Tre probleme për t’u përballuar në luftën ndaj terrorizmit

Nga Angelo Panebianco

Mbërritur në këtë pikë, në këtë fazë të luftës që terrorizmi po drejton kundër nesh, Europa ka para saj tri probleme, dy të fundit, kryesisht, tepër të vështirë për t’u zgjidhur. I pari, në teori (por vetëm në teori) është më i thjeshtë, ka të bëjë me foreign fighters, ata që, qoftë edhe në zotërim të një nënshtetësie europiane, kthehen në Europë mbasi kanë luftuar në radhët e Shtetit islamik.

I dyti – me një rrugëzgjidhje shumë më të vështirë – ka të bëjë me quantum (sa) liri Europa është e gatshme të flijojë në shkëmbim të një sigurie më të madhe, të një aftësie më të madhe për të mbrojtur jetën e qytetarëve të saj të paarmatosur, nga veprimet e luftës të kryera nga “ushtarët” – pasues të luftëtarëve të lashtë të fesë myslimane – të zotuar me xhihadin. Së fundi, problemi i tretë ka të bëjë me çfarë çmimesh, politike e shoqërore, duhet të paguajmë për të fituar bashkëpunimin veprues të bashkësive myslimane europiane me qëllim identifikimin, mënjanimin e ndjekjen e xhihadistëve.

Mbi çështjen e parë nuk duhet të jetë e vështirë të gjendet zgjidhja. Bëhet fjalë për të vendosur në nivel europian, e për të përkthyer në ligjshmëritë kombëtare, norma që i shpallin luftëtarët e kthyer të Shtetit islamik kriminelë lufte – njerëz që kanë kryer krime kundër njerëzimit, e që mund të kryejnë ende – për t’u arrestuar e për t’u dënuar me burgime të gjata.

Përndryshe do të mbeteshin atëherë në gjendje të lirë të rij të kërcyer, fajtorë për mizori, të stërvitur në përdorimin e armëve dhe luftëtarë të regjur. Nuk ka asnjë shkelje të parimeve liberale (është vetëm një veprim parak vetëmbrojtjeje) nëse ata vihen në kushte të mos bëjnë dëme. Është absurde që këto vendime ende nuk janë marrë.

Shumë më i ndërlikuar është problemi i dytë. Ka të bëjë me mëdyshjen liri/siguri. Ka të bëjë me çështjen, aq të vështirë për t’u trajtuar në demokracitë liberale, të pushteteve të gjendjes së jashtëzakonshme. Shumë prej atyre që rrezikojnë jetën e evropianëve nuk janë foreign fighters, janë njerëz që janë radikalizuar së fundi (siç ka shkruar Guido Olimpio në Corriere). Çështja, në dramaticitetin e saj, është e thjeshtë: ose ndalohen më parë se të godasin ose duhet t’i nënshtrohemi faktit se do të vdesin shumë njerëz të pambrojtur.

Por nëse kërkohet të ndalohen më parë se të veprojnë, kur ende mjaftohen me shfaqjen e ideve xhihadiste dhe me shoqërimin e të tjerë të radikalizuarësh si ata, atëherë duhet të kuptojmë se si kjo mund të pajtohet me mbrojtjen e lirisë së fjalës apo të shprehjes. Duke u kufizuar me përzënien (masë herë-herë e përdorur nga qeveritë europiane, edhe nga e jona), nuk është e mjaftueshme. Qoftë se një pjesë është e përbërë nga qytetarë europianë, për të cilët ajo masë nuk mund të zbatohet. Qoftë sepse i përzini mbetet gjithmonë një bumje e gatshme të shpërthejë diku tjetër. E përzë nga Franca apo nga Italia dhe ai gjen mënyrën të shkojë të vrasë (apo të rekrutojë ata që do të vrasin) në Gjermani apo në Spanjë. Ҫ’duhet bërë pra?

Është e qartë se i takon Europës (në kuptimin e Bashkimit Europian) t’i tregojë atij që kundërshton dobinë se ajo i vlen diçkaje edhe në fushën e sigurisë. Për të shmangur mundësinë që normat e prirura të bllokojnë xhihadistët kur paraqesin ende një kërcënim të mundshëm, të kalojnë shtegun, nëpërmjet të cilit me kohë mund të kalojnë masa iliberale në gjendje për të goditur të gjithë, në Europë duhen marrëveshje të qarta, vendime të kthjellëta, caqe të vendosura mirë. Por diçka duhet bërë. Kush thotë jo, kush thotë se nuk duhen masa ad hoc për të përballur terrorizmin islamik (dhe që duhet vetëm t’i nënshtrohemi bashkëjetesës me të) kujton shprehjen e mrekullueshme të Ennio Flaianos mbi revolucionarët që ndërtojnë barrikadat me mobiliet e të tjerëve. Ata luajnë mbi mundësitë: e quajnë pak të mundshme që viktimat e ardhshme të atentateve të jenë ata vetë, të afërmit apo miqtë e tyre. Liberalët gjithmonë kanë ditur të dallojnë situatat në të cilat siguria është relativisht e garantuar nga situatat kur nuk është, dhe kanë kuptuar gjithmonë se në rastin e dytë, nëse bëhet fjalë për të flijuar disa liri, është më mirë që kjo të bëhet de jure, mbas një rrahje mendimesh publike, se sa të bëhet në fakt, në heshtje, fshehurazi, nën trysninë e gjendjes së nevojës.

Problemi i tretë ka të bëjë me marrëdhëniet e ardhshme me bashkësitë myslimane europiane. Qeveritë duhet të zhvillojnë bisedime (në mënyrë të lëvdueshme janë duke e bërë) me ato bashkësi. Bëhet fjalë për të qartësuar përmbajtjet e shkëmbimeve të pashmangshme politike (të kërkohet bashkëpunimi i tyre me aparatet europiane të sigurisë, në shkëmbim të çfarë gjëje?). Është shqetësuese që nuk flitet haptas.

Duhet të vendoset se çfarë është e trajtueshme e çfarë jo, çfarë shpagimesh janë të pranueshme e cilët janë të papranueshme. Bëhet fjalë edhe për faktin se duke biseduar, nuk duhen ligjësuar përbërësit më skajorë të atyre bashkësive. Shpesh në Europë bëhet gabimi i tmerrshëm të quhen “të moderuar” integralistët që nuk vrasin. Ata nuk vrasin por janë, kulturalisht, familjarë të afërm të atyre që e bëjnë. Bëhet fjalë për të zgjedhur me kujdes bashkëbiseduesit, me qëllim që çmimi i paguar në shkëmbim të një ndihme kundër terrorizmit, mos të jetë shumë i lartë, mos të jetë i tillë që të largojë në krye të disa viteve Europën nga vetvetja, nga historia e saj, nga parimet e veta. Sa më parë të fillojmë të flasim aq më mirë është./Corriere della Sera/

E shqipëroi: Eugjen Merlika

Shkruar Nga
More from Redaksia

Ngjela: Rama është një trutharë, njëlloj si Enver Hoxha

Nga Spartak Ngjela - Si mund të shpjegohet vota shqiptare kundër Shteteve të...
Read More