Tre afatet që na fusin në krizë

Kriza politike, në prag të kalimit në krizë institucionale. Sot mbaron afati i regjistrimit të partive në zgjedhje dhe opozita mbetet jashtë. Nesër parlamenti duhet të zgjedhë institucionet e vettingut. Ndërsa në datë 14 duhet të nisë procesi i zgjedhjes së presidentit. Replika mes Ramës, Bashës dhe Metës

Kalimi i ditëve dhe mungesa e një kompromisi mes palëve ka bërë që kriza politike të kalojë tashmë edhe në një krizë institucionale.

Zyrtarisht sot zgjedhjet futen në një krizë të plotë, pasi përfundon afati ligjor i regjistrimit të partive politike në KQZ, ndërsa opozita është shprehur dje se nuk pranon t’i shfrytëzojë as këto orë për t’u bërë pjesë e garës elektorale të 18 qershorit.

Ajo ka vijuar të këmbëngulë se nuk do të futet në zgjedhje pa u krijuar më parë një qeveri teknike.

Ndërkohë që nesër pritet të dështojë për herë të dytë edhe procesi i ngritjes së institucioneve të vettingut nga parlamenti.

Dhe kjo sërish për shkak të krizës politike, pasi ngritja e këtyre institucioneve kërkon pikërisht praninë në proces të opozitës dhe shumicës qeverisëse.

Një tjetër proces shumë i rëndësishëm që pritet të futet në ngërç shumë shpejt është edhe ai i zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës. Në bazë të afateve kushtetuese, ky proces duhet të nisë nga parlamenti pikërisht këtë javë dhe mungesa e opozitës do ta komprometonte shumë atë.

Por sikur të mos mjaftonin këto tri çështje mjaft të rëndësishme, mazhoranca duhet t’i japë zgjidhje edhe problemeve të brendshme, pasi siç ka paralajmëruar kryeparlamentari Ilir Meta, në rast se lidershipi i PS nuk reagon ndaj kërkesave të opozitës, atëherë LSI nuk do të jetë pjesë e koalicionit të ri zgjedhor me PS-në, ndërsa në pikëpyetje vihet edhe prania e saj në zgjedhje.

Dhe afati për të vendosur për këtë gjë mbaron pikërisht në mesin e javës së ardhshme.

Por ndërsa kriza ka hyrë në një fazë kritike, duket se palët nuk kanë ndërmend të lëshojnë pe, duke qenë të vendosur në pozicionet e tyre të bëra publike tashmë.

Rama

Kur kanë mbetur më pak se 10 ditë nga vendimi që duhet të marrë për të qenë bashkë edhe në një koalicion të ri zgjedhor, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim duket se po shkojnë gjithnjë e më shumë drejt një ndarjeje mes tyre.

Kjo jo vetëm për shkak të deklarimit të hapur që LSI bëri në lidhje me krizën një javë më parë, por edhe për shkak të rëndimit gjithnjë e më shumë të fjalorit mes përfaqësuesve të këtyre dy forcave, nisur që nga kryetarët e tyre.

Replikat në distancë nuk kanë munguar as dje.

Që në orët e paradites kryeministri do të shfrytëzonte një reagim të zëvendës/presidentit të Socialistëve e Demokratëve Europianë dhe eurodeputetit austriak, Josef Vajdenholzet për t’i bërë të qartë opozitës dhe LSI-së se qeveria teknike dhe shtyrja e zgjedhjeve është hap pas për Shqipërinë në rrugën e demokracisë dhe të reformave.

“Të kërkosh sot, dy muaj para zgjedhjeve që ato të shtyhen e akoma më shumë, nën pretekstin e “zgjedhjeve të lira” të kërkosh një “qeveri teknike”, do të thotë të rikthehesh disa vite pas”, – citoi Rama eurodeputetin austriak.

Ndërkohë që vetëm pak minuta më vonë kundrejt tij do të vinin dy përgjigje, njëra nga pallati i sportit “Asllan Rusi”, ku LRI mbante një aktivitet të sajin elektoral dhe tjetra nga çadra në bulevard.

Duke folur para të rinjve të LRI-së, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, pavarësisht se nuk i përmendi emrin, theksoi se nuk mund të vihet në rrezik e ardhmja e vendit për shkak të karriges së një njeriu, duke lënë të kuptohet qartë se mesazhi ishte për kryeministrin Rama.

“E ardhmja e këtij vendi nuk mund të merret peng nga askush. Nga askush që mendon më shumë për karrigen se sa për paqen sociale, stabilitetin dhe mirëqenien e vendit të tij dhe qytetarëve të tij. Nuk kemi asnjë minutë për të humbur as me arrogancën e njërës palë, as me ultimatumet e palës tjetër për t’i dhënë Shqipërisë zgjedhje të lira dhe të ndershme, të gjithëpranuara. Ne nuk do të kursejmë të gjitha energjitë tona, nuk na dhimbsen as karriget tona, që nga karrigia e Ilir Metës, për t’i dhënë një zgjidhje të ndershme politike Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe për të mos u bërë turpi i Europës në vitin 2017”, –tha Meta.

Ndërsa ka folur për arsyet pse shqiptarët duhet të votojnë LSI-në, Meta ka folur edhe për zgjedhjet që sipas tij do të bëhen në 18 qershor, pavarësisht se ai ka deklaruar se LSI nuk do jetë pjesë e tyre në rast se PS nuk reflekton ndaj kërkesave të opozitës, pasi në një rast të tillë ato do të ishin një farsë.

