Tmerri i kampit të Vloçishtit, ku të burgosurit varroseshin të gjallë!

“O udhëtar, që kalon nëpër këtë fushë të begatë, shkel me kujdes, poshtë këmbëve të tua janë eshtrat e atyre që thanë kënetën!”

Janë disa vargje rrëqethëse të një njeriu të mbijetuar nga kampi i kënetës së Maliqit. Telemak Dilo, ishte një prej të burgosurve politik që një pjesë të dënimit e ka kryer në Vloçisht, në vitin 1948, atje ku mbetën të vdekur me qindra të burgosur politik.

Nuk ishin vetëm kushtet çnjerëzore dhe uria që i shkaktuan këto viktima. Shumë prej tyre u vranë me armë e përmes torturave nga xhelatët e regjimit diktatorial. Janë dy personazhe që na sjellin skenat e krimit në kampin e Vloçishtit, Telemak Dilo dhe Skënder Stefanllari.

Mapo ka zgjedhur pjesë nga rrëfimet e dy të mbijetuarve për të përshkruar ferrin komunist në kënetën e Maliqit, në Vloçisht. I mbijetuari i atij kampi, Skënder Stefanllari, jep detaje rrënqethëse të një ditë në kampin e Vloçishtit. Ndërsa rrëfimi i Telemak Dilos, vjen përmes botimit të ditarit të tij nga e bija, Greta Dilo. Dy rrëfimet i përcjellim sot për lexuesit e gazetës Mapo, si homazh për viktimat e diktaturës komuniste, në Ditët e Kujtesës.

Dita e një të burgosuri në kampin e Vloçishtit

“Në mëngjes zgjoheshim nga ora 6:00. Kur niseshim për në punë, në të dalë të kampit, na numëronin. Ishim rreth 1500 veta. Puna ishte mjaft e zorshme sepse punohej në kënetë dhe të rrethuar prej shushunjave. Nëse nuk realizohej norma brenda orarit, të burgosurit i mbanin atje deri sa ta realizonin.

Kishim shumë uri. Na jepnin 600 gramë bukë apo edhe më pak, kundrejt gjithë asaj pune të rëndë. Uji ishte shumë i keq dhe kushtet e strehimit ishin të tilla: 4 kapanone gjithsej, me nga 200 vetë për kapanon. Më kujtohet një Koci Misrasi, tregtar nga Korça, të cilin, një mëngjes, kur dolëm në punë, e gjetëm të varur në kapanon. E nxorën përjashta kampit dhe e lanë aty. Ai e kishte gojën me dhëmbë floriri. Rojet, marrin një të burgosur dhe i kërkojnë të shkojë në ofiçinë të marrë një darë. Ai shkoi në ofiçinë (në kamp, ishte një oficinë për veglat) dhe mori darën e hekurit dhe e solli dhe ata ia shkulën dhëmbët. Pra, dyshohej se e vranë për t’i shkulur dhëmbët.

Më kujtohet një prift, At Josif Papamihali nga Elbasani, të cilin unë e kisha njohur që më parë kur ishte prift në Korçë. Po ktheheshim një ditë nga puna në kamp dhe ai u ul të shkulte panxharin dhe ta hante me gjithë baltë siç ishte. Por, panxhari nuk shkulej, dhe rojet e goditnin priftin. E goditën aq shumë, saqë ai mbeti atje dhe tufa e bagëtive i kalonte sipër.  Kështu u varros për së gjalli. Disa vite më vonë, fshatarët thanë  se kur bëheshin punimet, pra, pasi filloi të thahej këneta, buldozeri kishte hasur në kufoma. Por jo vetëm ky; kishte edhe të tjerë, të cilët i kishin varrosur të gjallë. Me të drejtë njerëzia çuditej se si dolëm gjallë nga Vloçishti, ne që mundëm.

Por në kamp, pra, në Vloçisht, më 1948, kishim një brigatë me doktorë. Përgjegjësi i doktorëve ishte Dhimitër Lito nga Gjirokastra, shefi i ambulancës, dhe doktor Isuf Hysenbegasi që ishte shpëtimtari i shumë, shumë të burgosurve. Ishte edhe një farmacist; shumë djalë i mirë edhe ky që s’më kujtohet emri. Në këtë grup bënte pjesë edhe kirurgu Spiro Treska”, rrëfen Skënder Stefanllari, për librin “Zërat e Kujtesës”.

“Na sillni bukë, bukë, bukë”

“Kishte të burgosur, që dobësia e madhe dhe uria e papërballueshme, shkonin në çanakun e derrit dhe hanin ushqimin e derrit. Deri këtu kishte arritur i burgosuri i shkretë pa faj, nga uria dhe puna e madhe e vështirë. Uria para vdekjes të detyronte të haje ushqimin e derrit. Një episod i ndodhur në punë, ç’episod, ishte krim i shëmtuar. Në punë e sipër, një i burgosur nga ata tregtarët e Korçës i kishin sjellë qëllimisht në Vloçisht për ti torturuar, që të dorëzonin floririn. U largua nga ne nja dhjetë metra për të bërë nevojat personale, e këshilluam të mos largohej se të qëllon roja. Bëje këtu, por nuk dëgjoi fatkeqi, rojet e qëlluan me armë, por nuk u vra, u kthye menjëherë. Në çast mbërritën policët, na pyetën kush ishte ai që u largua dhe që e qëlloi roja? I burgosuri e pranoi, si përfundim filluan ta qëllojnë me kopaçe, me shqelma në fytyrë pa mëshirë, në trup ku të mundnin në trupin e të gjorit të burgosur të pa faj. Nuk u ngopën me kaq kriminelët, njeri e mori nga krahu dhe tjetri nga këmbët, e hodhën në kanal dhe vdiq në vend, aty në skarpat u varros…

14 nëntor i vitit 1948

Gëzim i madh, po kthehemi në burgun e Tiranës. Ishte një fitore e madhe se po largoheshim nga kampi i vdekjes së gjallë. Prapë të lidhur dorë më dorë me hekura. Jemi në burgun e vjetër, pasi u pastruam nga parazitë të sjellë nga kampi. Takimi me familjarët në portat me hekura të dyfishta të burgut, ishte një takim me britma “Na sillni bukë, bukë, bukë”! Familjarët tanë nuk na njihnin dot, ishim të transformuar nga vuajtjet. Në këtë përkufizim të hyjnueshëm të përngjashme me Termopilet, unë i shtoj një lapidar, lapidar që të dallohet me kilometra larg, ngritur në këtë vend, që brezat që do të kalojnë në këtë vend të mallëngjehen e të urrejnë se çfarë i kanë bëri këtij njeriu servilët e komunizmit…”,  shkruan Telemak Dilo në ditarin e tij.

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Telekom Albania sjell në Tiranë furnizues për automjetet elektrike

“Smart City” (Qyteti i Mençur) në ditët e sotme nuk është më...
Read More