Topalli dhe Imami: Të shkarkohet Basha! Reagon kreu i PD dhe Selami

topalli-dhe-imami1Topalli-Bashës: …Modelin klientelist familjar e bëre model të drejtimit dhe vendimmarrjes në Partinë Demokratike… Reagon Selami: Koha për fushatë, jo për analiza. Lista ka mbështetjen time. Suksese!”. Basha: “Me Partinë Demokratike nuk mund të të lidhë vetëm karrigia. Je deputet e do partinë, s’je deputet s’e do partinë?! Po ti s’e paske për partinë, e paske për karrigen”, shtoi ai.

Nga Nevila Perndoj

Nëse do t’i referohemi marrëdhënies së tyre politike ndër vite, ata të dy pak të ngjashme kanë pasur. Por Jozefina Topallin dhe Arben Imamin dje i bashkoi publikisht një kërkesë e pazakontë jo vetëm për statusin e tyre politik, por edhe për kohën e kërkuar; shkarkimin e kryetarit të partisë, Lulzim Basha. Sepse më 26 Qershor do të jetë shumë vonë, sipas Arben Imamit, i cili e fokusoi vëmendjen tek lista e kandidatëve për deputetë dhe shkelja e statutit. “…Vendimi për listat është marrë nga një njeri i vetëm. Është marrë në shkelje të statutit dhe në shkelje të çdo procedure normale në një vend perëndimor. Është marrë në shkelje të ligjit, se statuti i partisë depozitohet në gjykatë dhe është ligj. Por edhe më shumë se kaq… Nuk ka qenë traditë e PD-së që të mos konsultohen vendimet me forumet e partisë. Ne kërkojmë si zgjidhje të vetme mbledhjen e forumeve të PD-së, shkarkimin e personit përgjegjës që në këtë rast është kryetari i PD-së, Lulzim Basha. I bëjmë thirrje kolegëve tanë të Këshillit Kombëtar dhe kryesisë të ecim në këtë drejtim se nuk ka kohë. Kemi marrë këtë vendim se më 26 qershor nuk do të ketë kohë. Kjo është listë humbëse. Nuk mund të rrëzohet Edi Rama kështu”, – tha dje Imami.

Topalli nga ana e saj ka qenë edhe më kritike duke deklaruar se ajo nuk i ka besuar Lulzim Bashës që prej momentit që ky i fundit hyri në Partinë Demokratike.

“…Kam pasur një dyshim prej kohësh, që kjo nuk është PD. Sot nuk kam asnjë dilemë që kjo nuk është PD që unë njoh. Kjo nuk është PD, me të cilën unë kam punuar dhe jam rritur. Kjo është një parti, logon e së cilës e ka marrë Lulzim Basha për llogari të interesave familjare, klienteliste të tij. Lista në tërësinë e saj, me pak përjashtime është lista e familjes Basha, bizneseve të tyre dhe klientëve të tij…”, tha ajo

As njeri dhe as tjetri nuk e lidhën kërkesën e tyre me faktin se ata nuk u përfshinë në listat e PD-së. Dhe për këtë ilustruar këtë fakt, Imami sjell një tjetër fenomen që shoqëroi përbërjen e listave. “Problemi themelor në këtë listë është se mungojnë edhe të rinjtë e partisë. Ky është një problem akoma më i madh. Ata njerëz që u përfshinë për të fituar në zgjedhjet lokale, që patën rezultate. Nuk flasim për themeluesit e qëndresëtarët, por edhe për prurjet e pas 2013-s”, -tha ndër të tjera Imami.

Topalli në anën tjetër sqaroi se me kërkesën për shkarkimin e Bashës nuk synon postin e kreut të partisë. “…Jo zonjë! Nuk synoj asgjë. PD-ja më ka thënë çdo gjë dhe unë jam mirënjohëse deri në fund. Nuk ka në Shqipëri një grua që të ketë pasur kaq sukses në karrierë sa Jozefina Topalli. Por mua më dhemb shpirti. Nuk mund ta shoh PD-në aty ku e ka çu dhe ku e ka zyrtarizu, Lulzim Basha, thjesht dhe vetëm për axhendën e tij, për të cilën unë turpërohem…”, -tha ajo. Por a e dëmton PD-në ky qëndrim i saj pikërisht në kulmin e fushatës zgjedhore? “…Ndihma më e madhe ndaj Edi Ramës, ka qenë, është duke mbajtur peng PD-në vetëm Lulzim Basha. Ndaj dhe jemi këtu. Vendi po rrëshqet drejt greminës. Edi Rama është fatkeqësi e madhe. Dhe unë sot jam këtu për të thënë se është koha për të nisur betejën kundër Edi Ramës, Lulzim Bashës dhe Ilir Metës. Nuk mund të sundojnë vendin tre vetë që bëjnë garë apo lojë me njëri- tjetrin kush të kapë më shumë nga ajo që është torta e pushtetit…”, – tha ajo. Më herët, Topalli shpërndau një deklaratë për mediat ku e cilësonte Bashën thjesht një njeri të rremë. “I rremë’ është fjala që e përshkruan më mirë Kryetarin e Republikës së Re. Dhe ky është arsyeja pse gjithmonë i kam përsëritur privatisht dhe publikisht se kam diferenca të mëdha me të.

