Tranzitologjia: Një kritikë anti-teleologjike

Nga Gerti Sqapi

Rënia e murit të Berlinit dhe përfshirja e një numri gjithmonë e më të madh vendesh në të ashtuquajturën “vala e tretë” e demokratizimit me përmbysjen e regjimeve të tyre të mëparshme autoritare/totalitare, i dha shtysën kryesore studimeve mbi tranzicionin. Duke u nisur nga eksperienca e mëparshme e disa vendeve të demokratizuara në Europën Jugore (te rasti i Spanjës kryesisht, por pa harruar edhe rastet e Portugalisë dhe Greqisë) dhe të pak vendeve në Amerikën e Jugut, të shtyrë sigurisht edhe nga entuziazmi i karakterizuar nga zhvillimet e reja që po ndodhnin në peizazhin politik botëror në fundin e viteve ’80, një numër gjithnjë e më i madh veprash e studimesh mbi demokratizimin filluan të botoheshin “nën çatinë” e asaj që po bëhej një (nën)disiplinë e re dhe premtuese akademike: tranzitologjia. Në të vërtetë, zhvillimi dhe synimi i kësaj literature të re që po dilte gjithnjë e më shumë në pah nuk ishte dhe aq modest në vetvete, pasi nuk limitohej vetëm në përpjekjen për të kuptuar apo shpjeguar ngjarjet, proceset apo fenomenet e ndryshme të cilat po zhvilloheshin gjatë kohës së cilës po flasim. Synimi i tyre shkonte më tej se kaq. Të orientuara më së tepërmi drejt qëllimit (dëshira për të parë demokracinë të triumfonte në ato vende që sapo kishin dalë nga regjimet autoritare apo totalitare), si dhe duke theksuar se nuk kishte nevojë për parakushte të veçanta për demokratizimin, synimi i këtyre studimeve të reja tranzitologjike që po shfaqeshin ishte praktikisht që ato edhe të ktheheshin në udhërrëfyes të suksesshëm për vendet e reja që po kërkonin të demokratizoheshin. Megjithatë, me shtrirjen konceptuale të këtij modeli të tranzicionit edhe me vendet që u përfshinë më vonë në të ashtuquajturën valë të tretë të demokratizimit, u shfaqën edhe të metat dhe problemet e para të kësaj paradigme. Në këtë punim synohet të bëhet një kritikë ndaj telos-it që karakterizon kryesisht qasjen e tranzitologjisë, si dhe të kuptojë nëse konceptet dhe supozimet bazë teorike të kësaj qasjeje na ndihmojnë ose jo në kuptimin e proceseve të demokratizimit në vende të ndryshme.

