Tre dilemat e Ramës për shtatorin

A ekzistojnë më premisat për bashkëqeverisje me PD apo bashkëpunimi do të jetë vetëm për reformën zgjedhore dhe kushtetuese? Cili do të jetë fati i reformës në administratë, i vetmi premtim fushate i kryeministrit dhe nevoja urgjente për rikthimin e rritjes ekonomike mbi 5%

Nga Sebi Alla

Pas një vere të nxehtë, nga temperaturat dhe klima politike, kryeministri Edi Rama ndihet më se i relaksuar në zhegun përvëlues gjatë dëgjesave me qytetarët, që krahas një show të garantuar, (që di mirë ta krijojë dhe ofrojë), po hedh piketat edhe për katër vitet e ardhshme qeverisëse. Gjithçka që Rama në kokën e tij e ka të qartësuar, pritet që të bëhet publike në fillim të shtatorit, me krijimin e kabinetit të ri, reformave që do të ndërmarrë dhe shuarjen e disa hamendësimeve nëse do ketë ose jo një bashkëqeverisje me PD-në, qoftë edhe në formë indirekte. La dy aleatë qeverisës, LSI dhe PDIU, por thotë se nuk do qeverisë i vetëm, pasi pushtetin do e “ndajë” me popullin. Në fund të mandatit të dytë, nuk mund të ankohet se ishin aleatët që donin “tepsinë” që nuk e lanë të bënte reformat e mëdha. Edhe në dëgjesat publike, shprehja e famshme e para viteve ‘90: “Ç’do populli bën partia, ç’thotë partia bën populli”, s’do mund të shërbejë si justifikim, pasi reformat e nisura në mandatin e parë, duhet të shoqërohen me efekte konkrete jo vetëm në imazh, por drejtpërdrejt në ekonomi, siguri dhe klimë pozitive për biznesin, sidomos atë të huaj. Akoma pa nisur punën, të paktën një veprim u mor në investime madhore, siç është hapja e procedurave tenderuese për ndërtimin e “Rrugës së Arbrit” Tiranë-Dibër. Ndonëse ende herët, suksesi dhe dështimi janë ngushtësisht të lidhura me krijimin e kabinetit të ri dhe përzgjedhjes së ministrave. Në këtë pikë Rama do kristalizojë edhe atë që për shumëkënd quhen si prapaskenat e marrëveshjes së 18 majit të këtij viti me liderin demokrat Lulzim Basha. Nëse do ketë një bashkëqeverisje direkte apo kjo frymë e bashkëpunimit do të shtrihet për reformën zgjedhore, ndryshimet kushtetuese dhe hapat e tjerë që lidhen me integrimin në BE.