I rremë për premtimin e madh dhe të pambajtur për ringritjen e Partisë Demokratike, që u shndërrua në një grusht njerëzish servilë të Kryetarit apo klientë të familjes se tij. Nga dita që u vu në krye të PD-së, Lulzim Basha nuk i konsideroi kurrë anëtarët e thjeshtë si aksionerë të PD-së, por e përdori logon e opozitës si ndërmarrje private biznesi me aksionerë familjarë. I rremë për premtimin e madh dhe të pambajtur se do të bashkonte dhe ribashkonte PD për të forcuar shtyllën kurrizore të PD-së, që përfundoi në një karrige me rrota, të cilën e shtyn herë me Ramën, herë me Metën, por asnjëherë me demokratët. I rremë për premtimin e madh dhe të pambajtur se PD do të jetë gardiane e pa kompromis e interesit publik. Me përjashtim të dy viteve të fundit, Lulzim Basha, ky i Republikës së Re, ka qëndruar 11 vjet në majat e pushtetit, 4 prej të cilave në krye të Bashkisë së Tiranës, ku nuk la asnjë gjurmë në favor të interesit publik. Përkundrazi! Modelin klientelist familjar e bere model të drejtimit dhe vendimmarrjes në Partinë Demokratike…”, -tha ajo. Andaj, për Topallin nuk ka mbetur asnjë dilemë.

“Çfarë e kam dyshuar prej kohësh, është vërtetuar plotësisht: Lulzim Basha nuk ndryshon nga Edi Rama dhe as Republika e tij Re nuk ka ndonjë ndryshim nga Rilindja”, – tha ajo.

Por a është konsultuar Jozefina Topalli dhe Arben Imami me Sali Berishën qëndrimi i të cilit në këto momente do të vlente shumë për të kuptuar se ç’po ndodh në PD?

“…Zoti Berisha i di të gjitha mendimet e mia. Ia kam thënë ndër vite”, u përgjigj Topalli. Ndërsa Arben Imami tha një përgjigje të prerë ‘jo’ se ai nuk ishte konsultuar me Berishën për një kërkesë të tillë. As Topalli dhe as Imami nuk dhanë detaje se si do të arrinin deri në shkarkimin e Bashës. Ajo që dihet janë pikat e statutit. Në bazë të nenit 35 të statutit pika 4, Kuvendi vendos për shkarkimin e Kryetarit të Partisë mbi bazën e një mocioni mosbesimi të miratuar nga më shumë se gjysma e anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Aktualisht, Këshilli Kombëtar ka 270 anëtarë.

Për qëndrimin e Topallit dhe Imamit ka patur një reagim publik nga deputeti, Genc Pollo. “Patetike! Përveçse jashtë vendi e kohe!!”, shkruan Pollo në “Facebook”, i cili renditet i dyti në listën e PD-së për qarkun Fier. Por edhe Eduard Selami i cili nuk përfshihet në listën e re të Bashës kishte një mesazh. “Koha për fushatë jo për analiza. Lista ka mbështetjen time. Suksese!”, shkruan deputeti demokrat. Në mënyrë indirekte, një përgjigje dje e kishte edhe vetë kreu i demokratëve, Lulzim Basha.

“Kjo është Republika e re. Është e guximshme. Së pari duhen thyer paragjykimet brenda vetes, brenda familjes. Ju e dini për çfarë e kam fjalën”, – tha kreu i PD-së, Lulzim Basha. Vendimet, sipas tij, kanë qenë të duhurat. “Si mendoni kam marrë vendimet e duhura apo jo? Unë them që kam marrë vendimet e duhura. Unë jam i bindur që kam marrë vendimet e duhura. Qarkullimi i elitave është ligj në politikën europiane, përndryshe nuk është republikë, është monarki”, vijoi ai. Basha e lidh gjithë debatin brenda PD-së me mandatin e deputetit.

“Me Partinë Demokratike nuk mund të të lidhë vetëm karrigia. Je deputet e do partinë, s’je deputet s’e do partinë?! Po ti s’e paske për partine, e paske për karrigen”, shtoi ai.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Rikthehet Esat Pasha: Njeriu, lufta, pushteti

Ilir Ikonomi sjell në Tiranë biografinë “Esat pashë Toptani: Njeriu, lufta, pushteti”....
Read More