Toti i Robert Ndrenikës

Robert Ndrenika vetem do marreshE shihja lojën e Bertit dhe i tëri ishte i vërtetë, një sfidë që vetëm aktorët e lindur si “aktorë” mund ta bëjnë! Sfida e artit. Sfida e “tri sekondave” të Didëroit kur aktori humbet, i ikën vetes dhe bëhet me tërësej rol, siç m’u duk se u bë Robert Ndrenika një Toti i njëmendtë në fundin e shfaqjes. Një Toti prind. Një Toti prekës e lëndonjës deri në bulb.

Nga Josif Papagjoni

…E kam pasur përherë të vështirë të pikasja diku një hojëz a grimë mangësie, dobësie, shtirjeje në lojën e Robert Ndrenikës, sepse ai ka qenë përherë i plotë, i përgjegjshëm në artin e vet, i natyrshëm gjer në njëmendësi, i vërtetë gjer në ashtë. Të jesh i vërtetë në skenë, në kushtet e konvencionit teatror, në kushtet e “lojës” ku tjetërsimi dhe dyzimi i qenies tënde shfaqen si elementet bazike të saj, e gjitha kjo në vetvete është një “paraqitje” e të vërtetës, por jo vetë e vërteta. Pikërisht ky paradoks i artit të aktorit që krijon iluzionin e të vërtetës jetësore, asaj të njëmendtës, përmes të vërtetës artistike, fuqisë imituese, rimishëruese e shëmbëllyese të lojës kundruall veprimit njerëzor, të vetë frymës dhe qenies së njeriut nëpërmjet konvertimit në personazh kur shumëçka arrin në përkryerje, e gjitha kjo pra na fal kënaqësi të rralla estetike dhe një respekt të thellë për artistin që posedon fuqinë e mahnitshme, si dhuratë prej Hyjit, që e kryen para syve tanë këtë akt magjik, mistik e thuajse transcendental, që quhet aktrim. Rimishërim. Diçka si nga mitet dhe religjioni. Robert Ndrenika, si dhe më parë me rolet e tij në teatër e në ekran, ma solli këtë ndjenjë të bukur, ndonjëherë deri në përhumbje të vetes, me rolin e tij të fundit, mësuesin Toti në tekstin “Mendohu Xhakomino” të Pirandelos, me regjinë e Milto Kutalit dhe një ekip aktorësh të mirë, ku do të veçoja Arben Derhemin, Alert Çeloaliaj dhe Mariana Kondin. Në moshën dhe përvojën që kam si kritik, afër 50 vjet, jam i aftë të dalloj saora edhe shtirjen më të vogël të aktorit, kur ai nis e pozon, hiqet, “luan”, kur i ikën vetes, burimit, pra vërtetësisë. E shihja lojën e Bertit dhe i tëri ishte i vërtetë, një sfidë që vetëm aktorët e lindur si “aktorë” mund ta bëjnë! Sfida e artit. Sfida e “tri sekondave” të Didëroit kur aktori humbet, i ikën vetes dhe bëhet me tërësej rol, siç m’u duk se u bë Robert Ndrenika një Toti i njëmendtë në fundin e shfaqjes. Një Toti prind. Një Toti prekës e lëndonjës deri në bulb.

Nuk do desha të flisja kësaj here për shfaqjen dhe gjithë përbërësit e saj. Më mjafton e më tepron fjala për Bertin (kërkoj ndjesë për formën miqësore të emrit), këtë aktor të rrallë për nga spektri i qasjeve, ngjyrave, formave. Ani pse fjalët mozaik, larushi, shumëllojshmëri, ndryshueshmëri krijojnë gjithsesi punën e madhe që ky aktor ka derdhur nëpër dekada për ravijëzimin e karaktereve të ndryshme, sikundër edhe dhuntinë e tij të papërsëritshme që gjallon brenda vetes, qenies së tij krijuese, për t’u derdhur e sendërtuar në figura të gjithëfarta, sekush me identitetin e vet, teksa ndoqa i përthithur pra këtë karakter të fundit të kalendarit të tij artistik, mësues Totin, shkrirë në një tekst të ëmbëlth të Pirandelos, m’u duk i gjithi si i fundosur fisnikërisht në madhështinë e zemrës së madhe njerëzore, të humanizmit të thellë. Ndrenika e futi brenda vetes këtë shpirt gati të skajtë e me një tis paradoksi përsipër, thuajse si prej “marrëzie” a “krisje”. Dhe mua më pushtoi tundimi për ta sjellë mbresën time në sytë e lexuesit pikërisht si një syth të ngulur bukur mirë mbi trupin e shfaqjes së mësipërme, një syth që i dha jetë e klorofil krejt trungut të shfaqjes. E pra, ky është një syth përjashtimisht i dedikuar për talentin e Bertit dhe kënaqësitë e thella që ai më dha, afërmendsh edhe për publikun qe e do dhe ngrihet në këmbë plot respekt për të. Arti i qashtër s’ka urdhra si në politikë, sepse ai është vetë urdhri. Arti ka diçka nga shenjtëria.

