Tre faktorët që po pengojnë drejtësinë

Nga Ervis Iljazaj

Është e qartë tashmë, që Shqipëria ka një problem me krimin e organizuar dhe lidhjen e tij me politikën. Në këtë kuptim duket sikur sfida më e madhe e shoqërisë shqiptare është të luftojë këtë fenomen dhe të çlirohet njëherë e mirë nga kthetrat e tij, që e kanë lënë shoqërinë me më pak aspirata në rajon.

Qeverinë Rama dy e ka zënë poshtë çështja Tahiri dhe çështje të tjera që po dalin çdo ditë në mënyrë formale apo informale. Ky mandat për të, nuk ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme me gjithë aferat ku përfliten ish-ministra dhe politikanë aktualë. Kështu që suksesi dhe besueshmëria e saj do të varet nga vullneti që do të shprehë kjo qeveri për të luftuar krimin e organizuar dhe distancimi nga çështje të veçanta.

Edhe pse problematika është e madhe, duket sikur e gjithë kjo furtunë mediatike që është ngritur mbi këtë fenomen nuk do të marrë zgjidhje.

Edhe njëherë, si shumë herë në këto 27 vite tranzicion, askush nuk do marrë dënimin që meriton për përgjegjësinë që ka patur për krijimin e një situate shqetësuese të gjendjes së kriminalitetit. Interesi publik kërkon që nga gjithë kjo histori, përgjegjësit të çohen para drejtësisë dhe të dënohen nëse janë të tillë.

Ndërkohë që, edhe pse ka deklarata të pafundme për arrestime të “bujshme” apo kapjen e peshqve të “mëdhenj”, gjasat janë që kjo histori t’i ngjajë një furtune në gotë. Megjithatë, le të presim deri në fund dhe të shpresojmë që drejtësia kësaj here do të shkojë në vendin e duhur. Por, momentalisht, duket sikur ka një ngërç të situatës që duket pa zgjidhje.

Në radhë të parë, me çështjen Tahiri, politika nuk nxitoi ta kthente atë nga një çështje të drejtësisë në një çështje të politikës. Është normale që politika të bëjë betejën e saj në këto raste, dhe shumë mirë që është kështu, por fakti që nuk ngurohet të politizohet një çështje e drejtësisë dëmton dhe e paragjykon atë. Jo vetëm kaq, por në shumë raste ka një presion të politikës në mënyrë direkte apo indirekte ndaj drejtësisë, gjë e cila ka karakterizuar këtë raport për shumë vite me radhë.

Në radhë të dytë, në këto momente ku po plasin skandale, ditë pas ditë, drejtësia dhe prokuroria shqiptare gjendet në një fazë të reformimit të plotë saj, ku shumë prej krerëve të saj janë duke u zëvendësuar apo që po iu mbaron mandati. Në këtë kuptim mungon siguria dhe vazhdimësia e proceseve, që është një element thelbësor në këto raste. Gjithashtu, drejtësia aktuale është totalisht e paragjykuar në sytë e opinionit publik, dhe këtë kosto po e pëson për sa i përket besueshmërisë së saj.

Në radhë të tretë, në turravrapin për të krijuar lajme, duke qenë se ka një interes të madh në opinionin publik, media dhe gazetarë të caktuar, nuk ngurojnë të dalin të bëjnë deklarata, apo të japin “informacionin” e parë, që shpeshherë janë thjesht për të fituar treg mediatik se sa të pasqyrojnë të vërtetën. Në këtë mënyrë, edhe ato lajme që kanë rëndësi, ngatërrohen dhe humbin në nxitimin për të fituar sa më shumë klikime, duke krijuar një konfuzion transparence. Roli i medias dhe lajmeve të tilla në këto raste është thelbësor, më së paku për të qartësuar opinion publik. Mirëpo, kështu siç është ndërtuar kjo furtunë mediatike nuk ndihmon aspak drejtësinë.

Për të gjitha këto arsye, rrezikojmë, që edhe kësaj herë kjo histori të përfundojë thjesht në një konsum mediatik, dhe pa ndonjë rezultat konkret në luftën kundër krimit dhe lidhjeve të tij me politikën. Drejtësia, ajo e vërteta, ka nevojë për “vetmi” për të bërë punën e saj, duke i bërë thirrje ndërgjegjes së atyre që merën me drejtësinë dhe profesionalizmit të tyre, dhe jo zhurmë, e cila vetëm sa humbet çdo gjurmë që të çon tek e vërteta.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Muzeu Wende: “Diktatori” i Maks Velos në koleksionin e Luftës së Ftohtë

Këto ditë në një pavijon të Muzeut Wende janë ekspozuar katër punime...
Read More