Konceptet dhe supozimet bazë të tranzitologjisë

Kuadri konceptual që ofrojnë tranzitologjistët për lindjen e demokracive të reja dhe shpjegimin e proceseve të demokratizimit në vende të ndryshme, sfidonte hapur studimet e mëparshme mbizotëruese të demokratizimit. Këto studime në fjalë, deri atëherë bazoheshin kryesisht në qasjet strukturaliste apo ato modernizuese të cilat e shihnin lindjen dhe zhvillimin e demokracisë si një proces të ngadaltë dhe evolucionar dhe që kërkonte përmbushjen e disa parakushteve më parë. Kështu, modeli që propozojnë tranzitologjistët nuk fokusohet më te faktorët funksionalë apo strukturorë, por përkundrazi ai e “braktis kërkimin e “parakushteve funksionale” për demokracinë” . Një pohim të tillë duket se bën pak vite më pas nga Dankwart Rustow, edhe Juan Linz, një nga baballarët më vonë të tranzitologjisë dhe konsolidologjisë, kur deklaronte se “dinamika e vërtetë e proceseve politike duhet të kërkohet te zgjedhjet e bëra nga aktorët politikë dhe jo te strukturat sociale” . Në këtë kontekst bashkë me demokratizimet e papritura dhe relativisht të suksesshme të Spanjës, Portugalisë, Greqisë dhe pak vendeve në Amerikën Latine, edhe vepra kryesore e tranzitologjisë me bashkautorë Guillermo O’Donnell dhe Philippe C. Schmitter, do të deklaronte se nuk ishin të nevojshme parakushte për demokratizimin, duke u fokusuar kështu ekskluzivisht mbi variabilet shkakësorë të agjentit (elitave, aktorëve politikë). Një qasje e tillë që po lindte duket se ishte dhe mjaft tërheqëse për t’u adaptuar dhe për të shpjeguar atë që shumë veta në atë kohë e konsideronin “revolucion demokratik mbarëbotëror”, ku në kulmin e valës së tretë më shumë se 50 vende kishin përmbysur regjimet e tyre të mëparshme autoritare. Tranzitologjistët argumentonin se tranzicionet nga regjimet autoritare drejt demokracisë vareshin shumë më pak nga nivelet e zhvillimit dhe modernizimit të një vendi se sa nga se sa zgjedhjet kontingjente dhe strategjike të aktorëve politikë të përfshirë në këtë proces. Kështu duke ndjekur punën pioniere të autorëve si Dankwart Rustow, Guillermo O’Donnell dhe Philippe C. Schmitter, më vonë edhe autorë të tjerë të qasjes së tranzitologjisë do të eksploronin më vonë nocionin thelbësor se demokratizimi është produkt i kontingjencës dhe zgjedhjes, bazuar mbi vendimet e aktorëve që kërkojnë ta lundrojnë paqartësinë midis regjimit të vjetër dhe sistemit të ri të negociuar (demokracisë) . Në këtë mënyrë, duke anashkaluar pa shumë shqetësim problemet strukturore me të cilat mund të përballeshin regjimet e reja në rrugën e tyre drejt demokratizimit, qasja e re e tranzitologjisë nxirrte në plan të parë ndërveprimin strategjik dhe të ndërgjegjshëm midis elitave si faktor kyç për demokratizimin. Këto elita, edhe pse mund të vepronin në një proces kompleks dhe të vështirë, prapë se prapë ishin të afta ta lundronin me sukses regjimin drejt vendosjes së demokracisë pavarësisht kontekstit strukturor të vende të tyre. Tranzicionet (drejt demokracisë) përfaqësojnë një zgjedhje eksplicite nga sektorët vendimtarë të komunitetit politik të cilët kërkojnë dhe mobilizojnë për një tranzicion drejt demokracisë ndërkohë që kontrollet institucionale mund të ndryshojnë .

Një nga supozimet bazë të tranzitologjisë, që siç edhe Thomas Carothers e ka cilësuar si më gjithëpërfshirësi dhe si një ombrellë për supozimet e tjera, është se çdo vend që largohet nga një qeverisje diktatoriale mund të konsiderohet një vend në tranzicion drejt demokracisë . Duke u bazuar tek kjo strukturë konceptuale e qasjes së tranzitologjisë, analistë, promovues të ndryshëm të demokracisë, por edhe akademikë, nisën t’i trajtonin dhe shpjegonin tendencat e ndryshimeve politike që ndodhnin në vende të ndryshme të globit si pjesë apo hapa që hidheshin drejt kalimit për në demokraci. Kështu duke e anashkaluar apo duke u përballur pa shumë problem me çështjen e “shtrirjes konceptuale” të saj, për ato që e përqafuan shpejt këtë qasje të tranzitologjisë dhe filluan të shihnin çdo tendencë ndryshimi politik nëpërmjet lenteve të saj, praktikisht të gjitha vendet e botës e gëzojnë të drejtën e etiketimit si “vende në tranzicion” drejt demokracisë.

