Trashëgimi selektive: Si po ruhet arkitektura enveriste

Debatet për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe këmbëngulja e Ramës për të jetësuar planin e famshëm francez, të lënë përgjysmë nga koha kur ishte kryebashkiak. Si u lanë të vetëshkatërrohen dhe si po shemben objektet arkitekturore të periudhës zogiste e ato të fashizmit dhe përkujdesja e veçantë për veprat e realizuara në komunizëm. Dilema mes ruajtjes së trashëgimisë historike dhe strategjisë politike për të mbajtur gjallë vetëm veprat e pas ‘44-ës për votat e së tashmes…‎

Nga Sebi Alla

E gjitha ishte një teatër i madh, ku si protagonist i “shfaqjes” u bë Kryeministri, ndërsa aktorët profesionistë, ngjanin si spektatorë të një vepre tragjikomike dhe nuk po e kuptonin idenë e thellë të autorit…Teatri Kombëtar i ndërtuar nga arkitekti italian Gherardio Bosio në vitin 1939 do të rrënohet, e mbi të, si shtëpi për artistët një godinë e re do marrë formë. Në këtë shfaqje “premierë”, kreu i qeverisë e bëri të qartë se vendimi ishte marrë dhe diskutime nuk do kishte. “Ndërtesa do shembet dhe mbi gërmadhat e të shkuarës do ngrihet teatri i ri kombëtar. Kushtet e teatrit sot janë poshtëruese për artistët. Nuk do jetë teatër me kullë, por s’do kishte asnjë mëkat të ishte nën kullë, se njerëzit shkojnë të shohin teatër dhe jo kullë. Këtu nuk është historia se çfarë ka sipër apo anash, pavarësisht se sipër do ketë hapësirë teatrale në qiell të hapur dhe anash do ketë hapësirat e veta për artistët”, -tha Rama, ndërsa kur aktorët kërkuan fjalën për diskutim, kreu i qeverisë ishte i prerë: “ky është projekti dhe kështu do të bëhet”! E shkuara quhet gërmadhë, por edhe mbi arkitekturën e vjetër që ka mbetur, ka një selektim kryeministror, kush mbetet, e cila shembet. Ky aksion i padeklaruar, nisi që në kohën kur Rama u shfaq në krye të Ministrisë së Kulturës, duke marrë vendime të njëpasnjëshme me shembjen e kinemave 17 Nëntori, Republika, Partizani apo ish-godina e parë e “Radio Tirana”, më vonë prishja e Stadiumit Qemal Stafa, apo disa shtëpi banimi me arkitekturë italiane, pranë rrugës së Durrësit dhe Kavajës. Një hartim klithje për ndryshim qe ajo e Qemal Stafës, kur ishte ende adoleshent dhe ithtar i komunizmit që po shtrihej edhe në Shqipëri ku shkruajti: “E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, një jetë e re po lulëzon gërmadhash”! Pikërisht mbi stadiumin që mban emrin e tij, “e vjetra u shemb” dhe arena sportive ka marrë formë, duke rënë në sy pikërisht për arkitekturën e saj, me një kullë në mes… Nëse debati merr karakterin se çdo gjë e vjetër do të shembet për një “erë të re” në historinë e arkitekturës, nuk ndodh me veprat e realizmit socialist. Shumë objekte të ndërtuara në atë periudhë me stilin lindor, veçanërisht sovjetik dhe kinez, mbahet ende në këmbë, në përkujdesje të veçantë. Koha e ka treguar.

