Trajtim për diabetin e shtatzënisë, këshilla edhe për shëndetin e foshnjës

Mënyra e jetesës përfshirë ushqimin e shëndetshëm dhe aktivitetin fizik, pesha optimale trupore dhe kontrollet e shpeshta mjekësore, janë aleatët tuaj më të fortë në parandalimin e rishfaqjes së diabetit.

Diabeti i shtatzënisë shfaqet 3-10% të shtatzënave, nuk ka mjekim që të mund të parandalojë shfaqjen e tij megjithatë ka disa mënyra jetese, të cilat mund të ulin rrezikun për shfaqjen e këtij lloj diabeti. I cili ndryshe nga diabeti tip 1 apo tip 2 që zgjasin gjatë gjithë jetës, në shumicën e rasteve diabeti i shtatzënisë kalon pas lindjes së bebit. Dietologia klinike Blerina Bombaj, parashtron një terapi ushqimore, qëllimi i së cilës është trajtimi i diabetit të shtatzënisë, e cila parandalon komplikacionet, normalizon gliceminë, yndyrat dhe aminoacidet, po kështu edhe ndihmon rritjen optimale të fetusit.

Diabeti

Diabeti gestacional (ose i shtatzënisë) presupozon një rritje të nivelit të glukozës (sheqerit) në gjakun e nënës gjatë shtatzënisë. Nivelet e glicemisë në gjak rriten në ato raste kur trupi i njeriut nuk prodhon në sasi të mjaftueshme një hormone të quajtur insulinë. Insulina ndihmon; muskujt dhe indet e trupit tuaj që të përdorin glukozën në gjak për energji. Organizmin të ruajë çdo “tepricë” glukoze e cila nuk nevojitet. Ndaj dhe gjatë shtatzënisë, trupi juaj duhet të prodhojë insulinë shtesë, sidomos në pjesën e dytë të shtatzënisë. Shtatzëna ka nevojë për insulinë shtesë për shkak të hormoneve placentare që ulin përgjigjen ndaj insulinës (ndjeshmërinë ndaj saj). Kjo do të thotë se kemi insulin-rezistencë. N.q.s. trupi juaj nuk arrin do të përmbushë këtë “detyrë”, atëherë nivelet e glukozës në gjak do të rriten dhe ju mund të zhvilloni diabet gestacional (të shtatzënisë). Nivelet e rritura të glukozës në gjak mund të shkaktojnë problem për ju (komplikacione materne) dhe për bebin (komplikacione fetale). Për këtë arsye shtatzënia me diabet gestacional konsiderohet high risc pregnancy dhe kërkon një kujdes më të madh.

Rast

Dietologia Bombaj për t’u ardhur në ndihmë, nisur nga një rast klinik jep shembull terapeutik. Një grua 31 vjeç; pesha 86 kg; gjatësia 162 cm; BMI 33kg/m2; java 28 e shtatzënisë. Kalorazhi ditor për një grua shtatzënë llogaritet 30-35 kcal/kg në ditë. Në rastet kur pesha e gruas futet në kategorinë e obezitetit, rekomandohet një kalorazh prej 25 kcal/kg në ditë. Për këtë arsye terapia ushqimore do synojë që të parandalojë komplikacionet, normalizojë gliceminë, yndyrat dhe aminoacidet, si dhe të sigurojë rritjen optimale të fetusit. Për këtë arsye duhet që shtimi i nënës në peshë të jetë: tremujorin e parë 0,5 – 1kg; tremujorin e dytë dhe të tretë 0,2-0,5kg/javë.  Duhet që të ketë një kontroll të  rreptë të peshës së gruas kur ajo është obeze, të kontrollojë hipertensionin. Parandalimin e akumulimit të ketozës, koordinimin e ushqimit me insulinën, parandalimin e hipoglicemisë, infeksioneve urinare dhe kandidiasit. Të ketë aktivitet fizik pas ushqimit mund të ndihmojë ndjeshëm si dhe të ketë inkurajim për ushqyerje me gji.