Qeveria e re

Ka guxuar që në qeverisjen e parë të ofrojë edhe emra disi anonimë për nga bagazhi politik dhe pa përvojë. Mbajtën poste të larta, ndoshta vetëm pse kryetarit të partisë e njëkohësisht kryeministrit i ishte ngulitur se dinin të bënin jo vetëm burokratin ministror, por do ishin në gjendje të propozonin ide e merrnin nisma me efekte pozitive afatgjata. Veç disa syresh ministra, as sa gishtat e njërës dorë, lanë diçka në punën e tyre, pjesa tjetër erdhi e iku pa shënjuar gjë. Nga kjo anë Rama është i qetë në përzgjedhjen e kabinetit të ri, pasi nuk do ketë aleatë të tjerë që e kushtëzojnë për poste të larta, duke i kujtuar votat në parlament. Të 74 mandatet e fituara më 25 qershor nga zgjedhjet e përgjithshme i japin të drejtën të qeverisë i vetëm. Edhe vetofrimi i deputetëve të PDIU-së, mund të mos jetë detyrimisht i kushtëzuar nga postet ministrore, ndaj Rama dilemën e tij kryesore ka për ministrat e rinj, emrat e të cilëve do të fillojnë të qarkullojnë në fundin e këtij muaji. “Qeveria e re duhet të jetë më e vogël, më efikase dhe duhet të ketë kapacitetin që të garantojë bashkëqeverisjen me njerëzit. Nuk duhet të ekzistojnë më ministri dhe agjenci që nuk u kthejnë përgjigje letrave dhe ankesave që bëjnë njerëzit”, u shpreh Rama pak javë më parë. Në qeverinë e ardhshme fort të mprehur se mund të vijojnë sërish në detyrën janë ministrat që qëndruan katër vite në kabinetin 2013-2017. Rama nuk mund të “tutet” para ndonjë presioni që mund t’i vijë nga ish-ministrat. Nëse do ketë ndonjë qejfmbetje ajo mund të shuhet shpejt, pasi statura e ish-ministrave të “Rama 1” nuk premton se do jenë të denjë për ta penguar kryetarin. Ngjan e vështirë, gati herezi të mendohet se ndonjë prej tyre apo deputetëve të mund të dalë nga “vatha”, siç ishte rasti i Blushit dhe Mimoza Hafizit, ku ikja e tyre në momente delikate e lëkundi Ramën dhe e detyroi të mos i shqitej LSI-së për t’u mbajtur në këmbë. Që qeverisja mund të jetë krejtësisht e vetme disa sinjale janë lëshuar, për më shumë kur vijnë nga Uashingtoni. Katër ditë më parë sekretari Amerikan i Shtetit Rex Tillerson, pati bisedë 20-minutëshe me kreun e qeverisë, ku veç urimit për fitoren, i la edhe objektivat që duhet të ndjekë Shqipëria, në mënyrë që të ketë në krah edhe SHBA-në. “Mandati i fortë që ka marrë për të qeverisur e vetme, e obligon Partinë Socialiste të thellojë shpejtësinë e reformave, të pastrojë administratën nga të korruptuarit dhe shënojë rezultate domethënëse në luftën kundër krimit”. Kështu mësohet të jetë shprehur Tillerson, duke iu referuar njoftimit që erdhi nga zyra e shtypit të kryeministrit. Pikërisht fraza “mandat i fortë për të qeverisur e vetëm”, lë pak hapësirë të mendohet se brenda kabinetit të tij Rama do ketë ministra që vijnë si prurje të PD-së. Kohët e fundit po qarkullon ideja që të paktën një nga ministrat teknikë të propozuar nga PD, Dritan Demiraj, mund të vijojë të jetë në qeverisje. Por ka edhe një variant tjetër të mesëm, i cili nuk është aspak çudi që të aplikohet. Është një lloj “bashkëqeverisje” për reforma të mëdha. Si Ramës ashtu edhe liderit më se të konfirmuar dhe të fortë të PD-së Lulzim Bashës, iu intereson bashkëpunimi për ndryshimet kushtetuese, reformën zgjedhore dhe disa hapa të tjerë që do të jenë në funksion të integrimit në BE. Kjo bashkëqeverisje për reforma të rëndësishme nuk do ia zbehte rolin opozitës për të qenë e fortë dhe rikthyer edhe ajo prestigjin e humbur. Edhe zërat kundër brenda së djathtës se duhet një shkëputje e menjëhershme dhe vendi të bëjë opozitë agresive mund të shuhen me kalimin e kohës. Lideri i rikonfirmuar demokrat Lulzim Basha ka premisë të ofrojë një tjetër sjellje politike në vend, jo vetëm me opozitë denoncuese, por duke parashtruar alternativa, që në fund do shkojnë në peshoren e qytetarëve të shprehur nëpërmjet votës.