Një supozim tjetër i rëndësishëm i qasjes së tranzitologjisë është se demokratizimi priret të ndjekë apo të shpaloset nëpërmjet asaj që njihet si modeli i tranzicionit që konsiston në tre faza. Në fazën e parë ndodh hapja, një periudhë fermentimi demokratik dhe liberalizimi politik në të cili ndarjet shfaqen brenda regjimit sundues diktatorial, me linjën më të spikatur që është ajo midis hardliners dhe softliners . Më pas në fazën e dytë, ndjek një thyerje (breakthrough) në regjimin e vjetër, një moment kur kemi edhe kolapsin e tij si dhe daljen e sistemit të ri demokratik: shfaqjen e pluralizmit politik, formimin ose ringjalljen e shoqërisë civile, si dhe shpalljen/mbajtjen e zgjedhjeve ku rezultati i të cilave është i paqartë (uncertain outcome) . Mbajtja e atyre që njihen edhe si zgjedhjet themeluese të regjimit të ri, si dhe pranimi i rezultateve të tyre të paqarta thuhet se shënojnë edhe fundin e tranzicionit nga sundimi autoritar dhe vendosjen e qeverisjes demokratike. Konceptualisht, siç edhe Guillermo O’Donnell e ka bërë dallimin më vonë, ne kemi të bëjmë me dy tranzicione: njëri është tranzicioni drejt demokracisë (ai drejt vendosjes së një qeverisje të zgjedhur demokratike, faza e dytë këtu), ndërsa tjetri është tranzicioni drejt një regjimi demokratik të institucionalizuar, të konsoliduar. Pikërisht konsolidimi i demokracisë përbën edhe fazën e tretë sipas këtij modeli, që i referohet atij procesi në të cilën demokracia dhe kuadri i saj institucional përbëjnë kornizën e vetme të rregullave të lojës për (të gjithë) shoqërinë, dhe ku aktorët e saj të ndryshëm politik dhe shoqëria në tërësi mësohen, i përshtaten dhe luajnë konform tyre etj.

Një presupozim i katërt që rrjedh prej paradigmës së tranzicionit, i lidhur deri diku edhe me idenë e shpalosjes së demokratizimit në faza apo sekuenca, është ai i besimit mbi rëndësinë vendimtare që kanë zgjedhjet për rrugën e demokratizimit të vendeve që dalin nga regjime autoritare/diktatoriale. Kështu Thomas Carothers argumenton se ndërsa promovuesit e ndryshëm të demokracisë kanë besuar në vënien e shenjës e barazisë midis zgjedhjeve dhe demokracisë, ato kanë pasur edhe pritshmëri të larta në lidhje me mbajtjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve të drejta e të rregullta, duke besuar se ato do të shërbenin për forcimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike të një vendi, do të zgjeronin dhe thellonin pjesëmarrjen politike si dhe llogaridhënien demokratike të shtetit ndaj qytetarëve . Siç edhe Rose dhe Shin kanë vërejtur, studime të ndryshme në pikën e valës së tretë të demokratizimit arritën deri aty sa të trajtonin institucionalizimin e konkurrimit elektoral si të mjaftueshëm për të konsoliduar demokracinë .

Një presupozim i fundit, por jo më pak i rëndësishëm që mund të kuptohet prej një pjese të mirë të literaturës së tranzicionit është ai sipas të cilit mënyrat e tranzicionit nga sundimi autoritar kanë ndikime të rëndësishme mbi stabilitetin, modelimin, si dhe në perspektivat e konsolidimit të regjimeve (të presupozuara demokratike) të reja. Në veçanti, kjo literaturë mbi mënyrat e ndryshme të tranzicionit e vendos theksin mbi rëndësinë që kanë paktet midis elitave si dhe forma të tjera konsensusi midis tyre që konsiderohen se janë të favorshme dhe nxitëse për procesin pasues të demokratizimit në një vend. Një pakt mund të përkufizohet si një marrëveshje eksplicite, por jo gjithmonë e shtjelluar apo e justifikuar publikisht, ndërmjet një grupi të caktuar aktorësh të cilët kërkojnë të përcaktojnë (ose, më saktë, të ripërcaktojnë) rregullat që rregullojnë ushtrimin e pushtetit mbi bazën e garancive të përbashkëta për “interesat jetësorë” të atyre që hyjnë në to. Paktet apo marrëveshjet midis aktorëve të ndryshëm politikë që udhëheqin procesin e tranzicionit shihen si të rëndësishme për të shmangur rezultatet e padëshiruara (dhunën, revoltat me pasoja nga masat e mobilizuara), reduktojnë kontingjencën dhe paqartësinë e qenësishme që karakterizojnë një proces të tillë dinamik, shpërndajnë përfitimet në mënyrë përpjesëtimore midis aktorëve politikë në lojë, si dhe mbi të gjitha garantojnë “interesat jetësorë” (mos përjashtimin nga skena politike) të gjithsecilit: atyre që janë në pushtet dhe sfiduesve në opozitë. Një elementi të tillë në qasjen e tranzitologjisë, shpesh autorë të ndryshëm i janë referuar si “paktologji”, nocioni se liderët autoritarë dhe opozita demokratike duhet të bëjnë pakte për mbrojtje reciproke përpara se demokracia të mund të vazhdojë. Negocimet, përpjekjet për ujdi si dhe marrëveshjet midis palëve shihen si qendrore në gdhendjen e demokracisë.

