Trump në tatëpjetë, i “fal” Clinton-it presidencën

Saimir SulajNga Saimir Sulaj*

Demokracia dyqind e dyzet-vjeçare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po përjeton një rast të pashembullt. Për herë të parë një kandidat për president, më pak se tri javë nga mbajtja e zgjedhjeve, jo vetëm që vë në dyshim ndershmërinë dhe transparencën e tyre, por shprehet i rezervuar nëse do ta pranojë rezultatin apo jo. “Do ta them në një moment tjetër. Do t’ju mbaj pezull”, -tha Donald Trump, kandidati republikan për president në zgjedhjet e 8 nëntorit në SHBA, në debatin e tretë dhe të fundit përballë kandidates demokrate Hillary Clinton.

Ishte kjo frazë që shumëkush mendon se shënoi vetëvrasjen politike të miliarderit Trump. Menjëherë pas përfundimit të debatit, edhe publiku e dha verdiktin e parë, duke e shpallur zonjën Clinton qartësisht fituese të sfidës finale. Në anketimin e “CNN” ajo mori 52 për qind të preferencave të amerikanëve, përkundër 39 për qind të rivalit të saj.

Mospranimi i Trump për t’u shprehur nëse do ta pranojë apo jo rezultatin e zgjedhjeve ishte pjesa më pikante e debatit të së mërkurës mbrëma (duke u gdhirë e enjtja në Shqipëri). Ajo u ndoq nga akuza të republikanit se mediat që po mbështesin zonjën Clinton po punojnë fort kundër tij, duke ia sabotuar garën. Madje shkoi gjer atje sa pretendoi se mbi një milion vota, po përgatiten të hidhen në favor të ish-sekretares së Shtetit, pasi sipas tij, janë regjistruar për të votuar edhe njerëz që tashmë janë ndarë nga jeta. Një skenar që ngjan me atë shqiptar në ditët e zgjedhjeve, por që këtu në SHBA është thjesht i pakonceptueshëm.

Tatëpjeta e fushatës së Trump nisi qëkurse gazeta “Washington Post” publikoi dy javë më parë një videoregjistrim të vitit 2005, ku Trump dëgjohet të flasë me fyerje të rënda ndaj femrave. Paskëtaj, videoja u ndoq nga dëshmi të disa femrave për media në zë si “CNN” apo “New York Times”, të cilat pretendonin se janë ngacmuar seksualisht nga Trump.

Thuajse një muaj më parë, në vigjilje të debatit të parë presidencial, gjërat dukeshin më të favorshme për Trump. Për herë të parë ai kishte arritur që ta ngushtojë në vetëm dy për qind hendekun që e ndante nga rivalja e tij, sipas anketimeve të mediave dhe kompanive të ndryshme. Ishte pikërisht publikimi i këtij zinxhiri skandalesh, si dhe paraqitja e përsosur e Clinton në debate, që ia uli pikët zotit Trump.

Ai tanimë përballet me pasojat e veprimeve të tij në të shkuarën, sidomos qëndrimi ndaj grave. Me këtë situatë, gjasat që ai të marrë drejtimin e Zyrës Ovale sa vijnë e meken. Dita-ditës po e humbet terrenin. Numri i votueseve femra, të bardha, që e mbështesin, sa vjen e bie. Historikisht, në dekadat e fundit, çdo kandidat republikan që është zgjedhur president, ka marrë vota në masë nga votuesit meshkuj, të bardhë, si dhe ka ngushtuar me së paku dhjetë për qind hendekun me rivalët demokratë, në radhët e votueseve femra, të bardha. Pra, gjithnjë, votueset femra të bardha, shprehen në masë në favor të demokratëve, por reduktimi i këtij numri ka qenë zgjidhja e Nyjës Gordiane për republikanët që kanë triumfuar. Për momentin, Trump vetëm sa po e zgjeron edhe këtë hendek, duke e parë gjithnjë e më në largësi tashmë Shtëpinë e Bardhë.

Shifrat janë kokëfortë dhe në kokëfortësinë e tyre, ia japin deri tani drejtimin e shtetit më të fuqishëm në botë, për herë të parë në histori, një gruaje. Kjo pasi, në këtë periudhë, në tri zgjedhjet e fundit presidenciale, ato të vitit 2004, 2008 dhe 2012, kandidatët që kanë qenë në avantazh në sondazhe, sado të lehtë, janë shpallur fitues. Kjo ndodhi më 2004-ën kur George W. Bush kryesonte në anketime ndaj John Kerry-t dhe u shpall fitues. Edhe Obama ishte sërish në avantazh, qoftë në 2008-n kundrejt John McCain-it apo në 2012-n ndaj Mitt Romney-t dhe siguroi çelësat e Shtëpisë së Bardhë.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thuajse të gjithë e dinë, por askush s’e thotë publikisht. Ka vetëm një shpresë që Trump të arrijë mbase të përmbysë pritshmëritë: Shpresa që një numër i lartë votuesish të dalin masivisht në mbështetje të tij më 8 nëntor, por rezervohen ta shprehin këtë më herët. Kjo pasi, një votë pro Trump mund të përkthehej si një qëndrim racist i tyre. Racizmi është një temë e ndjeshme dhe sot e kësaj dite në SHBA. Por, kur të ndodhen në dhomën e fshehtë të votimit, aty ku e shprehin pa drojë dhe pa asnjë lloj trysnie mendimin e tyre, mbase shumë amerikanë do të mbështesin Trump. A mund të jetë kjo në nivele që përmbysin pritshmëritë? Kësaj nuk i dihet asnjëherë. Gjithçka mbetet në shkallën e hamendësimit. Për momentin flasin shifrat. Dhe shifrat zgjedhin Hillary Clinton presidente të SHBA-së.

*Gazetar

Shkruar Nga
More from revista mapo

Salca e kuqe, tentativa e dëshpëruar e marketingut guerrilas

Nga Ervis Iljazaj* Protesta e studentes ndaj reformës në arsimin e lartë,...
Read More