Tre muaj pas zgjedhjeve, Edi Rama nuk ka filluar të qeverisë ende

Nga Ervis Iljazaj

Edi Rama ka zhvilluar një takim me qytetarët për të shpalosur edhe njëherë kontratën e tij me ta, pas fitores së 25 Qershorit. Bashkëqeverisja, koncept i përpiluar nga Rama, fill pas marrjes së mandatit popullor i vetëm në krye të qeverisë, është kthyer tashmë në kryefjalën e tij politike.

Më shumë se sa një bashkëqeverisje, këto takime populiste, duken si një evitim i qeverisjes edhe pas një kohe të gjatë që ka fituar zgjedhjet, aq më tepër në këto momente ku kërkohen vendime të rëndësishme për çështje që janë thelbësore për Shqipërinë.

Është e qartë tashmë, që Edi Rama ka ndryshuar kursin e tij politik. Ndoshta për të shmangur vëmendjen nga problematikat që janë në sytë e opinion publik, apo si shenjë falënderimi për popullin që e besoi atë të vetëm në krye të qeverisë, fakti është se aksioni i tij politik në mandatin e tij të dytë është tërësisht populist.

Në kundratendencë nga mandati i tij i parë, ku ndërmori një serë reformash, të cilat për shumë aspekte mund të konsideroheshin dhe jo elektorale për të, duke filluar që nga reforma në energji e deri tek ajo në arsim. Reforma të cilat ishin të domosdoshme për vendin dhe që efektet e tyre pozitive filluan t’i japin që tani.

Ndërsa në fillimet e këtij mandati, Edi Rama e ka braktisur reformizmin dhe shenjat e para tregojnë se ka rënë pre e populizmit. Kjo duket nga diskursi i tij, nga takime të tilla me popullin të panevojshme për të qeverisur vendin. E gjitha kjo mënyrë është në dëm të zhvillimin ekonomik e shoqëror.

Jo vetëm kaq, por tashmë që po futemi në muajin e katërt mbas mbarimit të zgjedhjeve, qeveria Rama dy ende nuk po fillon të qeverisë edhe pse ka çështje shumë të rëndësishme që presin përgjigjen e saj.

Pikë së pari, Reforma në Drejtësi po has një vonesë në zbatimin e plotë të saj. Duket sikur vullneti politik për ta çuar deri në fund atë po mungon. Një reformë kaq thelbësore, që është kusht i panegociushëm për të vazhduar procesin e integrimit në Bashkimin Europian, por edhe për zhvillimin e ekonomisë, kërkon një shtysë nga ana e qeverisë. Nëse vërtet qeveria dëshiron t’iu japë shqiptarëve një drejtësi të pavarur, duhet ta tregojë më akte atë.

Pikë së dyti, situata e krimit është duke dalë jashtë kontrollit të saj. Të shpresojmë që qeveria të tregojë dhe të veprojë kundër krimit të organizuar. Në të kundërt ky fenomen rrezikon seriozisht vazhdimësinë e saj.

Pikë së treti, raporti i FMN-së nuk ishte aspak inkurajues për qeverinë shqiptare për sa i përket ecurisë së ekonomisë. Kërkohet nga ana e saj një plan i detajuar për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Ende nuk kemi dëgjuar për vizionin dhe mënyrat se si qeveria do të nxisë rritjen ekonomike dhe të rrisë mirëqenien në vend.

Për të gjitha këto arsye, takimet me popullin janë thjesht një opium për t’u shmangur nga problemet e vërteta që ka vendi. Prandaj Rama, bën mirë t’i braktisë ato sa më parë dhe t’u kthehet punëve të vendit. Në të kundërt, edhe populizmi nuk do ta ndihmojë për të qëndruar gjatë në qeveri. Sepse sapo të dalë narkoza e komunikimit dhe e bashkëqeverisjes me popullin, shqiptarët do të kuptojnë vërtet se në çfarë gjendje ndodhen hallet e tyre.

Edi Ramës i besuan mandatin shqiptarët për të qeverisur dhe jo për të bashkëqeverisur. Është detyra e qeverisë të njohë se cilat janë problemet e qytetarëve dhe t’iu japë një përgjigje atyre. Nuk është nevoja të zhvillohen takime me popullin për t’i njohur këto shqetësime. Këto takime vetëm sa shmangin përballjen më këto problematika, dhe asgjë më tepër.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kriza e lidershipit në PD dhe si zgjidhet

Nga Ndriçim Kulla Problemi më i madh i PD-së sot është se...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.