Një kritikë anti-teleologjike ndaj përgjithësimeve teorike të qasjes së tranzitologjisë

Nëpërmjet atyre që kemi shtjelluar deri më tani si konceptet dhe kryesore të qasjes së tranzitologjisë , tranzitologjistët kanë pretenduar jo vetëm të shpjegojnë por edhe të ndihmojnë vende të ndryshme duke udhëzuar rrugën e ndryshimit të regjimit nga ai autoritar/totalitar në atë demokratik. Ndërsa veprat më të hershme të tranzitologjisë që i kemi përmendur tashmë, u përqendruan dhe u përpoqën të nxirrnin konkluzione duke u bazuar kryesisht mbi eksperiencën gati ex post facto të disa vendeve që kishin arritur të kryenin tranzicione të suksesshme regjimi në fundin e viteve ’70 dhe vitet ’80 (me Spanjën si rastin kryesor paradigmatik), tranzitologjistët e mëvonshëm menduan ta shtrinin (dhe ta zhvillonin më tej) kuadrin konceptual të paradigmës së tranzicionit edhe me vende që mund të thuhet se nuk u imagjinuan kurrë fillimisht. Kështu, tranzitologjistët pretenduan se kuadri konceptual i zhvilluar në Europën Jugore dhe Amerikën Latine ishte i vlefshëm edhe për Europën Lindore dhe rajone të tjera gjeografike të botës, pasi “duke u mbështetur te një grup konceptesh, presupozimesh dhe hipotezash universale, është e mundur të shpjegohen dhe madje edhe të drejtohen ndryshimet nga regjimet autokratike drejt atyre demokratike” . Megjithatë, një pretendim i tillë duket se nuk qëndron më në ditët e sotme, dhe se modeli i zhvilluar nga tranzitologjistët dhe konsolidologët nuk vlen më për të shpjeguar realitetin politik të shumë prej atyre vendeve në rajone të ndryshme të botës, të cilët edhe pse të çliruara nga regjime autoritare/totalitare gjatë të ashtunjohurës valë e tretë e demokratizimit e më tej, nuk kanë arritur (dhe duket se as nuk do të arrijnë për një kohë mjaft të gjatë) drejt vendosjes apo institucionalizimit të plotë të demokracisë. Pra, thënë me fjalë të tjera, se kuadri konceptual i paradigmës së tranzicionit nuk vlen për të shpjeguar procesin e demokratizimit drejt së cilës presupozohej se po shkonin këto vende. 25 vite pas rënies së murit të Berlinit dhe kolapsit të Bashkimit Sovjetik, që shënonte edhe kulmin e të ashtuquajturës vala e tretë, literaturë e tranzicionit nuk është më e aplikueshme për të kuptuar zhvillimet politike në shumë shtete dhe rajone të ndryshme të botës sot.