Këshilla

Për këto arsye dietologia këshillon që të matni sheqerin rregullisht. Përpiquni të konsumoni 3 vakte kryesore dhe 4-5 vakte të vogla midis, në mënyrë që të kontrollohet më mirë glicemia. Vaktet duhet të konsumohen me diferencë 2-3 orë nga njeri tjetri, jo më shumë. Konsumoni gjithmonë një vakt të vogël para gjumit. Vaktet e vogla të përmbajnë karbohidrate. Këshillohet marrja e një suplementi multivitamine, i cili të përmbajë 600microgram acid folik, 30-60mg hekur, vitaminë C, dhe kalcium.  Konsumoni shpesh ushqime të pasura në Krom si brokoli, tërshëra, buka e zezë dhe elbi. Mbani me vete ushqime me karbohidrate si krakera, fruta, bajame  etj. Kontrolloni nivelin e vitaminës D në gjak, nëse është i ulët duhet të merrni suplement në formën D3, pasi kjo mund të ndikojë ndjeshëm në rritjen e sensitivitetit të insulinës. Preferoni drithëra dhe nënprodukte të tyre, të plotë në krunde si makarona dhe oriz kaf. Kuinoa dhe elbi janë gjithashtu drithëra shumë të ushqyeshme. Sasia e karbohidrateve nuk duhet të jetë më pak se 175gr në ditë. Në përpjekjen tuaj për të evituar insulinën, nuk duhet në asnjë mënyrë të rrezikoni mungesën e sheqerit të nevojshëm gjatë ditës. Ndër ëmbëltuesit artificial duhet të evitoni sakarinën. Konsumoni shpesh peshkun e vogël të kaltër si sardelet, skumberin dhe açuget. Merrni vaktet me diferencë 2-3 orë nga njëri -tjetri, në orare dhe konsistencë të njëjtë. Zgjidhni bulmet pa yndyrë. Merrni një multivitaminë me 600mcg acid folik, 30-60mg hekur, vitaminë C dhe kalcium të bollshëm. Ecja pas ushqimit ju ndihmon të ulni gliceminë pas vaktit. Pas lindjes, kontrolloni gliceminë pas 6-12 javëve të para. Gjidhënia ju ndihmon të ulni rrezikun e diabetit në vazhdimësi. Mënyra e jetesës përfshirë ushqimin e shëndetshëm dhe aktivitetin fizik, pesha optimale trupore dhe kontrollet e shpeshta mjekësore, janë aleatët tuaj më të fortë në parandalimin e rishfaqjes së diabetit. 

 

Përbërja dietetike e regjimit ditor:

Energji: 2000kcal/ditë (25kcal/kg)

Karbohidrate: 100gr (40% të kalorive ditore)

Proteina: 100gr/ditë (20% të kalorive ditore)

Yndyra: 89gr/ditë (40% të kalorive ditore)

 

Meny ditore

Mëngjes: 2 njësi CHO

1 gotë qumësht ose 180ml kos natyral (1njësi)

1 fetë bukë thekre ose ½ kupë tërshërë (1njësi)

30gr gjizë pa kripë ose 1 kokërr vezë

Snack 1 (1 njësi)

1 frutë të stinës

Snack 2 (1 njësi)

1 gotë qumësht pa yndyrë

Drekë: 4 njësi CHO

1 sallatë me dy kupa perime të ndryshme, të freskëta, 1 lugë të madhe fara lini, 30gr djathë dhie, 1 lugë të madhe vaj ulliri, pak lëng limoni ose uthull molle

1 kupë oriz integral ose makarona integrale ose 1 kupë bizele ose 3 patate të vogla (250gr) ose 1 ½ kupe fasule ose qiqra ose thjerrëza (3 njësi)

90gr mish pa dhjamë ose shpend ose peshk i kaltër (skubri, sardele, açuge, ton, vopë, stavridh, karkalec, oktapod)

1 mollë të vogël (1 njësi)

Snack 3 (1njesi)

180 ml kos pa yndyrë

Snack 4 (1 njësi)

2-3 arra Brazili ose arra vendi

½ filxhani lëng portokalli të shtrydhur

Darkë: 3 njësi CHO

1 ½ kupa me gjethe të ndryshme jeshile, 1 lugë vaj ulliri, 1 lugë të madhe elb të zier, pak uthull mollë

90gr peshk sardele ose açuge ose oktapod ose gjoks pule ose mish viçi

1 kupë fasule ose thjerrëza ose qiqra ose makarona integrale ose oriz të zi ose kuinoa (2 njësi)

180ml kos ose 1 gotë qumësht (1 njësi)

Para gjumit (1 njësi)

1/2 banane të vogël ose 2-3 feta ananas të freskët + 1 lugë të madhe lëvore tërshëre të zier me ujë dhe kanellë

Ujë: 2 – 2,5 litra/ditë

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Preludi i opozitës së re

Protesta e sotme do të jetë testi i parë i opozitës PD-LSI....
Read More