Tish Daija: Zbulohet partitura e ’43, himni i batalionit garibaldin

tish daijiaMuzikologu Vaso Tole, në homazh të kompozitorit ka sjellë si kujtesë një moment historik për Tish Dainë në ditën e tij të lindjes me një nga krijimet emblematike të vitit 1943, me poezi të italianit Mario Daçi, për të cilin ishte dijenia por nuk zotëronim partiturën. Tole thotë se bëhet fjalë për himnin e batalionit garibaldin antifashist “Antonio Gramshi”. Ndërsa dita e lindjes së Tish Daisë është kujtuar dje me modesti, edhe pse është nderuar me “Nderi i Kombit” nga presidenti Bujar Nishani, në këtë 90-vjetor të lindjes

Muzikologu Vaso Tole, në homazh të Tish Daisë ka sjellë si kujtesë një moment historik për kompozitorin në ditën e tij të lindjes me një nga krijimet emblematike të vitit 1943, me poezi të italianit Mario Daçi, për të cilin ishte dijenia, por nuk zotëronim partiturën. Bëhet fjalë për himnin e batalionit garibaldin antifashist “Antonio Gramshi”. Batalioni që mbante emrin e filozofit dhe politikanit majtist italian Antonio Gramshi (1891-1937), me origjinë arbëreshe nga i ati Franҫesko, u krijua më 9 nëntor të vitit 1943, i përbërë kryesisht nga ushtarë italianë të cilët pas kapitullimit të Italisë fashiste iu bashkuan rezistencës shqiptare kundër nazistëve gjermanë. Në themelim morën pjesë 137 pjesëtarë. U pagëzua në betejën e parë më datë 15 nëntor 1943 dhe më pas u përfshi në Brigadën I sulmuese, ku morën pjesë edhe në betejën për çlirimin e Tiranës. Pas çlirimit të vendit pjesa më e madhe e tyre u rikthye në Itali me ceremoni zyrtare. Tole e konsideron këtë himn, ashtu si vetë batalioni antifashist si një rast unikal, për mënyrën se si rrethanat janë ndërthurur, për të bërë bashkë Tish Dainë, Mario Daçin, kujtimin dhe veprën e Garibaldit, rrënjët shqiptare të Antonio Gramshit si dhe partizanët italianë që luftuan në Shqipëri kundër nazistëve. Nga ana tjetër, pas kësaj historie dita e lindjes së Tish Daisë është kujtuar dje me modesti, edhe pse është nderuar me “Nderi i Kombit” nga presidenti Bujar Nishani, në këtë 90-vjetor të lindjes. Klasik e njëkohësisht lirik, e gjen rrallë një krijues të mbajë e mbledhë përvoja kompozicioni në kryqe të kohërave. I lindur në Shkodër më 30 janar të vitit 1926 në Shkodër, Daija ende pa mbushur moshën shkollore, bëhet pjesëtar i “Korit Françeskan”, ku nën drejtimin e Padër Martin Gjokës dhe Filip Mazrekut merr mësimet e para muzikore. Në moshën 10-vjeçare bëhet instrumentist i bandës muzikore “Antoniane” që drejtohej nga Prenk Jakova. Muzika e tij është konsideruar shumëdimensionale dhe spikat fryma e tij patriotike, dashuria për Shqipërinë dhe vendin e tij të lindjes, Shkodrën. Këngët, të cilat kanë mbetur në arkivën e paçmuar të muzikës shqiptare, si: “Çikë o mori çikë”, “Sylarysha”, “Ndal, bre vash”, “ Kënga e krushqëve”, “Me lule t’bukra” u krijuan nga mjeshtri i muzikës, i cili la një trashëgimi të jashtëzakonshme. Në vitin 1946 pasi mbaroi shkollën e mesme në Shkodër u emërua mësues muzike në Vlorë. Studimet e larta për kompozicion i kreu në Konservatorin e famshëm “P.I. Çajkovski” të Moskës. Në 1956 diplomohet në katedrën muzikore të kryesuar nga Dimitri Shostakoviç, duke sjell në atdhe përveç diplomës edhe një numër veprash të arrira, si: “Uverturë festive”; Suitën “Një ditë pikniku”; “Kuartet harqesh” etj. Nuk mund të flasësh për baletin shqiptar pa Tish Dainë, si kompozitori i baletit të parë shqiptar “Halili dhe Hajrija” (1963), por edhe të baletit “Bijtë e Peshkatarit” (1972). Njëherazi, ai kompozoi disa nga operat e njohura të repertorit shqiptar, ndër të cilat përfshihen opereta “Lejlaja” (1957), opera “Pranvera” (1960), opera “Vjosa”(1980). Gjithashtu, Tish Daija ka dhënë një kontribut themelor në krijimin dhe zhvillimin e muzikës instrumentalo-simfonike, muzikës së dhomës dhe për krijimin e një tradite të çmuar shqiptare të muzikës klasike. Së bashku me Çesk Zadenë e Tonin Harapin krijuan klasën e kompozicionit në Konservatorin Shtetëror të Tiranës, ku ka dhënë kontributin e tij si pedagog në formimin e disa brezave kompozitorësh, muzikologësh e instrumentistësh. Me propozim të Akademisë së Shkencave, akademiku dhe kompozitori i shquar Tish Daija u vlerësua me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” në 90-vjetorin e lindjes nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani. “Kompozitor i baletit të parë shqiptar, autor i qindra krijimeve muzikore me njohje kombëtare dhe ndërkombëtare, pedagog e akademik, drejtues historik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Me krijimtarinë e tij ndër vite popullarizoi vlerat e artit muzikor dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi”, thuhet në motivacionin e këtij vlerësimi. Mjeshtri ndërroi jetë në 3 tetor të vitit 2003, në moshën 77- vjeçare.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Papadhimitri, të plotë filmin për rënien e bustit të diktatorit

Për herë të parë kemi të plotë xhirimin e ngjarjeve që shënuan...
Read More