E vjetra, si e tashme

Një pjesë e historisë rrënohet, e hanë vitet, indiferentizmi dhe kur bashkohen të gjitha, edhe me shtysë qeveritare nga lart, “muret” bien. Kështu dha “shpirt” Teatri Kombëtar, që nisi të rrënohej kohë pas kohe, për të mbërritur në pikën kur i gjithë komuniteti i artistëve kërkoi ndihmë. Ajo erdhi, por me kosto morale, duke rrëzuar Teatrin Kombëtar me arkitekturën italiane të viteve ‘30-40 dhe shfaqur projektin e një teatri modern. Si “resto” qeveria kishte surprizën duke ia lënë në dorë që të ndërtojnë kompani private dhe si shkëmbim t’u jepet leja e hapësira për ndërtimin e shtatë kullave, ngjitur me teatrin. “Nga ana arkitektonike e urbane teatri ka luajtur gjithmonë rolin e një objekti të rëndësishëm pranë aksit monumental të Tiranës, e si balancues human i hapësirës ku ndodhet, ai duhet të vazhdojë ta luajë këtë rol edhe në të ardhmen, duke ruajtur e theksuar përmasën njerëzore në një pjesë të qytetit, e cila lindi që në gjenezë e tillë e që me sa duket do t’i duhet të balancojë qytetin e ardhshëm të kullave e objekteve të lartë”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë. Erdhi pikërisht ai moment që përfundimisht duhej vendosur për Teatrin Kombëtar. Nuk do i ruhet asnjë pjesë kujtese. Kjo neglizhencë me qëllime të qarta, nuk mund të thuhet për veprat e realizmit socialist, që në një formë apo tjetër, gjendet mënyra për t’i mbajtur ende në jetë. Përtej syrit artistik të kryeministrit, eliminimi i së shkuarës para viteve 40’ dhe përkujdesja për veprat e Realizmit Socialist, nuk duket vetëm një nostalgji, por një strategji politike për të ruajtur ekuilibrat e së shkuarës. Duke rimbajtur arkitekturën komuniste, ngjall çdo ditë një kujtesë, që në fund përkthehet në votë. Dhe faktet janë të dukshme. Godina të realizmit socialist si Teatri i Operës dhe Baletit (TOB), Muzeu Historik Kombëtar apo Piramida, nuk u prekën kurrë. Arkitektura e tyre Sovjetike është e ruajtur dhe për ironi të fatit u desh rrafshimi i “Pazarit të Vjetër” në Tiranë në vitet ‘50-60, që të ndërtoheshin ato objekte pa shije, krejtësisht uniforme, që vijojnë të jenë edhe sot. I njëjti debat ishte dy vjet më parë kur u vendos që TOB të kalonte në rikonstruksion të plotë të brendshëm, por me ruajtje me fanatizëm të fasadës, që është ndërtesë tipike e realizmit socialist, me stilin Sovjetik. Brenda ambienteve të saj sot po punohet dhe pas pak muajsh TOB do jetë gati për shfaqjen e parë. Pak më tej, mbahet mirë mes gjelbërimit dhe sheshit të ri “Skënderbej”, Muzeu Historik Kombëtar, edhe ajo me arkitekturë të huazuar nga miqtë e dikurshëm të bllokut lindor. Duke vijuar përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, Piramida është një ngrehinë, por sinjalet janë dhënë që me kalimin e kohës një “dorë kujdesjeje” nga qeveria dhe Bashkia e Tiranës është i garantuar. Edhe një tentativë e ish-qeverisë Berisha për të rrënuar Piramidën dhe mbi të të ngrihej parlamenti i ri, u sfumua shpejt. Zërat më kritikë ishin nga pjesa socialiste, që të mbështjellë nën petkun e arkitektit, specialistit të trashëgimisë kulturore apo të historianit, kundërshtuan me forcë, duke marrë me vete edhe një pjesë të madhe të opinionit publik dhe shoqërisë civile. Projekti mbeti në mes, edhe për shkak të presionit. Ndërsa media ishte gjithnjë prezente në denoncimin e asaj që quhej shkatërrim i memories kulturore të vendit. Në publik është injektuar perceptimi se ringjallja e objekteve të ndërtuara në diktatorë është tentativë për të tërhequr turizmin. Hapja e Bunk’art 1 dhe 2 në Tiranë, ishin shpluhurosja e ndërtimeve të diktaturës dhe arritën të ktheheshin në vende të vizituara, sidomos nga turistë të huaj, që kanë nevojë të orientohen me hartë. Nëse kërkojnë të njihen me objekte të ndërtuara para periudhës komuniste, vështirë të gjenden më në Tiranë. Gjithçka është thuajse e shkatërruar, memoria arkitekturore e para viteve 40’ aktualisht është e vdekur. Skeptikët mund të ngrenë dyshimin se rrënimi i objekteve të para sistemit komunist ka ardhur edhe për mungesë fondesh, por ka diçka që nuk shkon. Prej tri vitesh ka nisur edhe projekti për rikonstruksionin e lapidarëve të ngritur gjatë periudhës komuniste në kujtim të të rënëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një nismë e tillë u përdor gjatë fushatës elektorale të vitit të kaluar, por ndërsa pozohej para lapidarëve, me shaje të kuq, vinin lajme se objekte të trashëgimisë së hershme kulturore që i përkisnin periudhës së Mesjetës shkatërroheshin çdo ditë për shkak të mungesës së mirëmbajtjes dhe rikonstruksioneve të nevojshme.

