, ku Afrim Kallari, 43 vjeç, qëlloi katër herë me armë gjahu vëllanë e tij, Ermir Kallari, duke e lënë të vdekur në vend. Policia arreston autorin, pak minuta pas krimit. Konfliktet e pronësisë çuan në krimin brenda familjes, sqaroi policia. Por mediat shkruajnë se konflikti ka lindur për shkak të mbjelljes së kanabisit

Konflikti për pronën kthehet në krim të rëndë brenda familjes, teksa 43-vjeçari vret vëllanë dhe plagos nënën e tij.

Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme në fshatin Valias të Tiranës, ku pas një konflikti, Afrim Kallari qëlloi me armë gjahu vëllanë e tij Ermir Kallari, 35 vjeç, duke e lënë të vdekur në vend.

Gjithashtu, edhe nëna e tij mori plagë në këmbë në momentin që tentoi të shuante sherrin mes fëmijëve të saj.

Pak minuta pasi kreu krimin, autori që rezulton të jetë efektiv i repartit zjarrfikës në Kombinat të Tiranës, është arrestuar nga policia.

“Nga ana e punonjësve të policisë është bërë arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar për këtë ngjarje kriminale, shtetasi Afrim Kallari, 43 vjeç. Arrestimi i tij u bë pasi dyshohet se ka vrarë vëllanë e tij me armë gjahu (çifte). Gjithashtu, nga ky konflikt është plagosur në këmbë edhe nëna e tyre, B. Kallari. Nga hetimet paraprake, dyshohet se shkak i këtij konflikti është një çështje pronësie” -thuhet në njoftimin e policisë së kryeqytetit në lidhje me këtë krim.

Në momentet e para të marrjes në pyetje, 43-vjeçari pranoi vrasjen, ndërsa si motiv ka dhënë atë të konflikteve të pronësisë.

Ekspertët që shkuan në vendin e ngjarjes gjetën katër gëzhoja të një arme gjahu çifte.

Sipas burimeve nga policia, dyshohet se pas konfliktit verbal me vëllanë, Afrim Kallari është futur në banesë dhe prej andej ka dalë më armë në duar.

Në gjaknxehtësi e sipër, qëlloi katër herë dhe plagët ishin fatale për 35-vjeçarin Ermir Kallari, i cili humbi jetën në oborrin e shtëpisë, në sy të prindërve të tij.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur efektivë të policisë dhe specialistë të mjekësisë ligjore.

Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi edhe armën e krimit, e cila bashkë me prova të tjera u dërgua në laboratorin kriminalistik për kryerjen e ekzaminimeve të nevojshme.

Për të sqaruar më shumë rrethanat e ngjarjes, në komisariat është shoqëruar babai i vëllezërve që u përfshinë në ngjarjen tragjike dhe vjehrri i autorit të krimit.

Mësohet se e nëna e vëllezërve Kallari është jashtë rrezikut për jetën, por shfaqi shenjat e tronditjes së thellë nga humbja e djalit të saj dhe gjendet në situatë të rëndë psikologjike.

Ngjarja befasoi dhe shokoi edhe të afërm të familjes Kallari, që u shprehën se e dinin se kishin pasur konflikte të vogla pronësie, por nuk mund t’u shkonte mendja që çështja do të shkonte deri në përdorimin e armës, ku vëllai nuk hezitoi t’i merrte jetën vëllait të tij.

Panorama raporton se policia ka zbuluar edhe 70 kubikë kanabisi në magazinë pranë banesës.

Sipas burimeve jozyrtare, vëllezërit janë zënë për shkak të mbjelljes së kanabisit.

Dyshohet se viktima, Elmir Kallari, ka dashur të kultivojë bimë narkotike në pronën e përbashkët të familjes.

Ai ka hasur në rezistencën e vëllait të madh, çka ka sjellë edhe përplasjen fizike, që u mbyll me vrasje.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Unë, kryeministri i Stabilitetit

Rrëfim (jo vetëm) për veten Duke vajtur në takimin e thirrur nga...
Read More