Toleranca si strategji zhvillimi

Nga Dr. Mirela Oktrova – Stresi i prodhuar nga pragnisja e vettingut ende të pabesueshëm dhe shtrëngimi suksesiv i darës së kriminalitetit të organizuar, rikonfirmojnë vazhdimisht karakterin e dhunshëm të komunikimit mbarëshoqëror dhe marrëdhënieve midis pushteteve.

Situata evidenton një zhvendosje paradoksale të dimensionit të tolerancës nga komunikimi mikro dhe makroshoqëror në raportin me kriminalitetin e organizuar.

Lajthitje e shoqërisë së vetëtrumbetuar si “shembull tolerance” – të paktën ndërfetare?

Para së gjithash, keqkuptim dhe keqpërdorim i qëllimshëm koniunktural i termit dhe konceptit!

Deklarata e Tolerancës, miratuar nga UNESCO 22 vjet më parë në Paris, vulosi vullnetin e shpallur të nënshkruesve të saj, për promovimin e tolerancës, si një harmoni përtej diversitetit, i cili detyron moralisht, politikisht dhe ligjërisht, si një virtyt, që prodhon mirëkuptim, duke zëvendësuar kultin e luftës me kulturën e paqes. Toleranca nuk është lëshim, por përforcim i normave ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Ajo është guri kyç, që bashkon të drejtat e njeriut dhe pluralizmin me demokracinë dhe shtetin ligjor. Toleranca nuk është tolerim – as i padrejtësisë sociale dhe as i kërcënuesve të shtetit ligjor. Toleranca nuk është as shmangie – as nga bindjet personale dhe as nga detyrimi ligjor. Tolerancë do të thotë liri në bindje dhe respektim i së drejtës për paqe, pavarësisht dallimeve të pamjes, gjinisë, besimit, prejardhjes, rangut shoqëror, sjelljes apo zakoneve.

Në fillesat e saj në Antikitetin e vonë, toleranca si koncept është ngjizur në kufirin midis sjelljes shoqërore dhe bashkësisë fetare. Në evoluimin e tij historik koncepti nga një anë ka ruajtur disa elemente të kuptimit të tij, si: “durimi/tolerimi” dhe “drejtësia”, nga ana tjetër ka evoluar pa ndryshuar emërtim. Në komunikimin e romakëve të vjetër, toleranca shënjonte “durimin e padrejtësive fizike dhe psikike, si: tortura, dhimbja, goditjet e fatit apo katastrofat natyrore. Kuptimi, i ndikuar nga përndjekja e të krishterëve në Romën e lashtë, shënjonte një virtyt hyjnor, që i aftësonte të krishterët t’i bëjnë ballë përndjekjes dhe vdekjes. Më vonë, durimit si themel i dashurisë kristiane dhe paqes iu mbishtresua dhe kuptimi politiko-organizativ, që lidhej me interesat e komunitetit.

Augustini, një prej filozofëve të shquar të epokës së tranzicionit mesjetar e përforcoi kuptimin e tolerancës si virtyt ekzistencial dhe parakusht për ekzistencën e komunitetit të krishterë. Mëkatari ishte i varur nga falja e bashkësisë, që deklarohej e gatshme për këtë, mbi bazën e disa kushteve. Po toleranca sipas tij kishte kuptimin e pranimit të diversitetit reciprok mes të krishterëve si normë që ruan paqen vetëm brenda këtij komuniteti, pa dalë te raportet me paganët dhe hebrenjtë. Kulmi i Mesjetës solli me vete diferencime të tjera, duke spikatur tri aspekte të kuptimit të tolerancës: Së pari, kufijtë e tolerancës caktoheshin nga e drejta romake për trajtimin dhe gjykimin e heretikëve. Së dyti, nisur nga Tomas fon Akuin dhe më pas nga skolastika spanjolle e shekullit XVI, toleranca u pa si reflektim i të drejtave natyrore, duke shtruar kështu bazën e evoluimit të konceptit në kuadrin e revolucionit amerikan dhe francez të shek.. XVIII. Së treti, shpërbërja e formave mitike të të menduarit dhe të jetuarit në Mesjetën e vonë, ndikoi në afirmimin e mendimit intelektualist brenda kishës katolike, që e shihte pluralitetin e kultit dhe ritit si variante të së njëjtës së vërtetë fetare. Në përfundim të Mesjetës, toleranca i kapërceu kufijtë fetarë duke marrë kuptim të përgjithshëm social-politik.

