Tmerr i ripërjetuar: Zhvarrosja e eshtrave të një masakre boshnjake

Kur eshtrat dhe kafkat e 137 viktimave boshnjake të luftës u zhvarrosën në Shkëmbinjtë Koricani pranë Travnikut, tmerri i kësaj ngjarjeje la një shenjë të rëndë tek ata që morën pjesë në këtë proces.

Një përzierje jeshileje të errët, të verdhe dhe kafeje shtrihet në horizont ndërsa vjeshta shndërron gjethet në shumë pemë lisi të shpërndara në detin e pishave. Shkëmbinj gri ngrihet midis pemëve ndërsa rrezet e diellit bien mbi kodrat përreth humnerës që ndodhet poshtë shkëmbit vertikal.

Por kjo pamje madhështore nuk sjell gëzim. Me siguri s’do të sjellë më kurrë. Ajo është nxirë nga një tragjedi që s’ishte aspak e zakonshme dhe për kohën kur Bosnjën dhe Hercegovinën e kishte pushtuar lufta.

Pemët ishin ende jeshile kur 18-vjeçari Ifet Vojnikoviç qëndronte në këtë vend në muajt e verës së vitit 1992. Ato do të ishin gjëja e fundit që ai shikonte para se plumbat t’ia bënin shesh kurrizin.

Shkëmbinjtë Koriçani, të cilën ngrihen mbi kanionin Ilomska në verilindje të Travnikut, ishin vendi i masakrës së rreth 200 burrave boshnjakë dhe kroatë të Bosnjës, të cilët më parë ishin mbajtur në kampet e paraburgimit në zonën e Prijedorit.

Muajin e kaluar, Instituti i Bosnjës për Personat e Zhdukur njoftoi se kishte gjetur eshtrat e 137 viktimave, përfshirë 86 kafka, në një varr masiv të zbuluar kohët e fundit në këtë zonë. Eshtrat u dërguan në Qendrën e Identifikimit në Sejkovaca dhe tani po pritet të kryhen analizat e ADN-së.

“Asgjë s’më ka shkatërruar kaq shumë emocionalisht prej kohësh tashmë,” tha për BIRN Mujo Begiq, kreu i zyrës rajonale të Institutit i cili mbikëqyri zhvarrimin e varrit masiv.

Gjatë viteve, Begiq ka kaluar shumë kohë rreth eshtrave të viktimave të luftës dhe ka qenë në vende ku janë zhvarrosur shumë varre masive. Megjithatë, ky ishte i veçantë.

“Deri më tani, në punën time s’kam parë kurrë një varr të tillë. Një që është kaq ndryshe, ku eshtrat janë të përziera,” tha ai, duke përsëritur disa herë se përvoja e bëri atë të ndihej “bosh”.

Më 21 gusht 1992, viktimat u morën nga një kolonë autobusësh që shkonin drejt Malit Vlasiç.

Ata u urdhëruan të rreshtonin në skaj të shkëmbit dhe të uleshin në gjunjë me fytyrë nga humnera, ndërsa oficerët e policisë serbe të Bosnjës u drejtuan atyre armët automatike në kurriz.

Pasi u qëlluan dhe trupat e tyre u hodhën poshtë shkëmbit, autorët u hodhën gjithashtu lëndë eksplozive për t’i marrë masat akoma më mirë. më pas ata hodhën shkëmbinj për të mbuluar trupat.

Në javët pas masakrës, autorët u kthyen në këtë vend dhe organizuan një operacion “spastrimi”, duke i tërhequr trupat zvarrë në një luginë aty pranë në shtratin me gurë dhe duk i mbuluar ata prapë me gurë.

Kjo është arsyeja pse vendi i saktë i varrimit nuk mund të gjendej për dy dekada me radhë.

Disa nga viktimat u hodhën nga shkëmbi pasi filluan të shtënat. Vetëm 12 prej tyre mbijetuan.

Disa shkuan të dëshmonin para Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe gjykatën shtetërore boshnjake, gjë që rezultoi në dënimin e 11 autorëve me një total prej 200 vitesh burg për masakrën.

Por shumica e viktimave kanë mbetur atje poshtë, nën një shtresë gurësh gri për 25 vjet me radhë.

Begiq shpjegoi se trupat ishin në gjendje të përparuar dekompozimi kur u morën nga vendi ku ranë pasi u qëlluan dhe u çuan në varrin masiv aty pranë.

Ai tregoi atë që u tha nga një nga personat e përfshirë në zhvarrimin e tmerrshëm.

“Ai tha, ‘Tërhiqje një krahë dhe ai këputej. Kafshët kishin shpërndarë tashmë një krahë këtu, një këmbë atje…’

“Ata thanë se era ishte aq e tmerrshme, saqë s’e përballonin dot edhe duke mbajtur maska. Disa prej tyre thjesht s’e duronin dot, kështu që u larguan me vrap nga vendi. Ata s’e duronin dot pamjen e aq shumë njerëzve të vrarë në një vend,” tha Begiq.

Vendi u zbulua pasi Begiqi dhe kolegët e tij folën me një nga autorët e dënuar të krimeve gjatë kohës që ishte në burg, dhe pastaj në korrik, një person tjetër i cili u përfshi në mbulimin e eshtrave i ndihmoi ata në identifikimin e vendit të saktë.

