Tri gjykimet që Partia Demokratike nuk pranon

Nga Ervis Iljazaj

Konfliktualiteti i politikës është normal në të gjitha vendet demokratike dhe jo vetëm në Shqipëri. Gara demokratike dhe hapësirat që ajo lejon e mundëson përplasjen politike, ndonjëherë edhe në nivele të tilla si kjo këtu te ne.

Por, ajo që nuk shkon nga të gjitha qëndrimet e Partisë Demokratike është sjellja refuzuese e të gjitha gjykatave që politika njeh. Në një regjim demokratik dy janë gjykimet kundrejt politikës, gjykimi juridik dhe gjykimi politik. Në këtë aspekt ne kemi dhe një të tretë dhe shumë të rëndësishëm, gjykimin e ndërkombëtarëve për shkak të raporteve detyruese që kemi në marrëdhëniet me ta.

Të tria këtyre gjykimeve Partia Demokratike refuzon t’iu nënshtrohet dhe si mënyrë të vetme ka gjetur rrugën e revolucionit, por fuqia dhe mbështetja popullore për të zhvilluar këtë revolucion deri më tani i ka munguar.

Pikë së pari, nuk ka asnjë aksion juridik në drejtësinë shqiptare të ndërmarrë nga opozita. Edhe pse nuk e njeh “Republikën e vjetër”, askush nuk mund të thotë që sistemi gjyqësor aktual është i kapur nga mazhoranca, duke qenë se shumica e tij është e emëruar nga legjislaturat e kaluara. Jo vetëm kaq, por PD ka bllokuar procesin e ngritjes të një sistemi të ri gjyqësor. Ndoshta pretendimet e saj në disa aspekte qëndrojnë për Reformën në Drejtësi, por ky nuk është justifikim për ta refuzuar totalisht siç po tregon me sjelljet e saj.

Pikë së dyti, refuzon gjykimin politik, atë të votës popullore. Deri më tani ka bojkotuar Parlamentin ekzistues, i cili është ndërtuar me vota të lira dhe të ndershme. Në këtë mënyrë i ka mohuar të drejtën politike dhe morale këtij Parlamenti të aprovojë të gjitha reformat që vendi ka nevojë dhe refuzon të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 Qershorit duke iu nënshtruar gjykimit të shqiptarëve. Askush nuk e beson më pretendimin e saj për garantimin e votë së lirë. Sepse të gjitha garancitë, ndoshta edhe më shumë seç i takonin iu dhanë nga ana e mazhorancës për të siguruar këtë proces.

Pikë së treti, përfundimisht ka refuzuar dhe të gjitha vendimet e ndërkombëtarëve të cilët gjejnë vështirësi të madhe për të legjitimuar ultimatumin politik të opozitës. Shpeshherë për sa iu përket ndërkombëtarëve ka një debat midis sovranistëve dhe nacionalistëve. Një debat i cili në zhvillimet politike që gjithmonë e më shumë janë rajonale dhe ndërkombëtare nuk kanë asnjë kuptim. Shqipëria është e detyruar të ndjekë rrugën e perëndimit, në të kundërt nuk ka asnjë shans për t’u integruar në politikat e tyre, që në të vërtetë janë të vetmet shpresa për shqiptarët. Rrugët e tjera jo vetëm që janë të dyshimta, por duhet t’i refuzojmë me çdo kusht.

Megjithatë, Partia Demokratike ka një meritë në të gjithë këtë histori. Kauza e saj për zgjedhje të lira dhe të ndershme ka marrë vëmendje në opinion publik si kurrë më parë. Por, problemet me gjykimet e sipërme, që janë të vetmet që politika njeh po zbehin gjithmonë e më shumë meritën e saj të padiskutueshme. Rregullat e përbashkëta të lojës politike nuk janë konsoliduar asnjëherë nga vullneti i njërës apo tjetrës palë. Këto vullnete janë thjesht politike. Patologjia e politikës pa gjykimin e saj të çon drejt mendësive autoritare. Për të frenuar atë, ka gjithmonë nevojë për arbitrin.

Shkruar Nga
More from revista mapo

“Po qeverisemi me lajmokraci! 18 shkurti, fillimi i një vendimi të madh”

Sekretarja e marrëdhënieve me Publikun në PD gjykon se opozita dhe qytetarët...
Read More