Thashë më parë: vërtetësia. Po, Ndrenika është një “apostull” i vërtetësisë së padiskutueshme artistike në skenë. E dëshmoi në moshë 75-vjeçare edhe te roli i Totit. Loja e tij kurrë nuk “kërcet”. Është e “vërtetë si e vërteta”. Dhe të arrish në limeret e kësaj të vërtete, kur ti harron se je i ulur në një karrige teatri diku si spektator dhe po ndjek diçka të trilluar, të “rrejshme”, një sajesë letrare krijuar nga mendja e shkrimtarit dhe e njerëzve të teatrit, pra një fiksion, kjo do të thotë, sipas gjithë mendimit estetik të artit teatror lëvruar nëpër shekuj qysh nga Aristoteli, që të mbërrish në cakun e epërm të artit, në kufirin mes të njëmendtës dhe artistikes, mes asaj që është “lojë” dhe asaj që është “jetë”, mes emocionit burimor e natyror të njeriut Robert me përjetimin aktorial dhe emocionin e ndërmjetësuar në kushtet e konvencionit skenik të artistit Ndrenika. Dhe kështu, nëse përdor një metonimi, Roberti bashkohet me Ndrenikën, duke krijuar së toku personazhin Toti, pikërisht në moshën që aktori ka, 75-vjeçare, sa e kanë vënë edhe në shfaqje, për të qenë thellësisht i vërtetë. Toti-Ndrenika është shënjimi ende i asaj pjese të mbetur humane, i asaj dëlirësie prekëse, i atij dritësimi zemrash të mallëngjyera, që duket sot si një “thagmë”, gati e pabesueshme, fort e rrallë, por bash te kjo e pabesueshme, te kjo krisje dhe rrallësi qëndron edhe madhështia e këtij mësuesi plak me emrin Toti, e kësaj specieje thuajse në zhdukje me zemrën aq të madhe, i cili kërkon të ndihmojë një dashuri në kushte kufizimesh të skajshme, varfërie dhe pamundësish për t’u realizuar, duke sjellë kësisoj një ditiramb mirësie, gati diç e ungjillëzuar, si një testament për vetë shoqërinë.

Njeriu vdes dhe pas lë një fëmijë, lë trashëgimtarë; lë rrënjët e kujtesës dhe emrin e tij, lë shpirtin e plaguar e drithërues në një dorë që shtrihet e përfalet ndaj/te tjetri. Toti i Robert Ndrenikës nuk ka fëmijë, por ka zemrën e vet të bukur; kërkon t’ua lërë atë dy të rinjve të dashuruar dhe frytit të tyre të porsalindur, duke i marrë në mbrojtje e duke u bërë prind për ta. Dhe prandaj hedh përpara shoqërisë shpirtngushtë, shpirtin e tij të madh, bujarinë e tij, humanizmin e tij. Ai kinse “martohet” me vajzën e varfër Liliana që t’i krijojë asaj me kursimet e veta një mirëqenie gjithsesi, ta shpëtoj dashurinë e saj me Xhakominon dhe sidomos t’i ofroj asaj kërthije të porsalindur shpresën dhe dritën e munguar. Andaj ai është një shëlbonjës. Lutja që Toti-Ndrenika i bën Xhakominos për ta ruajtur dashurinë e tij, për ta marrë në mbrojtje fëmijën, Ninon e vockël, vjen aq bukur e aq prekëse, sa s’ka se si të mos emocionohesh. Tanimë nuk është thjesht fjala dhe ligjërimi që flasin e kumtojnë, por krejt qenia e aktorit që drithëron, syri i tij i mbushulluar me pikëllimin e ëmbël, qëndrimi i tij, fryma e tij, gjesti i tij, gjithçka. Një lutje e madhërishme, do të thoja unë. Veç një aktor i përmasës së Ndrenikës, ku e vërteta kthehet në tapi të patjetërsueshme të shpirtit të lënduar e të mbushur plot mall, mund të na e japë aq natyrshëm, sikur në skenë të ishte një dikush i vërtetë, flokë e thua. Aty mbyllet dhe drama, duke na e mbushur shpirtin me një ndjenjë të bukur e duke i dhënë një shuplakë të fortë gjithë paragjykimeve, gjithë meskinitetit njerëzor të provincës, gjithë vetëdijeve të ngushta në perimetra socialë të zvetënuar, gjithë cinizmit dhe shpirtngushtësisë nginjur nga kotësia, bjerrakoha, ikamendjet dhe thashethemet. Prandaj dhe mesazhi i bartur përmes shpirtit të dëlirë të Totit, i sjellë aq bukur nga loja e ëmbëlth e Bertit, është nga një pikëpamje, një mesazh kozmik, një kumt universal, që e tejkalon cakun e një kohe të dhënë kur Pirandelo e shkroi këtë dramë, po ashtu cakun e një qyteze italiane mbytur në meskinitet dhe përgojime pa fund, duke bujtur edhe këtu, ndër ne, në Shqipërinë tonë jo rrallë të pamëshirshme. Ky kumt që vjen nga vepra, ku shoqëria e lodhur nga problemet e saj të mëdha, e varfër dhe me njëqind halle e kusure, mes diferencimeve pasurore cinike të sotme dhe mungesës së ardhmërisë, ku lumturia pakohet gjithnjë e më shumë e ku shpërfillja “kreh mjekrën djallëzore mbi mangall”, na fton të jemi më bujarë, më të mirë, t’i gjendemi tjetrit, për të ndërtuar një solidaritet të dobishëm, shëronjës, fatkeqësisht të munguar. Edhe kjo është një arsye përse loja e Bertit të mallëngjen kaq shumë. Me këtë rol ai është kthyer në një Mag për shpirtrat tanë të ndërkryer, një Mag shërues, paqtues, me dritën e ardhur nga ylli i mirësisë, i bukurisë, i solidaritetit, i ndihmës, Magu i zemrave bujare. Por edhe një Mag i aktrimit, i artit, i hijeshisë, i hirit poetik skenik, ku tanimë zemra mbushet me kënaqësi të thella estetike…

Shkruar Nga
More from revista mapo

Fishta apo Molieri?! I ligu për mend në gjuhën e Bashës

Në vitet ’20, “I sëmuri për mend” i Molierit u rishkrua nga...
Read More