Tokat e zëna nga ndërtimet pa leje, u jepen 300 milionë lekë pronarëve

Këshilli i Ministrave miraton listën me emrat e personave që kanë gati tapinë për tokën ku kanë ndërtuar pa leje dhe shumat e kompensimit për pronarët që u është zënë trualli. Vlera në total e kompensimit arrin në afro 300 milionë lekë. Përfituesit janë thuajse në të gjithë vendin. Qeveria ka vendosur miratimin e kalimit të së drejtës së pronësisë në favor të subjekteve përfituese për 1 377 parcela ndërtimore të objekteve të legalizuara dhe kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken prej tyre. Sipas vendimit mësohet se për qarkun Dibër, numri i parcelave ndërtimore është 39 me sipërfaqe të përgjithshme 6 976 m², për qarkun Durrës numri i parcelave ndërtimore është 10, me sipërfaqe të përgjithshme 2 744 m² dhe për qarkun Elbasan (ZVRPP-të Elbasan, Librazhd dhe Peqin), numri i parcelave ndërtimore është 185 me sipërfaqe të përgjithshme 57 423 m².

Për Tiranën, (ZVRPP-të Tiranë dhe Kavajë), numri i parcelave ndërtimore është 684 me sipërfaqe të përgjithshme 189 039 m² dhe për qarkun Korçë numri i parcelave ndërtimore është 12 me sipërfaqe të përgjithshme 3 687 m². Ndërkohë për qarkun Fier (ZVRPP-të Lushnjë dhe Fier), numri i parcelave ndërtimore është 5 , me sipërfaqe të përgjithshme 1 377 m² dhe për qarkun Vlorë (ZVRPP-të Vlorë dhe Sarandë), numri i parcelave ndërtimore është 81, me sipërfaqe të përgjithshme 30 304 m². Në qarkun Shkodër numri i parcelave ndërtimore është 16 me sipërfaqe të përgjithshme 2 847 m².
Kompensimi
Masa e kompensimit financiar për pronarët e pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimet e legalizuara, referuar kartelave të pasurive sipas ZVRPP-ve, është 20 787,98 m² dhe vlera totale e kompensimit financiar është 298 515 448,9 lekë.

Pranimi i kërkesave
Procesi i regjistrimit apo pranimit të kërkesave për kompensim fillon 5 ditë pas datës së njoftimit publik. Me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të ATP-së ngrihet grupi i punës për pranimin dhe shqyrtimin e kërkesave, me objekt shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private që preken nga ndërtimet informale dhe shpërndarjen e fondit përkatës. Grupi i punës, brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për kompensimin e pronës, kryen verifikimet e duhura. Drejtori i Përgjithshëm i ATP-së, brenda 30 ditëve nga data e përfundimit të procesit të verifikimit nga grupi i punës, nxjerr vendimin me emrat e subjekteve që përfitojnë nga kompensimi dhe urdhëron publikimin e listës së subjekteve që kompensohen. Gjithashtu, ai njofton edhe aplikantët që nuk përfshihen në listën e subjekteve që kompensohen, duke përcaktuar arsyet e mos përfshirjes.

Dokumentet
Subjekti apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë ATP-së Tiranë kërkesën tip që i vihet në dispozicion nga grupi i punës pranë AKKP-së, të plotësuar sipas rubrikave. Në listën e dokumenteve është dëshmia e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Sipas ligjit për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial duhet të sillet certifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi. Një tjetër dokument është prokura e posaçme, e nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronarë apo të një pjese të tyre, për çdo aplikim të kryer, paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2 000 lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme.

Shkruar Nga
More from Revista User

Melania, emri më në trend në Amerikë

Melania, duket se është emri më në trend për bebet vajzat në...
Read More