Reforma në administratë

Bëri jo pak çudi kur në facebookun e kryeministrit papritmas doli një listë me 100 emra zyrtarësh të lartë dhe drejtorësh të denoncuar nga qytetarët si të korruptuar apo persona që nuk u ofronin shërbimet e nevojshme. Publikimi i listës hasi në shumë kritika, por Rama vijoi me “programin” e tij dhe koha më vonë tregoi se nuk ishte “lajthitje” e momentit, por një strategji e detajuar. Kryeministri po synon të ketë dorë të lirë në reformimin e administratës shtetërore dhe për ta bërë më të lehtë ndërhyrjen, ia vesh këtë nismë kërkesës së qytetarëve. Në dëgjesat publike në shumë qytete të vendit Rama futet në rolin e një dëgjuesi të mirë (si rrallëherë, duke ditur impulsivitetin që ka) dhe qëndron me orë të tëra para njerëzve që ankoheshin për probleme nga më të ndryshmet. Taktika e kreut të qeverisë ka marrë një tjetër kah. Nëse dy vjet më parë kur i ankoheshin qytetarët kishte vetëm një fjalë që u “zinte” gojën; “reformën në drejtësi”, aktualisht ka si kryefjalë ristrukturimin e shumë institucioneve. Për ta çuar deri në fund shfaqjen personale, Rama hapi edhe një “zyrë” të re, për të bashkëqeverisur me qytetarët. “Ka mbërritur në 188 numri i aplikimeve për t’u punësuar në Zyrën e Bashkëqeverisjes me Qytetarët. Falënderojmë aplikantët që i kanë plotësuar aplikimet e tyre, sipas kërkesave të aplikimit, për të cilin rikujtojmë se kërkohet ‘Letër Motivimi’ (pse dua të punoj në këtë zyrë) + CV + 2 letra rekomandimi të kandidaturës (nga ish-dekanë ose pedagogë të fakultetit ku aplikanti ka kryer studimet; punëdhënës të mëparshëm; figura të respektuara të komunitetit ku aplikanti ka banuar apo banon aktualisht)”, shkruan Rama në facebook. Përtej politikës, kryeministri e ka të qartë se premtimi që bëri gjatë fushatës se do e pastrojë administratën nga të paaftët, të korruptuarit apo burokratët, duhet mbajtur, ndryshe suksesi i madh në zgjedhjet e 25 qershorit mund t’i kthehet në dështim po aq të madh, që në zgjedhjet lokale të 2019-s. Shumë institucione në një vend normal do ishin shkrirë me kohë, pasi funksionojnë jo si shërbime, por vende pune, kryesisht për militantët partiakë. Problemet kryesore lidhen me Hipotekat, ALUIZNI-n, agjenci të ndryshme, apo kolorit inspektoratesh që deri më tani punën e matnin me presionin ndaj bizneseve dhe qytetarëve. Investimi në infrastrukturë duke ofruar shërbime online, apo digjitalizim të hartave të pronave, parashikohet të jetë një nga format e zgjidhjes dhe mundësi e mirë për të shmangur edhe kontaktet e qytetarëve me punonjësit e administratës. Gjithashtu, shkrirja e disa institucioneve dhe bashkimi i tyre në një agjenci të vetme shmang jo vetëm burokracitë, por edhe korrupsionin. Reformimi i administratës i jep mundësi kryeministrit të bëjë spastrim thuajse total të drejtorive që janë mbajtur për katër vite nga përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Nëse reforma në drejtësi do funksionojë, atëherë mbetet më e lehtë reformimi i institucioneve, pasi frika e zyrtarëve të rinj se mund të përfundojnë nga karrigia e rehatshme e zyrtarit në qelitë e errëta është më e madhe dhe qoftë edhe me pahir do i bënte më të përgjegjshëm.