“Ne kërkojmë një Shqipëri pa drogë dhe një Parlament që përfaqëson qytetarët dhe jo krimin e organizuar apo lobet ekonomike, që po prekin lirinë ekonomike në vend, përmes monopoleve dhe koncesioneve. Shqipëria nuk ka nevojë për deputetë biznesmenë vetëm për t’i vënë gjoba qeverisë dhe as për kriminelë. Demokracia nuk mund të jetë dhe nuk do të jetë One Man Show”, -tha Meta, duke etiketuar në këtë mënyrë Ramën. Ndërkohë që kryeministri Rama nuk do i linte me aq replikat e tij lidhur me situatën e krijuar.

Në komunikimin e tij të përjavshëm në rrjetin social Facebook, ndonëse nuk e përmendi LSI-në, theksoi se e gjithë kjo situatë është krijuar për të penguar pikërisht Reformën në Drejtësi.

“Ata që rrinë në çadër kanë frikë nga Reforma në Drejtësi dhe nga gjykimi i popullit me votë, më 18 qershor, ndaj janë gati ‘të hedhin në erë’, të ardhmen europiane të vendit”, -tha Rama.

Ndaj ai u shpreh i vendosur që të mos bëjë asnjë hap pas në drejtim të kërkimit të votimit të organeve të vettingut dhe shkuarjen në zgjedhjet e 18 qershorit.

“Opozita dëshiron ‘të marrë peng’ të ardhmen europiane të vendit, duke bllokuar Reformën në Drejtësi dhe procesin zgjedhor, por ka ardhur koha që ne të tregojmë se duam të vazhdojmë para, drejt të ardhmes europiane të vendit. Europa nuk mund të na pranojë, pa Reformën në Drejtësi dhe kjo është një betejë që Shqipëria nuk mund ta humbasë përsëri”, -tha Rama.

Ndërkohë që lidhur me Reformën në Drejtësi, ditën e shtunë Kuvendi njoftoi zyrtarisht thirrjen e seancë plenare ditën e martë, ndërsa me anë të një letre iu kërkoi kryetarëve të grupeve parlamentare që të paraqesin propozimet për komisionet ad hoc që do përzgjedhin emrat e juristëve që do jenë pjesë e institucioneve të vettingut.

Por në kushtet kur opozita ka vendosur që të mos kthehet në parlament, ky proces pritet të dështojë ashtu si edhe herën e parë, pasi ligji i njeh asaj një rol të patjetërsueshëm dhe të domosdoshëm në këtë proces.

Opozita

Opozita edhe zyrtarisht është jashtë garës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Kjo pasi sot përfundon afati i fundit që përcakton Kodi Zgjedhor për regjistrimin e partive politike si subjekte zgjedhore, ndërkohë që opozita është shprehur edhe një herë dje e vendosur për të mos e shfrytëzuar as këtë afat që partitë e saj të regjistrohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Nga çadra në komunikimin e tij të përditshëm, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i qartë dhe i prerë kur deklaroi se PD dhe asnjë forcë tjetër që i është bashkuar kauzës opozitare nuk do të regjistrohet as sot.

“Regjistrimi skadon nesër, opozita nuk regjistrohet për zgjedhje fasadë. Zgjedhje fasadë nuk ka për të pasur, zgjedhje të diktuara nga krimi nuk ka për të pasur. Socialistët e ndershëm të rrinë rehat se jo vetëm Shqipëria, por edhe Partia Socialiste do të çlirohet një herë e mirë nga zgjedha e krimit që e ka marrë peng”, -tha Basha në një nga fjalimet e tij të mbajtura në çadër.

Ai do të refuzonte dje edhe ofertën e Ramës për t’i dhënë opozitës drejtimin e KQZ-së si një garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërsa do të sulmonte ashpër kreun aktual të KQZ-së, Denar Biba, për idenë e hedhur në media për shtyrje të afatit të regjistrimit të partive në zgjedhje.

“Shikoni se sa bukur mundohet t’i shpëtojë këtij gjykimi të drejtë të kësaj lëvizje të madhe popullore. Ju jap KQZ-në thotë, merreni KQZ-në. Po çfarë duhet KQZ-ja, kur ti ke krimin, kur ti ke drogën, kur ti ke një polici që e ke shndërruar në një repart ushtarak të krimit, drogës dhe rilindjes së kriminalizuar. Ti e di fare mirë që një KQZ në këto kushte është kukull, siç është kukull kjo KQZ me këtë kryetar idiot dhe të papërgjegjshëm që iu thotë shqiptarëve: tani që po vjen data e mosregjistrimit, me vullnetin e mirë unë jam gati ta shtyj edhe 19 ditë. O Denar Biba, je kryetar i KQZ, jo Papa i Vatikanit! O idiot!”, – shtoi Basha.

Por pavarësisht kësaj klime dhe ndërprerjes së negociatave me mazhorancën, Basha u shpreh i bindur dje se fundi i qeverisë “Rama” është shumë afër.

Basha tha se qëndresa e qytetarëve është edhe garancia e fitores së kauzës për zgjedhje të lira dhe të ndershme vetëm përmes një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike, që ka kohën e mjaftueshme për të pjekur kushtet e nevojshme.

“Përballja do të jetë fatale për krimin, por do të jetë përballje paqësore, demokratike dhe europiane. Ne jemi kudo, demokratë e socialistë, një gjë nuk durojmë dot dhe do ta shporrim, dhe kjo është qeveria e lidhur me krimin dhe krimi i bërë njësh me pushtetin. Kjo që po jeton orët e fundit, së shpejti do të jetë histori, asgjë nuk do të jetë si parë. Gjithçka do të ndryshojë, falë kësaj lëvizje, falë kësaj qëndrese”, – theksoi Basha.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Opozita, e zbrazur në ide dhe plot me moralizëm fals

Nga Ervis Iljazaj* Ka një trend të përgjithshëm që është kthyer në...
Read More