Toka shqiptare kërkon të mbulohet nga qielli amerikan

Nga Arjan Çuri

Nga është origjina e gjithçkaje mbi tokë? Nga vetë toka. Besimet pagane besojnë se gjallesat erdhën në ekzistencë si bashkëveprim i tokës me ujin, dhe uji zbriti nga qielli. Pra, nëse toka është mitra dhe uji është fara, i bie që qielli të jetë babai. Grekët, tokën e quanin Gaia, qiellin Uranos, dhe ata besonin se titanët, që ishin perëndi më të vjetra se ato të Olimpit ishin, bij të tokës dhe qiellit. Edhe besimet monoteiste na japin një tokë të mbuluar nga errësira dhe uji, në gjenezën e saj, nga e cila, me urdhër apo me fjalën e Zotit u krijuan gjithë gjallesat frymore. Kështu që mbi tokë, kufijtë, shtetet apo kombet, janë thjesht një konvencion njerëzor, për të mos thënë një iluzion.

Prandaj kufijtë ndërrojnë vazhdimisht, sipas rrethanave, kombet lindin dhe zhduken, ose ndriçojnë dhe varfërohen, gjithçka ndodh mbi tokë, ja për shembull, kombin shqiptar e keni në 5 shtete ballkanike prezent: Shqipëri, Greqi, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi. Për të mos folur për arbëreshët e Italisë apo diasporat e shpërndara nëpër botë, madje edhe në Amerikë. Kështu që historitë me juridiksion, sovranitet, demokraci kushtetuese, kur kushtetutën ta bëjnë të huajt, janë thjesht terma teknikë për të shpjeguar teoritë politike, por kur vjen puna te real-politika, ato kthehen thjesht në instrumente në dorë të më të fuqishmëve, të atyre që lëshojnë ujin mbi tokë, në formë shiu apo përrenjsh nëntokësorë, detesh apo lumenjsh, dhe siç dihet, uji gjendet kudo në natyrë. Ai nuk pyet për kufij, juridiksione apo sovranitete. Ato le t’i përmendim për qejf kur diskutojmë teorikisht.

Toka ka mbetur gjithmonë e njëjtë, qëkur ajo krijoi vetveten. Grekët e lashtë mendonin se ishte ajo vetë që krijoi edhe qiellin, duke e zgjedhur të mbulohej e të vaditej prej tij. Pra, është vetë toka ajo që ia jep pushtetin qiellit dhe e urdhëron atë të derdhë shiun e tij, atje ku ajo ka më shumë nevojë, ku ekuilibrat duhen vendosur, ku thatësira është më e madhe apo atje ku ajo ndihet më e zhuritur. Kështu, këto kohë, toka e Ballkanit ka vendosur t’i nënshtrohet ngjizjes së një fryme të re, të rifuqizimit të një kombi të vjetër, të shqiptarëve.

Dhe, kjo tokë, ka mbi një shekull që ka zgjedhur për qiellin e saj Amerikën dhe në afeksion të plotë me të, po krijon një rend të ri, një sundim ekstraterritorial, që e tejkalon juridiksionin dhe sovranitetin jo vetëm të Shqipërisë, si shtet amë, por edhe të shteteve të tjera ku jetojnë shqiptarët. Sepse siç e thamë, toka, kur dashuron me qiellin, nuk pyet për kufijtë politikë. Pra, në këtë mes, opinionet e miqve të mi shumë të mirë dhe jashtëzakonisht të përgatitur, se Amerika nuk ka punë të ndërhyjë në demokracinë tonë, të na interpretojë kushtetutën, të japë opinione mbi ligjin mbi prokurorinë apo të shantazhojë deputetët pozitivisht që të votojnë reformën të cilin ajo e hodhi si shi katarsisi nga lart, nuk gjejnë aspak vend. Sepse toka e shqiptarëve, për fat të mirë apo jo, ka zgjedhur për qiell të saj, Amerikën.

Për këtë arsye, sërish, ambasadori amerikan mbështeti edhe njëherë opinionin e misioneve OPDAT dhe EURALIUS, pa iu bërë aspak vonë për letrat e partive opozitare që i ankoheshin se mazhoranca po merr në kontroll drejtësinë. Sepse qielli amerikan e di që kjo është e pamundur, sepse nuk e lejon toka e shqiptarëve. Juridiksioni, autoriteti, pushteti dhe sovraniteti, janë fjalë që fjalori i dashurisë, mes Gaias dhe Uranosit, as nuk i njeh dhe as nuk i merr fare parasysh.

Kështu që shqetësimi i disave se po shkelet Kushtetuta, që është edhe ajo në vetvete investim amerikan është i pabazë. Nuk e dinin amerikanët se si duhej shkruar Kushtetuta? Nuk e kanë ata përvojën ngjizëse të idesë që merri një kombi kushtetutën dhe i ke marrë drejtësinë e tij? Kushtetuta merr jetë nga grundnorm-a apo norma bazë, sipas Schmitt-it, e cila i shërben atij që e kontrollon dhe atë e kanë tashmë amerikanët, dhe është qesharake t’u thuash atyre që nuk dinë të interpretojnë atë që kanë shkruar vetë.

Ne thjesht kemi ngritur kartonat, të shtyrë nga presioni i tokës sonë të zhuritur që kishte nevojë të vaditej. Tashmë askush nuk mund të ndërhyjë më në këtë akt dashuror që pritet të krijojë zota të rinj të kësaj toke, pasi të ketë rrëzuar të vjetrit. Sigurisht që do të ketë ca lëvizje dhe ca thirrje për ta ndaluar këtë akt, por këto janë fare të pafuqishme dhe pa asnjë peshë në këtë fazë. Tashmë është tepër vonë, reaksioni zinxhir ka nisur, pritet thjesht momenti kur toka e shqiptarëve të japë frytet e duhura. Dhe kjo tokë ka pjellë figura të ndritura, sikundër ka përmbytur edhe shumë prej tyre, përpara se në këto anë të flitej për juridiksion, kompetencë, apo sovranitet.

Toka e shqiptarëve do t’i zgjerojë kufijtë e saj të ndikimit, pavarësisht atyre politikë, kësaj radhe ajo ka zgjedhur për qiellin e saj, Amerikën. Nëse dikush do ta ndalojë këtë akt vaditës, le të përpiqet të marrë Kushtetutën, po jo me amendime të orës së fundit, me arna e mballoma, sepse është përpjekje që tradhton ata që janë kundër kësaj dashurie. Që t’i marrësh Kushtetutën Amerikës, duhet të bindësh tokën, Gaian, të zgjedhë një Uranos të ri, po hajde se të dëgjon kush kur është në kulmin e dashurisë?

 

Megjithatë, përpjekjet le të bëhen, por dështimi është i sigurt. Dashuria triumfon gjithmonë, edhe pse rrethohet nga njerëz xhelozë që janë të dënuar të mos e provojnë kurrë forcën e saj transformuese.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Drejtësia në dorë të goglave

De jure vendos seanca e të enjtes, por Kuvendi de facto i...
Read More