Zhvillimi ekonomik

Gjatë fushatës elektorale kur Rama pyetej në studiot televizive se cilët ishin investimet e mëdha në katër vitet e mandatit të parë, u ndje ngushtë. U mundua të kapërcente në forma të ndryshme përgjigjen, por nuk gjeti qoftë edhe një investim të vetëm madhor për të përmendur. Projekti i “Rilindjes Urbane” ishte pak për t’u përfshirë në investime që sollën ndikim konkret në ekonominë e vendit. Edhe rritja ekonomike, pak mbi 3 %, erdhi më shumë si rezultat i projektit ndërkombëtar TAP, që përfshiu edhe Shqipërinë. Më pas sektorët e tjerë mbetën sërish në vend numëro, duke mbijetuar thjesht për inerci. Një shenjë se do kalohet në investime të mëdha e dha dy ditë më parë ende pa nisur punë kabineti Rama 2. “Drejt finalizimit një proces i stërzgjatur në vite që do të kurorëzohet, siç është premtuar brenda vjeshtës me nisjen e punimeve. Është çelur procedura finale për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit, me një vlerë prej 33,6 miliardë lekësh të rinj. Ofertat do të priten deri në dt. 2 tetor 2017 dhe komisioni do të shpallë fituesin brenda 60 ditëve nga data e mbylljes së ofertës”, shkruan Rama në faqen e tij në facebook, duke shtuar se “Rruga e Arbrit çel programin 1 miliardë për ndërtim”. Në mungesë të parave në arkën e shtetit, kreu i qeverisë pritet të vërë në zbatim idenë e kahershme të Partneritetit Publik Privat, ose dhënien me koncesion të veprave të mëdha. Por lajmi i nisjes së ndërtimit të “Rrugës së Arbrit” është pak me nevojën që ka vendi në infrastrukturë. Shqipëria vijon të ketë vetëm një aeroport, i cili shërben për transportin e pasagjerëve. Asnjë shenjë tjetër që të hapen aeroporte të reja, për më shumë edhe Aeroporti i Kukësit i ndërtuar në vitin 2004 me donacion nga Arabia Saudite “lindi i vdekur”, pasi kurrë nuk u vu në përdorim. Jo vetëm transporti ajror, por edhe ai detar “vegjeton” në ujëra të trazuar. Ekspertët e ekonomisë këmbëngulin se ndërtimi i një porti të madh detar në Durrës i sjell zhvillim domethënës ekonomisë, kjo edhe për pozicionin gjeografik në të cilën ndodhet. Gjithashtu, sektori i ndjeshëm i shëndetësisë rezultoi i dështuar me aplikimin e strategjisë “shëndetësi falas” dhe lind nevoja e një ristarti. Ngado të vërtitet sytë për të pasur një kolpo ekonomike dhe shërbimesh kthehen gjithnjë nga jashtë dhe në arenën ndërkombëtare kryeministri është “hequr” edhe më shumë nga çfarë jemi, duke tentuar që në çdo formë të tërheqë kompani të fuqishme për të investuar në vend. Nga Kongresi Botëror i Naftës në Stamboll, Rama foli për rezerva të pashfrytëzuara nafte dhe gazi në Shqipëri, avancimin e projektit të TAP, ndërsa ftoi investitorët që të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri. “Ne jemi të ulur në një prej fushatave të naftës më të mëdha në Europë me 220 milionë fuçi nate të vërtetuara në rezerva nafte, 6.5 milionë fuçi në vit prodhim, kemi rritje të prodhimit të naftës dhe të kapacitetit të rafinimit. Jemi në skenarët e ristrukturimit të kompaninë shtetërore. Ka shumë për të folur për vendin dhe për të ardhmen e shkëlqyer ku do të jemi të suksesshëm, me praninë e partnerëve seriozë, por jemi entuziastë se së fundi është zbuluar një burim i madh gazi në Shqipëri”, u shpreh Rama. Ndërsa resurset mbi dhe nëntokësore nuk mungojnë, sërish investitorët e huaj ende nuk joshen. Mungesa e infrastrukturës, problemi i pronës, çështja e taksave, mospasja e modelit të qartë ekonomik dhe stabiliteti politik, janë pesë pikat kryesore ku investitorët e huaj druhen të vijnë në vendin tonë. Në pjesën politike, kryeministri dhe lideri i opozitës mund të kenë shtruar shinat e modelit perëndimor, që për interesa të mëdhenj janë gati të bashkëpunojnë, ndërsa pjesa tjetër mbetet ekskluzivitet i kryeministrit, i cili me nisjen e shtatorit do i duhet të heqë paksa dorë nga show dhe të mendojë për zhvillimin ekonomik, ndryshimin e administratës dhe klimën bashkëpunuese politike.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ja pse Partia Demokratike ka rëndësi jetike për Shqipërinë

PD feston 27-vjetorin e krijimit mes pyetjes se a do ia dalë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.