Të mbetet në histori…

Si një njohës i mirë i komunikimit, kryeministri Edi Rama që në vitin 1998, kur u soll me urgjencë nga Franca, për të kontribuuar për kulturën shqiptare, tentoi të lërë gjurmët e tij, mes shumë debatesh. Fillimisht e nisi me idenë “kthim në identitet”, duke i dhënë një dorë bojë fasadave të ministrive përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Ndërsa ndërtonte, nisi projekti tjetër, që këtë radhë lidhej me prishjen. Të parët që e pësuan ishin Kinema 17 Nëntori, Republika, apo Partizani. Nisma të mjaftueshme për të hapur rrugën e një ideali më të madh, transformimin e Tiranës. Shpejt Rama u katapultua në Bashkinë e Tiranës, për të vijuar një mision që do shënjonte firmën e tij në kryeqytet. Për të ndërtuar formën e një qyteti, sipas vizionit të tij, Rama sërish e nisi me shkatërrime. Për momentin la pak mënjanë ndërtesat e para viteve 40’ dhe filloi fushatën në rrëzimin e objekteve pa leje të ngritura pas viteve 90’, buzë Lanës dhe në çdo qoshe tjetër ku më parë ishin lulishte. Me mbështetjen edhe të ish-kryeministrit të atëhershëm Ilir Meta, kryebashkiaku Rama mori në duar “fadromën” rrafshuese, duke spastruar ato ngrehina të shëmtuara që u ngritën pas anarkisë ndërtimore që kapi vendin. Kjo krijoi sheshe të mjaftueshme për të nisur fazën e dhënieve të lejeve të ndërtimit për pallate. As kaq nuk mjaftonte. Shtëpitë e vjetra karakteristike tiranase fillimisht u shpallën “monumente kulture”, por vetëm për etiketë, pasi asnjë prej tyre nuk kaloi në rikonstruksion për të mbajtur traditën. Disa u shembën nga pamundësia e ndërhyrjes, ndërsa të tjera u shkatërruan nga vetë pronarët, me qëllimin e vetëm që mbi themelet e tyre të ngriheshin pallate. Një pjesë e mirë e pallateve të reja mbajnë firmën e ish-kryebashkiakut Edi Rama, në të tjera la shenjën e tij edhe kryedemokrati Lulzim Basha. Por edhe këtij stili moda i ka ikur, ndaj po mendohet për ndërtimin e kullave të reja shumëkatëshe. Edhe ato të projektuara rrëzë objekteve që kanë mbetur nga trashëgimia arkitekturore e viteve ‘30-40 të shekullit të kaluar. Me nostalgji jo vetëm estetike, por mbi të gjithë ideologjike dhe pragmatiste po mirëmbahen godinat e ngritura gjatë periudhës diktatoriale të Enver Hoxhës dhe pasuesve të tij.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Vjosa ‘tërbohet’, EC: Ku duhet të bëni kujdes, situata do rëndohet

Nisur nga situata e rënduar si pasojë e reshjeve me intensitet të...
Read More