Kritika më e madhe që i adresohet qasjes së tranzitologjisë këtu është se një qasje e tillë në thelb të saj karakterizohet nga një dimension dhe tendencë e fortë teologjike në vetvete, duke ndërtuar kështu modele shpjeguese për demokratizimin që janë të orientuara më së tepërmi drejt telos-it (qëllimit) dhe që anashkalojnë të kuptuarin e kompleksitetit dhe specifikave të veçanta të këtij procesi në vende të caktuara. Kështu, duke u përqendruar më së tepërmi drejt qëllimit – që në këtë rast është zhvendosja e shoqërive që dalin nga regjime autoritare drejt modelit të demokracisë liberale – tranzitologjistët janë përpjekur të parashtrojnë edhe fazat konkrete nëpër të cilat demokratizimi shihet të kalojë, duke e shpjeguar atë si një proces që ecën (thuajse) në mënyrë racionale dhe pa i kushtuar shumë vëmendje specifikave të veçanta të kontekstit të secilit vend (kujtoni më lart autorët tranzitologjistë: gjeografia dhe kultura politike nuk kanë më rëndësi; faktorët strukturorë “makro” nuk janë dhe aq përcaktues). Ndryshe nga qasjet e tjera në lidhje me demokratizimin, dimensioni teleologjik është akoma më i dallueshëm në qasjen tranzitologjike, e cila pothuajse e injoron trashëgiminë historike dhe sociale duke parashtruar fazat konkrete nëpër të cilët aktorët politikë duhet të kalojnë për ta zhvendosur një vend nga autoritarizmi drejt një modeli të caktuar të liberal demokracisë . Një qasje tillë pra, priret t’i shpjegojë ndryshimet apo transformimet politike thuajse në terma të një procesi racional, i cili në mënyrë progresive e të vazhdueshme shkon drejt një rezultati fundor teleologjikisht të paracaktuar dhe të dëshiruar: që në këtë rast është konsolidimi i demokracisë në një vend të caktuar. Siç e kemi përmendur dhe më lart në këtë punim, një kritikë të tillë ndaj kësaj qasje e ka pohuar edhe vetë një prej themeluesve kryesorë të saj, Guillermo O’Donnell, i cili e pranon se ka pasur një tendencë të fortë teleologjike përgjatë kësaj literature (të tranzicionit dhe konsolidimit të demokracisë)” . Qasja e tranzitologjisë, përveç se mund të kritikohet si vullnetariste në interpretimin e saj që gati shkon edhe përtej një logjike normative, është edhe e gabuar dhe e paaftë për të na ndihmuar të kuptojmë zhvillimet politike në shumë prej vendeve të valës së tretë, të cilat edhe pse u çliruan nga regjime autoritare gjatë periudhës në fjalë nuk kanë shkuar drejt demokracisë. Në fakt, eksperienca e përjetuar e shumë prej këtyre vendeve ka treguar se demokratizimi (ashtu si edhe procese të tjera sociale në përgjithësi) rrallë mund të shpjegohet në terma të një procesi që ecën në mënyrë lineare racionale apo edhe natyrale siç pretendojnë disa tranzitologjistë, dhe se ai është shumë më tepër kompleks në vetvete duke përfshirë një shumësi faktorësh (strukturorë, socialë, historikë) që ndikojnë në rezultatin e tij.

Mbizotërimi i regjimeve autoritare apo gjysmë-autoritare (regjimet hibride) në shumë vende të valës së tretë, por edhe gjendja e “jo konsolidimit të zgjatur” të shumë të tjerave prej tyre e ka ngatërruar dhe, shpesh madje edhe, hedhur poshtë telos-in e demokratizimit të paradigmës së tranzicionit. Kështu, alternativa një drejtimore – “në tranzicion drejt demokracisë” – që kjo qasje nënkupton nuk është e saktë dhe nuk përputhet me realitetin politik që ajo përpiqet të shpjegojë. Zhvillimet politike apo drejtimet e ndryshme që një pjesë e mirë e këtyre vendeve të valës së tretë kanë marrë gjatë fundit të shek. XX dhe fillimit të shekullit XXI, kanë treguar se ndryshimi i regjimit ka qenë (dhe është) krejt ndryshe nga ai të qenurit një proces teleologjik. Një realitet i tillë i regjimeve politike të këtyre vendeve të valës së tretë tregon se është jo vetëm shumë më tepër kompleks në vetvete duke prodhuar variacione të ndryshme regjimesh (madje që kanë qenë edhe të qëndrueshme, për një kohë relativisht të gjatë tashmë), por edhe që e ka hedhur poshtë idenë e një “progresi natyral” të orientimit të tyre drejt demokracisë. Siç edhe Steven Levitsky dhe Lucan Way kanë vërejtur: “Megjithëse disa regjime hibride (Meksika, Senegali, Tajvani) iu nënshtruan tranzicioneve demokratike gjatë viteve ’90, të tjera (Azerbajxhani, Bjellorusia) lëvizën në një drejtim të dallueshëm autoritar. Përsëri të tjera ose mbeten të qëndrueshme ose lëvizën në drejtime të shumëfishta (Malajzia, Rusia, Ukraina, Zambia, Zimbabve), duke i bërë nënkuptimet një drejtimore të botës “tranzicionale” çorientuese” .

