Trump, optimist për zgjidhjen e krizës bërthamore të Koresë së Veriut

Presidenti Donald Trump foli me tone dukshëm më të zbutura rreth temave të tilla të ndjeshme si Koreja e Veriut dhe tregtia me Presidentin e Kinës Xi Jinping, duke theksuar ndjenjat e tij “tepër të ngrohta” ndaj homologut kinez.

Gjatë deklaratave të përbashkëta që bënë të enjten pas bisedimeve në Pekin, zoti Trump shprehu optimizëm se SHBA dhe Kina do të zgjidhin krizën bërthamore të Koresë së Veriut. “Unë besoj se ka një zgjidhje për këtë, ashtu si ju,” tha Presidenti Trump.

Ai tha se ka “respekt të madh” për rolin udhëheqës të zotit Xi në çështjet tregtare dhe vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara duhet të ndryshojnë politikën e tyre. Zoti Trump fajësoi paraardhësit e tij në Uashington për deficitin tregtar me Kinën.’

“Është diçka shumë e keqe që administratat e kaluara kanë lejuar që deficiti të rritej aq shumë,” shtoi zoti Trump. “Por ne, – tha ai, – do ta bëjmë atë të arsyeshëm, dhe kjo do të jetë me përfitim të jashtëzakonshëm për të dy vendet.”

Kreu kinez tha se marrëdhëniet e Pekinit me Uashingtonin “tani janë në një pikë të re fillimi” dhe u zotua të “rrisë komunikimin dhe bashkëpunimin mbi çështjet bërthamore në Gadishullin Korean” dhe çështje të tjera.

“Për Kinën dhe Shtetet e Bashkuara, bashkëpunimi është e vetmja zgjedhje e vlefshme dhe bashkëpunimi i favorshëm mund të na çojë në një të ardhme më të mirë”, tha presidenti kinez.

Zyrtarët e administratës Trump thanë gjatë bisedimeve me dyer të mbyllura, se zoti Trump e nxiti Presidentin Xi të veprojë rreth çështjes bërthamore të Koresë së Veriut. Sipas Sekretarit të Shtetit Rex Tillerson, Trump i tha zotit Xi: “Ju jeni një njeri i fuqishëm, jam i sigurt se mund ta zgjidhni këtë për mua.”

Duke folur në Pekin, Tillerson vuri në dukje se “nuk ekzistojnë mosmarrëveshje mbi Korenë e Veriut” midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Diplomati vuri në dukje se kinezët u shprehën qartë dhe pa mëdyshje gjatë dy ditëve bisedimesh se ata nuk do të pranojnë një Kore Veriore me armë bërthamore.

Zoti Tillerson tha gjithashtu se të dy presidentët patën shkëmbime të sinqerta për çështjen e të drejtave të njeriut dhe mosmarrëveshjet detare në Detin e Kinës Jugore.

Më pas, Trump dhe Xi folën në një takim të udhëheqësve të biznesit. Trump tha: “Falënderoj Presidentin Xi për përpjekjet e tij të fundit për të kufizuar tregtinë me Korenë e Veriut dhe për të prerë lidhjet bankare. Kina mund ta zgjidhë këtë problem lehtë dhe shpejt.”

DEKLARATA TË PËRBASHKËTA MBI KORENË E VERIUT

Dy udhëheqësit bënë deklarata të përbashkëta mbi Korenë e Veriut. Zoti Trump pohoi se Kina është vendimtare për një zgjidhje diplomatike lidhur me udhëheqësin koreanoverior, Kim Jong Un.

“Për sa kohë që ne qëndrojmë së bashku, edhe me të tjerë nëse është e nevojshme, kundër atyre që kërcënojnë qytetërimin tonë, ky kërcënim nuk do të ndodhë kurrë dhe as që ka mundësi të ndodhë. Siç e thashë edhe dje në fjalimin tim në Seul, i tërë qytetërimi duhet të bashkohet për t’u përballur me kërcënimin e Koresë së Veriut”, tha presidenti amerikan.

Zoti Trump tha gjithashtu se Kina mund ta zgjidhë problemin lehtë dhe shpejt. Nga ana e tij Presidenti Xi la të kuptohet se Pekini nuk është i gatshëm të marrë rolin udhëheqës në trysninë ndaj Phenianit që ai të heqë dorë nga ambiciet bërthamore.

“Për çështjen bërthamore të Gadishullit Korean, ne përsërisim angazhimin e vendosur për arritjen e çmilitarizimit të gadishullit dhe ruajtjen e regjimit të mospërhapjes. Të dyja palët do të vazhdojnë të zbatojnë plotësisht dhe rreptësisht rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në të njëjtën kohë, ato angazhohen të punojnë drejt një zgjidhjeje përmes dialogut dhe negociatave”, tha zoti Xi.

Është e paqartë se si dy udhëheqësit i përkufizuan rolet e tyre përkatëse në trajtimin e çështjes së Koresë së Veriut gjatë bisedimeve me dyer të mbyllura. Por duket se Presidenti Trump ka hequr dorë nga komentet e bëra më parë gjatë këtij viti se, nëse Kina nuk ndërhyn për zgjidhjen e çështjes së Koresë së Veriut, Shtetet e Bashkuara do ta marrin vetë në dorë atë.

Ndërkohë, administrata Trump vuri në dukje disa marrëveshje biznesi të nënshkruara gjatë vizitës së presidentit në Kinë. Njëra nga marrëveshjet ka të bëjë me kompaninë më të madhe kineze të shitjeve në Internet, e cila do të blejë nga SHBA mish me vlerë deri në 1.2 miliardë dollarë.

Shtetet e Bashkuara dhe Kina, kanë përkatësisht ekonomitë më të mëdha dhe ushtritë më të fuqishme në botë.

Shkruar Nga
More from Revista User

Analistët: e ardhmja e BE-së është e pasigurtë

Fitorja e Emmanuel Macronit në zgjedhjet presidenciale franceze solli një farë lehtësimi...
Read More