Trump, Tirana dhe “tirania”

Nga Naum Mara*

Në dhjetë ditët e fundit, të qindëshes së parë të drejtimit, “The Donald” dha më në fund shenja se është “The President” i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sigurisht, që ai ishte President edhe gjatë 90 ditëve të para, por jo vetëm që nuk po sillej në mënyrë presidenciale, duke sulmuar brutalisht mediat, që e kundërshtonin dhe kundërshtarët e tij politikë, por duke befasuar botën edhe me qëndrime në politikën e jashtme të Amerikës, shumë më të ndryshme se të katër presidentëve paraardhës. Në to, dukej ndikimi shumë i madh i këshilltarit të tij Stiv Benën, i konsideruar si një ideolog ultra i djathtë. Në qarqet politike dhe të mediave të Uashingtonit, ky i fundit po konsiderohej si presidenti në hije.

Për shkak të dështimit të disa masave ultra të djathta, si Urdhri Ekzekutiv për ndalimin e hyrjes në Amerikë të banorëve të 6 vendeve me shumicë islamike, ndryshimi i ligjit për kujdesin shëndetësor sipas planit Obama (Obamacare), fërkimeve brenda Shtëpisë së Bardhë si dhe rënies të vazhdueshme të popullaritetit të tij në sondazhe, Trump u detyrua të bëjë një kthesë rrënjësore në politikat e tij.

Në fillim largoi Stiv Benën nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare, vetëm pak javë, kur në një mënyrë aspak tradicionale e kishte futur dhe i dha fuqi të plotë për çështjet e Sigurisë Kombëtare këshilltarit McMaster, një gjeneral me një emër shumë të mirë në të gjitha krahët e politikës amerikane.

Ndryshime rrënjësore pati edhe retorika ndaj Kinës dhe Rusisë, e cila tashmë është shumë larg asaj të fushatës elektorale dhe shumë pranë qëndrimit zyrtar amerikan të dhjetë viteve të fundit.

Të gjitha këto ndryshime, duke përfshirë edhe sulmin me raketa ndaj bazës ajrore të Asadit, janë mirëpritur nga e gjithë pjesa e moderuar e politikës dhe mediave amerikane.

Edhe pse më parë nuk kishte shenja të ndryshimit të politikës amerikane ndaj Tiranës, ndryshimet e qëndrimeve në politikën e jashtme të Trump, i japin fund edhe spekulimeve të mbështetjes së njërit apo tjetrit krah politik. Edhe pse “njolla” e deklarimeve absurde të Ramës gjatë verës së kaluar, nuk i është hequr kryeministrit dhe qeverisë aktuale, ka shumë mundësi, që me një “lëvizje prej pehlivani”, (nga ato që nuk e ka vështirë t’i bëjë) Ed Rama të sigurojë një vizitë në Shtëpinë e Bardhë, po e kapërceu me sukses krizën politike brenda vendit.

Por edhe pse po paraqitet më i moderuar, Trump ende nuk ka bërë ndonjë deklaratë, që të dëshmojë antipati ndaj udhëheqësve me prirje “tiranike”. Ai ende nuk ka përgënjeshtruar deklaratat e simpatisë për stilin drejtues të Putinit dhe Erdoganit, apo ato të mospërfilljes ndaj Merkelit, Kamerun dhe Holland. Për një udhëheqës të një vendi shumë të vogël (nëse Presidenti aktual ende kujton se sa peshë ka Shqipëria në Ballkan) është më se e logjikshme, që Trump të preferojë një “tiran”, që do rrijë një kohë të gjatë në pushtet dhe i merr vendimet vetë, se sa një politikan që ndjek vlerat më të mira demokratike.

Problemi është se Rama ka dëshmuar, që ka një dëshirë të madhe për të qenë “tiran”, por jo guximin, që ta shprehë këtë dëshirë edhe në arenën ndërkombëtare. Atje, atij i pëlqen të shfaqet me petkun e një politikani më se demokrat, tolerant dhe i hapur. Gjithashtu, ajo që i mungon Ramës për të qenë plotësisht “tiran” është mungesa e vendosmërisë. Mosqasja e mirë ndaj krizës së fundit, duke e lënë të thellohej, tërheqja nga marrëveshja për asgjësimin e armëve kimike të Sirisë, tolerimi në ekstrem i kultivimit të kanabisit, dëshmojnë për “thyeshmëri” të tij.

Ndaj edhe pse i pëlqyeshëm për Gjermaninë dhe Francën, Rama është ende larg të qenit i pëlqyeshëm për administratën e Trump apo për vetë presidentin e SHBA.

A mundet, që për këtë t’i vlejë vetëm “dëshmia e tiranisë” brenda Partisë Socialiste?

Zakonisht, ky është një kusht i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm, për t’u konsideruar mes “gjigantëve”, se bën pjesë në radhët e “tiranëve” të vegjël.

“Detyra e parë e shtëpisë“ është të zgjidhë krizën politike të Shqipërisë.

Pas saj mund të vazhdojë me një deklaratë, “se ç’fat i madh për Botën Perëndimore, ishte zgjedhja si President e Donald Trump!”.

Me hapa të ngjashëm mund të arrijë gradualisht në ëndrrën e tij, për të qenë një “Putin” i Ballkanit.

*Publicist

Shkruar Nga
More from revista mapo

Petrit Ymeri: Shkollat kanë nevojë për libra të mirë

Çfarë është realizuar deri tani me projektin “Lexuesi i të ardhmes”?! Drejtori...
Read More