Tiranës i shtohet një tjetër park, Veliaj apelon për ujin

Banorët dhe fëmijët e Njësisë Nr. 5 në Rr. “Sulejman Delvina” kanë një shesh të ri rekreativ dhe kënd lojërash për të kaluar kohën e lirë. Jetëzimi i sheshit u mundësua nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Kompaninë TRING dhe përfshin module të ndryshme lojërash, ndriçim dhe gjelbërim të zonës.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, përuroi këndin e 18 të lojërave në kryeqytet, ku theksoi se bashkia është e fokusuar te punët konkrete për të transformuar kryeqytetin.

“Sapo hapëm këndin e 18-të të lodrave në Tiranë. Një vit më parë, kur bëhej gjithë ajo histeri dhe ai sherr për këndin e lojërave te Liqeni, premtuam se do të bënim 11 në secilën prej njësive urbane të Tiranës, por sot kemi kapur numrin 18. Jam shumë i lumtur sepse kur fokusohemi te puna, kur merremi me gjëra konkrete, kur nuk merremi me llafe, stërkëmbësha e ulërima, mund të bëjmë punë të mrekullueshme në Shqipëri dhe në Tiranën tonë”, theksoi Veliaj. 

Ai kërkoi prej të gjithë qytetarëve që të kujdesen për veprat publike të cilat janë në të mirë të komunitetit.

“Më vjen mirë që të gjithë superheronjtë e vegjël do kujdesen që këndi të jetë i pastër, që të rriturit nuk e prishin dhe që sa më shumë fëmijë ta shijojnë gjatë verës, duke qenë se një pjesë e madhe e shkollave dhe kopshteve e kanë pushim, edhe pse kopshtet e çerdhet publike do të vazhdojnë të punojnë gjatë gjithë verës”, deklaroi Veliaj.

Ai garantoi se Bashkia e Tiranës do të vijojë këtë vit me ndërtimin e 11 këndeve të reja në zona të ndryshme të kryeqytetit, duke krijuar më shumë hapësira për të vegjlit.

Veliaj u ndal dhe te çështja e furnizimit me ujë të pijshëm të kryeqytetit në këto ditë të nxehta dhe të një thatësire të zgjatur që ka prekur shumë vende të Europës. Kryebashkiaku u kërkoi qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm në përdorimin e ujit të pijshëm në këtë situatë jo të lehtë.

“Kemi kaluar një situatë jo të lehtë në Tiranë sa i përket çështjes së ujit të pijshëm. Dua të ftoj të gjithë qytetarët për pak solidaritet. Kjo do të thotë se fati i dikujt tek Astiri që s’ka ujë është i lidhur me fatin e dikujt në Kinostudio që po vadit bahçen; fati i dikujt në Tiranën e Re që s’ka ujë është i lidhur me fatin e dikujt në Shkozë i cili po lan lokalin. Do të thotë që në këtë qytet, vërtet jemi 1 milionë banorë, por fatet i kemi të lidhura bashkë, ndaj është shumë e rëndësishme që të tregojmë solidaritet”, tha ai.

Kreu i Bashkisë tha se qytetarët duhet të shmangin shfrytëzimin e ujit të pijshëm për ujitje apo për larjen e automjeteve, si një mundësi për të shfrytëzuar maksimalisht rezervat hidrike.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që le të presë makina, le të presë bahçja ose të përdorim ujë pusi, por le të mos lëmë pa ujë njerëz në zona si ajo e Astirit. Vërtet nuk është gjithë Tirana, është 10-15% e kryeqytetit në këtë situatë, por është mjaftueshëm e dëmshme për të kuptuar që dikush tjetër që po abuzon për të freskuar rrugën e vet për të vaditur bahçen e për të larë makinën, realisht po lë një familje tjetër në Tiranë pa ujë”, u shpreh Veliaj.

Ai shtoi se Bashkia e Tiranës është e vendosur të marrë të gjitha masat e nevojshme për të disiplinuar përdorimin e ujit të pijshëm dhe për prerjen e lidhjeve të paligjshme.

“Bashkia do të vijojë me gjobat dhe me ndërprerjet e lidhjeve të paligjshme, ku shumë prej tubacioneve tona janë kthyer si kulluese makaronash. Bashkia e Tiranës nga sheshi “Skënderbej” tek Lana përdor puse për vaditje, pra për të mos hyrë në rrjetin e ujit të çezmës dhe të ujit të pijshëm”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.

Në sheshin rekreativ dhe këndin e lojërave të ndërtuar në zonën e njohur si stadiumi “Selman Stërmasi”, të gjitha materialet e përdorura janë të certifikuara sipas standardeve të BE-së duke rritur në këtë mënyrë sigurinë e fëmijëve që luajnë.

Gjithashtu, përveç rikualifikimit estetik të zonës së banuar nëpërmjet planifikimit dhe shtimin të gjelbërimit, një tjetër element i rëndësishëm është ndërtimi i infrastrukturës për rekreacion pasiv për të rritur (stola, hije).

Shkruar Nga
More from Redaksia

Veliaj: Jo diferenca në investime mes qendrës dhe periferisë

Kreu i bashkisë inspektoi punimet për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare në fshatin...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.