Turi për t’u përshëndetur, por i pamjaftueshëm i Ramës për hapjen e negociatave

Nga Ervis Iljazaj

Kryeministri Rama ka zhvilluar një sërë takimesh në kancelaritë europiane me qëllim bindjen e vendeve skeptike për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Në këtë kuadër, pritet që turi i takimeve të Kryeministrit të vazhdojë edhe në vendet e tjera.

Rama në çdo takim, thekson fort se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave, si një mundësi që i duhet dhënë për ta futur njëherë e përgjithmonë në këtë proces. Me të drejtë, pasi Bashkimi Europian duhet të japë një sinjal të fortë për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Por, është një retorikë, e cila me shumë mundësi nuk ka asnjë efekt në vendimin e Këshillit për hapjen e negociatave.

Sigurisht, është një hap i domosdoshëm, dhe Kryeministri po bën detyrën që i takon, por vendimi pozitiv ose negativ i Këshillit Europian në Qershor nuk varet aspak nga takime të tilla. Aq më tepër kur mendohet, siç po bën Kryeministri Rama në këto raste se, marrëdhëniet personale mund të na japin një dorë.

Kjo për arsye se, vlerësimet për meritimin e hapjeve të negociatave ose jo, nuk varen nga merita që i japim ne vetës, por nga nota që do të na japin vendet e ndryshme të Bashkimit Europian, apo nga “kërcënimet” se nëse nuk hapen negociatat do të ketë më shumë azilkërkues nga Shqipëria dhe kërcënimet me rrezikun rus.

Ka dhe një kartë tjetër që bën shqiptarët dhe një pjesë të politikës të besojnë se, Bashkimi Europian, e meritojmë ose jo , do të na pranojë për arsye gjeopolitike.

Po të shtosh këtu, edhe frymën euroskeptike që ekziston dhe klimën politike të brendshme të shumë prej shteteve anëtarë, atëherë situata bëhet edhe më e komplikuar.

Asnjëra nga arsyet e lartpërmendura nuk ndihmon për ëndrrën europiane të Shqipërisë. E vetmja shpresë është të plotësojnë të gjitha kriteret dhe kushtet që na kërkohen, sidomos më kryesorin, atë të zbatimit të Reformës në Drejtësi. Reforma në Drejtësi, veçanërisht procesi i vettingut, ishte arsyeja kryesore se përse u rekomandua nga Komisioni Europian hapja e negociatave pa kushte, por, në të njëjtën kohë, nëse nuk përshpejtohet zbatimi i saj, mund të kthehet në arsyen kryesore të vendimit negativ për hapjen e negociatave.

Bashkimi Europian, ndryshe nga NATO, që është një aleancë ushtarake dhe diplomatike, është një regjim politik dhe një sistem qeverisjeje të përbashkët. Gjë e cila nënkupton, ekonomi të përbashkët, ligje të përbashkëta dhe parime të përbashkëta.

Në këtë kuptim, për t’u bërë pjesë e një regjimi politik, kërkohet që të zbatosh një sërë rregullash të përbashkët. Për këta rregulla, vlerësimi vjen nga vendet anëtare, sipas kritereve të tyre, dhe jo nga vlerësimi që kemi ne për veten, apo ideja se ne i duhemi Europës për arsye gjeopolitike.

Edhe mund të jetë kështu, por nuk duhet të na rrejë mendja se Bashkimi Europian do të na pranojë me hatër.

Prandaj, në vend të tureve, të cilat duhen me patjetër të zhvillohen, më mirë është të fokusohemi këtu, në Shqipëri për të realizuar të gjitha ato kushte që na kërkon Bashkimi Europian.

Deri në vendimin përfundimtar, e gjithë politika shqiptare duhet të fokusohet rreth këtij objektivi, përfshi këtu edhe opozitën që mund të luajë një rol të rëndësishëm.

Por, kjo nuk nënkupton, siç mendojnë disa, që opozita duhet të ndalojë aksionin e saj politik të brendshëm vetëm për hir të negociatave. Dialektika e brendshme duhet të vazhdojë normalisht, dhe nuk pengon aspak hapjen e negociatave. Politika e brendshme dhe ajo e jashtme e Shqipërisë janë dy gjëra totalisht të kundërta, dhe nuk ndikojnë, ose më saktë, nuk duhet të ndikojnë njëra-tjetrën.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ylli Pango në udhëtim me psikologjinë shqiptare

Nga dr. Mimoza Ahmeti Në panairin e librit që vijon në Pallatin...
Read More