Tradhtia e Trump dhe e ardhmja e Bashkimit Europian

Nga Alon Ben-Meir

Çdo President i Shteteve të Bashkuara, nga Truman tek Obama, e ka nderuar dhe është krenuar me kontributin historik të Amerikës në rindërtimin e Europës nga hiri i Luftës së Dytë Botërore, gjë që çoi në themelimin e NATO-s dhe Bashkimit Europian. Ata e bënë këtë, si një dëshmi të madhështisë së Amerikës, duke ndriçuar si fanarë të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, dhe duke frymëzuar shumë kombe të tjera për ta kopjuar SHBA-në. Aleatët në të dy anët e Atlantikut, qëndruan bashkë për atë që është e drejtë dhe morale. Dhe kjo, derisa president i Shteteve të Bashkuara u zgjodh Donald Trump. Në pak kohë, Trump e ka tronditur këtë aleancë unike dhe të suksesshme, duke vënë në pikëpyetje vlerën e NATO-s, teksa ka poshtëruar udhëheqësit e saj. Ai është i prirur të ndajë Europën, dhe ta nënshtrojë ndaj diktatit të SHBA-së së tj, apo edhe të armikes më të egër të Perëndimit, Rusisë së Vladimir Putinit. Tradhtia e Trump ndaj aleatëve tanë europianë, do të kujtohet si kapitulli më i errët në historinë e aleancës së NATO-s, dhe nuk do të korrigjohet për aq kohë sa në pushtet do të jetë Trump. Respekti i pakursyer i Donald Trump ndaj armikut kryesor të Perëndimit – Putinit – ishte pa dyshim i neveritshëm dhe i çuditshëm, në mos një tradhti e hapur.

Një mundësi historike

Për shkak të kësaj sjelljeje kaotike, Trump i ka dhënë tashmë një mundësi historike Bashkimit Europian, që të rivlerësojë rolin dhe angazhimin e tij ndaj aleancës së saj me SHBA. Ndërsa BE-ja duhet të bëjë çdo përpjekje për të ruajtur integritetin e aleancës, ajo duhet të përpiqet që t’i japë fund varësisë psikologjike dhe emocionale të saj ndaj Shteteve të Bashkuara, dhe të zhvendosë aleancën me Amerikën drejt një reciprociteti të objektivave strategjike. Kjo do të thotë se BE-ja, duhet të jetë e përgatitur të veprojë në mënyrë të njëanshme dhe të pavarur, kur kërcënohet interesi kolektiv i sigurisë kombëtare, me ose pa mbështetjen e SHBA. Brukseli, do të jetë shumë më i respektuar nga Shtetet e Bashkuara, dhe do të trajtohet si i barabartë duke kultivuar një qëndrim të pavarur, i cili duhet të mbështetet pavarësisht se kush ndodhet në Shtëpinë e Bardhë. Për këtë qëllim, BE duhet të zhvillojë vizionin e vet, se ku dëshiron të jetë në 15-20 vitet e ardhshme, dhe çfarë masash duhet të marrë për të ruajtur integritetin e aleancës europiane. Dera do të mbetet e hapur për udhëheqjen e Amerikës, por nën një president të arsyeshëm dhe parimor, i cili kupton vlerat e mëdha të aleancës.

Mbrojtja europiane

Por këtë herë, BE-ja duhet të ndërtojë mekanizmin politik dhe të mbrojtjes, me gjithçka që nënkupton qëndrimi më vete. Pavarësisht nga fakti që kancelarja gjermane Angela Merkel, i ka dredhuar deri më sot çështjes së mbrojtjes europiane, për shkak të historisë së turpshme të nazizmit, ajo më në fund ka arritur në përfundimin pas incidenteve të shkaktuara nga Trump, se është koha që komuniteti europian të kujdeset vetë për veten. Mbi të gjitha, ajo i pason fjalët me vepra konkrete. Pavarësisht nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian duhet të forcojë aftësitë e tij ushtarake, dhe të ndërtojë një pengesë të besueshme kundër Rusisë. Si e tillë, BE duhet të mbetet forca ushtarake më e fuqishme në Europë brenda kornizës së NATO-s, dhe të ndajë të gjitha fondet e nevojshme në funksion të këtij qëllimi. Në këtë drejtim, unioni duhet të rivlerësojë besueshmërinë e Turqisë si një anëtare në NATO, dhe nuk duhet të përjashtojë mundësinë e përjashtimit të saj nga aleanca, për aq kohë sa Ankaraja po sfidon Traktatin e NATO-s, po konsumon shkelje të saj të rënda të të drejtave të njeriut në vend, si dhe po flirton me armikun kryesor të Europës, Rusinë.

BE duhet të reformohet

Bashkimi Europian, duhet të konsolidojë gjithashtu institucionet e tij, duke e reformuar kushtetutën e tij, dhe veçanërisht procesin e vendimmarrjes, për të miratuar në kohën e duhur politikat më efektive. Kjo është shumë e rëndësishme, sidomos tani që Brukseli përballet me trazirat në lidhje me Brexit, si dhe me mosmarrëveshjet e brendshme politike. Për më tepër, BE duhet të ngrejë një strukturë të përhershme financiare, që të adresojë nevojat e vendeve anëtare, të cilat përjetojnë vështirësi financiare, sikurse është Greqia. Bashkimi Europian, duhet të ngrijë integrimin e mëtejshëm të shteteve anëtare, deri në kohën kur të ketë realizuar shumicën e reformave të saj. Ndërkohë, BE duhet të zhvillojë dhe ushqejë marrëdhënie me të gjithë kandidatët potencialë për anëtarësim, veçanërisht vendet e Ballkanit, për të frenuar ambiciet e presidentit turk, Erdogan, nga joshja e këtyre shteteve për të hyrë orbitën e tij islamike. BE, ka gjithashtu nevojë të përqendrohet në zgjidhjen e konflikteve, veçanërisht në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, pasi ato kanë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë në Europë. BE ka interesa të drejtpërdrejta strategjike dhe të sigurisë, për të luajtur një rol aktiv në kërkimin e një zgjidhjeje të konflikteve në Libi (një nënprodukt i rolit europian në rrëzimin e Gedafit), dhe Jemen, dhe me siguri duhet të bëjë përpjekje të vazhdueshme për të gjetur një zgjidhje për konfliktin izraelito-palestinez, sado iluzive që mund të duket kjo e fundit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Vettingu edhe për politikën: A duhet bërë, a mund të bëhet?

Projekti i opozitës për kontrollin e politikanëve ndonëse ka marrë ok verbal...
Read More