Trashëgimia versus kujtesa

Dita e sotme për monumentet shënon një datë kujtesë dhe sensibilizimi. Dje, Ministria e Kulturës ka njoftuar për mediat një axhendë me disa aktivitete sipas një harte “festive” ku nderohen dy personalitete; bizantologia ruse Viktori Puzanova, që studioi artin mesjetar në Shqipëri, si dhe arkeologu Vangjel Toçi, nga DRKK e Durrësit…Në të gjithë axhendën tjetër, Ministria e Kulturës tregon vizitat e nxënësve të shkollës nëpër muze

Dita e sotme për monumentet shënon një datë kujtesë dhe sensibilizimi. Dje, Ministria e Kulturës ka njoftuar për mediat një axhendë me disa aktivitete sipas një harte “festive” ku nderohen dy personalitete; bizantologia ruse Viktori Puzanova, që studioi artin mesjetar në Shqipëri, si dhe arkeologu Vangjel Toçi, nga DRKK e Durrësit…Në të gjithë axhendën tjetër, Ministria e Kulturës tregon vizitat e nxënësve të shkollës nëpër muzetë. Por kjo axhendë nuk përputhet me shqetësimet që po ngrenë prej vitesh specialistët e monumenteve, që denoncojnë për çdo ditë çfarë po ndodh me trashëgiminë. Kujtesa për këtë trashëgimi në këto vite duket sikur ka punuar në të kundërt. Mjafton t’i referohesh Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë që publikon pothuaj çdo ditë në faqen e tij sociale, raste të shkatërrimit në qendrat historike kryesore të vendit, sidomos në Gjirokastër për të cilën ende nuk është publikuar asnjë strategji nga ana e Ministrisë së Kulturës, edhe pse (siç shihet nga fotot) shtëpitë raportohen drejt shkatërrimit. Mirëmbajtja dhe restaurimi janë pikat më nevralgjike, që po çojnë në përparimin e rrënimit të monumenteve, duke rrezikuar edhe identitetin e tyre. Para pak kohësh për mediat, specialist unik për banesat popullore, Emin Riza është shprehur se “Kjo Ministri e Kulturës nuk e ka pasur kriterin e mirëmbajtjes së vazhdueshme të monumenteve të kulturës dhe të restaurimit. E kam thënë dhe më parë, Ministria e Kulturës nuk e njeh thelbin e restaurimit, si mirëmbajtje e vazhdueshme e monumenteve. Edhe kjo Ministri Kulture me ministren Kumbaro në krye deri tani më shumë fjalë dhe vetëm fjalë për restaurimin e monumenteve të kulturës”. Në Berat, është menduar të organizohet një ekspozitë “Pazaret Mesjetare të Beratit” me foto të vjetra, në qendrën kombëtare të Muzeve. Lajmërohet se për herë të parë publiku do të prezantohet me një ekspozitë tematike e cila lidhet me ekspozitën e zejet që gjenden në Muzeun Etnografik. Por edhe ky qytet, së fundi, është listuar nga specialistët si vendi ku po agravohet gjendja e shkatërrimit të qendrës muzeale të këtij qyteti. Një nga specialistët e monumenteve, Ajet Nallbani është shprehur po ashtu, se “Qendra historike e Beratit është në gjendje të mjerë. Kjo jo për pamundësitë, por mënyra e organizmit nga institucionet, të cilat mendojnë se këto duhet të heqin dorë nga mirëmbajtja dhe të kthehen në parazitë të administratës shtetërore, duke justifikuar mungesën e fondeve. E vërteta është se numri i madh i monumenteve që ka vendi ynë kundrejt një ekonomie të dobët, asnjë qeveri nuk ta realizojë 100 %, por është skandal që, edhe i varfër dhe paratë hidhen kot me tender…”. Duket sikur ministria ngatërron, jo qëllimisht, festën me kujtesën për monumentet, duke dëshmuar një model që vështirë se do mund të ridimensionojë identikitin e saj.

 

Homazh

Puzanova, bizantologia ruse për artin mesjetar në Shqipëri

Kujtohet studiuesja e artit mesjetar në Shqipëri, në 50-vjetorin e vdekjes. Viktori Puzanova, bizantologia ruse, do kujtohet sot në një aktivitet përkujtimor, e cila e zhvilloi aktivitetin e saj në Shqipëri në fushën e studimit të artit mesjetar. Për këtë është menduar të ketë një sesion shkencor në Muzeun e Artit Mesjetar Korçë. Kumtesa mbi jetën dhe veprën e Viktori Puzanovës, Maks Velo, Suzana Varvarica, Edlira Çaushi, Lorenc Glozheni etj. Realizimin e një ekspozite, organizuar nga stafi i muzeut me veprat, riprodhime të Puzanovës, pjesë e fondit të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar Korçë. Në vitin 1948, Puzanova erdhi në Tiranë, ku sapo kishte nisur nga puna edhe Instituti i Shkencave dhe pasi filloi punën në këtë institucion, Puzanova u bë nismëtare e krijimit të Sektorit të Artit Mesjetar. Gjatë aktivitetit të saj në Shqipëri ajo ndërmori një sërë ekspeditash në të gjitha anët e vendit, si rezultat arriti të shkruante e botonte një seri artikujsh në revistat shkencore, si dhe realizoi kopjimin e 32 afreskeve të cilat ruhen sot në Muzeun e Artit Mesjetar Korçë dhe në Galerinë Kombëtare të Arteve

Shkruar Nga
More from revista mapo

Zyra HR, hallka e punësimit që në universitet

Shumë të rinj preferojnë të punojnë gjatë kohës që janë akoma studentë....
Read More