Po kështu, edhe po t’i referohemi numërimit të bërë nga Barbara Geddes mbi regjimet politike, “nga tetëdhjetë e pesë regjime autoritare që u rrëzuan gjatë të ashtuquajturës valë e tretë e demokratizimit, tridhjetë e katër rezultuan në diktatura të reja, tetë rezultuan në regjime mikse, dhe katër përfunduan në luftë” . Pra, autorët theksojnë drejtimet e ndryshme dhe alternative që zhvillimet e regjimeve mund të marrin, duke e bërë në këtë mënyrë të pakuptimtë gjuhën tranzicionale që nënkupton ndryshimin e drejtuar të këtyre vendeve drejt (ose larg) demokracisë. Një gjë të tillë ka argumentuar edhe Thomas Carothers kur vë në dukje se: “Për disa vite tashmë, ka qenë e qartë se një numër i madh i regjimeve të reja nuk janë në vetvete demokratike, dhe as më “në tranzicion” drejt demokracisë… Edhe pse modelet më të zakonshme politike të disa prej këtyre vendeve përfshijnë elementë te demokracisë, ato duhen kuptuar si drejtime alternative, dhe jo si stacione në rrugën drejt demokracisë liberale” . Zhvillimet politike në këto regjime, të cilat edhe pse lejojnë shprehjen e pluralizmit dhe hapësira për partitë opozitare dhe shoqërinë civile i thyejnë vazhdimisht në parimet dhe procedurat e demokracisë mjediset e tyre, e vë në dyshim të madh implikimin e këtij supozimi të parë dhe në thelb edhe të vetë paradigmës së tranzicionit, se ato janë në rrugën e tyre drejt demokracisë. Është bërë gjithnjë e më e qartë tashmë se shumë nga këto regjime nuk janë më “në tranzicion” nga një regjim në tjetrin por përdorin mekanizma selektivë të demokracisë për të krijuar “zona gri” të institucionalizuara . Kjo përbën edhe kushtin më të përhapur në të cilat ndodhen një pjesë e mirë e regjimeve të vendeve të valës së tretë, me modele politike që përfshijnë kufizime të shumta (zakonisht informale) në mënyrën e funksionimit të rregullave të demokracisë dhe thyerje të tyre, dhe që janë bërë tashmë një tipar i rregullt apo edhe i ngulitur i tyre.

Dy aspekte problematike metodologjike të qasjes së tranzitologjisë

Paaftësia e literaturës së tranzitologjisë për të shpjeguar apo hedhur dritë mbi shpjegimet komplekse të demokratizimit vjen edhe si pasojë e kombinimit të dy faktorëve metodologjikë. Së pari, kjo literaturë fokusohet tek shpjegimi i proceseve të demokratizimit në raport me një teori të dhënë, më shumë se sa tek kuptimi i tyre brenda kontekstit ku këto zhvillime ndodhin. Tranzitologjia nuk i merr parasysh dallimet e ndryshme si dhe të qenësishme që ekzistojnë midis vendeve apo rajoneve të ndryshme të botës në pretendimin e saj e të qenit një model universal në shpjegimin e demokratizimit. Kështu, edhe autorët e kësaj qasje të tranzitologjisë shpjegimet e tyre i bazojnë mbi modele të përgjithshme apo universale (brenda paradigmës), dhe jo tek karakteristikat apo shpjegimet e veçanta të rasteve. Në fakt, pyetje të tilla si “çfarë është duke ndodhur në një vend të caktuar”, apo “cilat janë specifikat e veçanta që lehtësojnë apo e pengojnë një vend në rrugën e tij drejt demokratizimit” nuk shtrohen kurrë dhe nuk janë tipike për këtë qasje, duke neglizhuar në këtë mënyrë faktorë të rëndësishëm shpjegues që përfshijnë variabile të shumëfishtë dhe që në një pjesë të mirë të tyre duhen kuptuar në funksion të dinamikave të konteksteve të veçanta ku ato ndodhin. P.sh. për të kuptuar zhvillimin e shpejtë dhe të suksesshëm të Spanjës drejt demokracisë në vitet ’70 (kujtoni, rasti paradigmatik që tranzitologjistët marrin si shembull në qasjen për shpjegimin e demokratizimit) në krahasim me ato të fjala bie Rusisë apo Shqipërisë post-komuniste, duhet të kihet parasysh konteksti shumë më i favorshëm shumëplanësh në të cilën ndodhej Spanja në periudhën e pas vdekjes së Frankos: me një shoqëri shumë më të hapur dhe pluraliste, me një kulture politike që kishte kohë që transformohej dhe i përshtatej edhe atyre të shoqërive më të përparuara europiane në atë kohë, me një ekonomi thuajse të pacenuar që madje kishte njohur edhe rritje të konsiderueshme gjatë periudhës së Frankos, me një trashëgimi institucionale gjithashtu thuajse të pacenuar dhe një shoqëri civile të zhvilluar etj. Të gjitha këto në rastin e shoqërive post-totalitare ruse apo shqiptare në fillimin e viteve ’90 është pak të thuhej se nuk ekzistonin dhe ku konteksti ku demokratizimi po ndodhte ishte krejt i ndryshëm. Këtu, nuk është as e rastit që ndër kritikët më të mëdhenj të qasjes së tranzitologjisë dhe të demokratizimit të krahasuar në përgjithësi janë pikërisht ekspertët e “studimeve të zonës” (area studies), për të cilët tranzitologjistët jo vetëm bënin gabimin e neglizhimit e faktorëve strukturorë apo socialë që ndikojnë në proceset e demokratizimit, por edhe sepse ata injoronin specifikat e veçanta apo diferencat thelbësore të konteksteve të ndryshme të demokratizimit në Europën Jugore me ato të Europës Lindore (vendet post-komuniste) . Kështu, ndërsa tranzitologjistët injorojnë kontekstin specifik të secilit vend apo rajon, ato “e shohin atë edhe si diçka që duhet tejkaluar për t’i vendosur dukuritë apo zhvillimet politike në fjalë (demokratizimin në këtë rast) në një kuadër teorik universal. Për pasojë, ky kontekst jo vetëm nuk merret parasysh por anashkalohet si një rrethanë që në fakt fsheh vetë thelbin e problemit” , duke neglizhuar në këtë mënyrë specifika të veçanta apo edhe faktorë të rëndësishëm shpjegues që do na ndihmonin të kuptonin mbi ndodhjen apo vazhdimësinë e fenomene të caktuara negative në vende të ndryshme.