Ekipi i zhvarrimit i zbuloi eshtrat e para rreth një metër e gjysmë thellë nën shkëmbinj.

Begiq kujtoi se ai atmosfera ishte e ftohtë, klaustrofobike dhe e tensionuar gjatë zhvarrosjeve.

“Ekzistonte gjithmonë rreziku të na binte ndonjë ortek me shkëmbinj sipër, kështu që duhej të tregoheshim shumë të kujdesshëm,” tha ai.

Ai dhe ekipi i tij gjetën gjithashtu shumë sende personale dhe ai kujton një rast të veçantë kur ai dhe një koleg po hapnin xhepat e pantallonave të një viktime.

“Pamë që brenda kishte diçka, kështu që e hapëm dhe gjetëm një kartë banke, një prerëse thonjsh, një protezë dentare dhe disa gjëra të tjera,” tha ai.

“Ndërsa unë dhe kolegu im po pastronim baltën për të lexuar emrin në kartë, ai papritur më pa dhe tha: ‘Ky është profesori im i fizikës.’ Ishte Uzeir Crniq, i cili ishte zbritur nga autobusi nga një nga ish-nxënësit e tij.”

Në moshën 55 vjeçare, profesor Crniq ishte gjithashtu viktima më e moshuar eshtrat dhe dokumentet e të cilit u gjetën aty.

Por Begiq beson se arsyeja më e madhe pse ai ndihej aq “bosh” është për shkak të marrëdhënies që ai kishte krijuar me personat që kërkonin njerëzit e tyre të dashur.

“Gjatë vitesh lidhesh në një nivel emocional me këta njerëz dhe kjo është ajo që më ndodhi mua. Për shembull, shoku yt kërkon të vëllanë. Kemi një burrë i cili po kërkon ende dy djemtë e tij dhe ai vetë është në shtratin e vdekjes,” shpjegoi Begiq.

“Sa herë që sheh këta njerëz, e njëjta pyetje endet në ajër. Ata madje s’kanë nevojë të thonë asgjë; ‘I gjetët? Kur do t’i gjeni?” tha ai.

Familjet e viktimave e vizituan vendin dy herë gjatë zhvarrimeve, edhe pse disa nuk kishin asnjë të afërm ende gjallë.

“Ky është kryesisht një varr familjar, ku kemi raste që janë gjetur katër vëllezër ose një baba dhe dy djem,” tha Begiq.

“Kemi një nënë, Zumra, e cila është 81 vjeç dhe kërkon djalin e saj. Ajo s’ka asnjë njeri tjetër. Nuk do të mbetet asnjë njeri i përshtatshëm për t’i varrosur këta njerëz, sepse të gjithë të afërmit e tyre ndërkohë kanë vdekur gjithashtu,” shtoi ai.

Kërkimi për ata që vdiqën në Shkëmbinjtë Koricani frymëzoi gjithashtu dramën “Halima’s Path”, i cili u zgjodh si Filmi më i Mirë në Gjuhë të Huaj në “Academy Awards”.

Filmi u frymëzua nga historia e Zahida dhe Muharem Faziq, djali i birësuar i të cilëve, Emiri, u vra në masakër. Pasi u zbuluan eshtrat e viktimës, ata kaluan 12 vjet duke kërkuar nënën e tij biologjike për të marrë ADN-në e saj, në përpjekje për të parë nëse ata mund të identifikonin që eshtrat e gjetura ishin të tijat.

Begiq tha se ai njeh disa nga 12 personat që i mbijetuan masakrës dhe të gjithë tani jetojnë jashtë Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Njerëzit vështirë se do të vendosin të rikthehen pas asaj që kanë kaluar. Njëri prej tyre humbi të dyja këmbët. Ai u gjet dhe u çua në spitalin në Banja Luka në Republikën Srpska, ku u poshtërua dhe ngacmua edhe më tej. Ai s’do të kthehet më kurrë këtu,” shpjegoi ai.

Begiq risolli në kujtesë disa nga historitë e të mbijetuarve, duke thënë se ata vetë duan të mbeten anonimë.

Njëri prej tyre ishte plagosur kur u hodh nga shkëmbi pasi filluan të shtënat. Pas ditë të tëra zvarritje, ai më në fund arriti të shkonte deri te lumi për të pirë pak ujë, por erdhi një rrymë dhe e mori atë me vete në lum për rreth dy kilometra.

Ai përfundoi duke ngecur në një mulli uji. Njerëzit që punonin në mulli e gjetën atë dhe e dorëzuan në polici, e cila më pas e çoi në spital.

Puna e radhës e Begiqit është t’i vendosë emra me qindta eshtrave që u zhvarrosën.

“Kemi filluar tashmë procesin e ADN-së dhe shpresojmë t’i identifikojmë së shpejti të gjithë,” tha ai.

Pasi viktimat të identifikohem, ata mund të varrosen përsëri, por këtë herë me dinjitet.

“Këta janë njerëz. Ata s’janë numra apo statistika,” tha Begiq.

“Është detyra jonë të tregojmë historitë e tyre, në mënyrë që kjo ligësi të mos ndodhë më kurrë këtu.”

Shkruar Nga
More from Revista User

Nelly Furtado sfidon Dua Lipën

Këngëtarja e njohur Nelly Furtado, e cila po i mungon skenës muzikore,...
Read More