Kthesa social-politike dhe kulturore, që përfshiu Europën në shekullin XVI, si edhe shpërbërja e rendit të vjetër ndikoi edhe jetën fetare, duke bërë, që shumë intelektualë ta lidhnin tolerancën me lirinë e ndërgjegjes, ndonëse deri në shekullin XVIII toleranca nuk prekte as afirmimin reciprok dhe as të drejtën individuale të besimit. Vetëm ligji për tolerancën, i iniciuar në vitin 1788 në Prusi dhe rendi kushtetues që pasoi revolucionet në SHBA dhe Francë, ku barazia fetare shihej si e drejtë natyrore dhe sanksionohej në kushtetutë, shënoi bjerrjen përfundimtare të kuptimit kishtar të tolerancës dhe shndërrimin e saj në parim të rendit të përgjithshëm politik. Më tej filozofët dhe autorët e iluminizmit, veçanërisht Volteri dhe Lesingu shpunë në shpërbërjen përfundimtare të kuptimit fetar të tolerancës dhe patën ndikim të madh në shoqëritë perëndimore, duke dhënë konceptit karakter përgjithësues. Lindja e idesë moderne të tolerancës nuk është parim i domosdoshëm i historisë europiano-perëndimore, por rezultat i një vendimi politik në kuadrin e krijimit të identitetit kombëtar në Europën Perëndimore, së cilës shteti kushtetues demokratik i dedikon lindjen e tij. Siç shihet, ideja moderne perëndimore e tolerancës është e pandarë nga historia e kishës katolike, traditës kishtare të reformacionit dhe krijimi shtetit modern të së drejtës. Por evoluimi i shtetit europian drejt një modeli kushtetues demokratik arriti ta zhvendoste idenë e tolerancës nga konteksti politiko-fetar, duke e universalizuar atë në nivelin e parimit politiko-social.

Toleranca në nivel shtetëror është drejtësi në hartimin dhe zbatimin e ligjit, shanse të barabarta ekonomike dhe shoqërore. Në të kundërtën, padrejtësia mbjell stres, frustrim, armiqësi dhe fanatizëm. Në nivel ndërkombëtar, bashkëjetesa harmonike është thelbësore që kombet dhe komunitetet e veçanta të njohin dhe të respektojnë karakterin multikulturor të njerëzimit me bindjen se pa tolerancë nuk ka paqe dhe pa paqe nuk ka demokraci dhe zhvillim. Ndaj toleranca është sot më e domosdoshme se kurrë. Në një kohë që çdo pjesë e botës mbart shenjën e shumëllojshmërisë, intoleranca që i kundërvihet asaj, përbën rrezik global. Luftimi i saj është domosdoshmëri në të gjitha marrëdhëniet: midis individëve dhe në familje, në mikromjedis dhe në komunitet. Toleranca dhe transparenca, aftësia për të dëgjuar dhe solidariteti – duhen nxitur dhe promovuar në familje, institucione edukimi dhe në aktivitetin jashtëshkollor, në shtëpi, në rrugë, në vendin e punës e kudo ku njerëzit takojnë njëri-tjetrin.

Mjetet e komunikimit masiv mund të luajnë rol shumë konstruktiv në këtë drejtim, duke krijuar hapësirë për dialog të hapur dhe diskutim të lirë, për promovimin e tolerancës, luftimin e indiferencës dhe ideologjive intolerante. Natyrisht nëse i lënë dhe u intereson! Arsimi mbetet megjithatë mjeti më efikas. Edukimi për tolerancë sqaron rrënjët kulturore, sociale, ekonomike, politike dhe fetare të intolerancës dhe për rrjedhojë edhe shkaqet e dhunës dhe margjinalizimit. Ai nxit mirëkuptimin, solidaritetin dhe tolerancën midis individëve, grupimeve etnike, shoqërore, kulturore e gjuhësore dhe për rrjedhojë edhe midis kombeve. Një platformë e tillë synon t’i presë rrugën frikës nga njëri-tjetri dhe qëndrimeve diskriminuese, që rrjedhin prej saj, të nxisë gjykimin e pavarur dhe mendimin kritik.

Platforma mbarëshoqërore për tolerancën është një platformë detyrimi për të shmangur dhunën me programe dhe institucione në sektorët e arsimit, shkencës, kulturës dhe komunikimit. Synimi final i këtyre masave të kombinuara është aftësimi i qytetarëve për të menduar në mënyrë të përgjegjshme dhe solidare, kultivimi i modelit të mendjes së hapur për modele dhe kultura të tjera, i personaliteteve, që çmojnë vlerën e lirisë, që vlerësojnë dinjitetin njerëzor dhe diversitetin, që janë në gjendje të ndajnë ligjin nga shmangia, të shmangin konfliktet ose t’i zgjidhin ato në mënyrë paqësore.

Platforma mbarëshoqërore për tolerancë është një platformë orientimi mbarëshoqëror!

Detyrim për luftë ndaj padrejtësisë dhe krimit – në emër të lirisë së individit dhe paqes së komunitetit!

Tolerancë do të thotë: liri për vetveten sa dhe për të tjerët – detyrime për të tjerët po aq sa për vetveten.

Toleranca është detyrim, që fillon te vetvetja – detyrim për Mua, për Ju – për të gjithë NE!

Toleranca nuk është retorikë – toleranca është mënyrë jetese!

Toleranca është sfidë dhe vendim – pro apo kundër paqes, lirisë, zhvillimit!

Alternativë tjetër nuk ka!

Ka vetëm krim dhe ndëshkim!

Paçka nëse Sot ose Mot…!

Shkruar Nga
More from Redaksia

Rama replikon me Bashën, ekspertët: Rritje çmimesh e falimentime

Kryetari i mazhorancës dhe ai i opozitës e nisën ditën duke debatuar...
Read More