Këtu mund të vijmë edhe tek faktori i dytë metodologjik i qasjeve të demokratizimit, ku bën pjesë edhe tranzitologjia: për sa kohë theksi është tek shpjegimi i universales dhe jo kuptimi i lokales, fokusi metodologjik do zhvendoset nga niveli mikro në atë makro. Pra, niveli makro ka prirje të theksohet në kurriz të kuptimeve apo zhvillimeve në nivel mikro. Neglizhimi i nivelit mikro në këto qasje që strukturën e tyre konceptuale e kanë të bazuar te dimensioni makro është përsëri problematik në shpjegimin e proceseve të demokratizimit në vende të caktuara, pasi edhe në këtë rast anashkalohen rrethana apo faktorë të veçantë politiko-sociale të secilit vend që mund të shpjegonin dhe që, në fund të fundit, mund të argumentohej edhe se i sendërtojnë sjellje, problematika apo dukuri të caktuara. Neglizhenca e nivelit mikro në disiplinën e demokratizimit është kritikuar shpesh dhe veçanërisht nga qasjet etnografike dhe antropologjike, sidomos nga Katherine Verdery. Në përshkrimet konvencionale “të tranzicionit” niveli mikro përcaktohet nga, ose është një shprehje e strukturave, politikave dhe ideologjive të një niveli makro, duke neglizhuar teorizimin e pasojave të paqëllimshme në nivel lokal, si pasojë e kontestimeve kulturore dhe politike” . Pra, dukuritë dhe zhvillimet politikë nuk përcaktohen apo mund të kuptohen vetëm në nivel makro sipas ligjësive universale, por një fokus tek dimensioni mikro, tek faktorë të tjerë në nivel mikro dhe rrethanat specifike politike të secilit vend, është gjithashtu i nevojshëm në analizimin dhe kuptimin e tyre.

*Universiteti Europian i Tiranës, Fakulteti i Shkencave Sociale dhe Edukimit, Shkenca Politike (Fjala në Ditët e Studimeve Shqiptare, UET, prill 2016)

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Çfarë është kjo urrejtje ndaj emigrantëve e një populli emigrantësh?!

Nga Ervis Iljazaj Sigurisht që 600 mijë emigrantë që flitet të vijnë...
Read More