Turistët e mbytur, ana tjetër e këtij sezoni turistik


Vera e sivjetme do kujtohet për numrin e lartë të viktimave gjatë pushimeve në bregdet. Berisha: Sezoni turistik i mbytjes së 28 turistëve, 5 herë më shumë se në brigjet e Europës!

Kjo verë do të mbahet mend veç të tjerash edhe për numrin e lartë të turistëve që humbën jetën gjatë sezonit të pushimeve. Shumica prej tyre u mbytën aksidentalisht në det, mjaft prej të cilëve ishin pushues të huaj. Rasti më i rëndë qe i një turisteje 15-vjeçare ruse e cila dyshohet se u aksidentua nga një mjet ujor në Ksamil.

Por edhe Zvërneci ka qenë një nga plazhet më të rrezikshme të këtij viti. Aty humbën jetën katër turistë, mes të cilëve edhe një i ri, shqiptar nga Maqedonia, i cili u mbyt duke shpëtuar dy vajza të cilat edhe ato gjithashtu u mbytën, ngjarje kjo e ndodhur në muajin korrik.

Rasti i fundit

Një grua është gjetur e mbytur dje në Radhimë të Vlorës. Viktima quhet Rovena Mejsukova, 74 vjeçe, nga Çekia. Ka qenë një telefonatë rreth orë 11:05, që ka dhënë alarmin në Sallën Operative Vlorë duke njoftuar se, në vendin e quajtur Rexhina në Radhimë, është mbytur një grua.

Policia ka shkuar në vendngjarje dhe nga verifikimi paraprak ka konstatuar një shtetase femër, turiste, rreth 70 vjeçe, e cila është futur në det për tu larë dhe ka humbur ndjenjat, bëjnë me dije burime nga Policia. Edhe pse i është dhënë ndihmën e parë nga pushues të rastit, ajo nuk ka mundur të mbijetojë. Grupi hetimor po vazhdon kryerjen e veprimeve hetimore për identifikimin e viktimës si edhe për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes, njofton Policia e Vlorës.

Reagimi i Berishës

Për ngjarjen ka reaguar edhe ish-kryeministri Berisha, sipas të cilit bregdeti shqiptar ka një kujdes zero nga qeveria. Ja çfarë shkruan Berisha: “Sezoni turistik i mbytjes së 28 turistëve apo 5 herë më shumë se në të gjitha brigjet e Europës! Brigjet e Shqipërisë, brigjet e askujt! Të dashur miq, në Radhimë ndodhi sot mbytja e radhës.

Një turiste çeke humbi jetën në det, mbytja e dytë në Vlorë në 4 ditët e fundit dhe e 28-ta e këtij sezoni turistik. Në harkun kohor dy mujor ujërat e brigjeve të detrave tona sikur të ishin brigjet e një vendi pa shtet, gllabëruan në thellësitë e tyre 28 jetë apo 5 herë më shumë jetë pushuesish se sa ujërat e brigjeve të gjithë kontinentit.

Shpreh me këtë rast ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës, dënoj me ashpëri kujdesin zero të autoriteteve qendrore dhe lokale të vendit si dhe indiferencën dhe papërgjegjshmërinë e tyre ndaj rrezikut të ujit. Theksoj se kjo është një indiference kriminale.

Çdo turist apo pushues vendas derdh me shpenzimet e tij si taksa, qindra e mijëra lek në buxhetin e shtetit gjatë qëndrimit të tij me pushime. Kurse kjo qeveri as dhe autoritet lokale nuk kanë shpenzuar qoftë dhe një qindarkë për mbrojtjen dhe sigurimin e tyre nga rreziku i ujit.

Përveç kësaj, qeveria, me industrinë e mafies, skafet që ka favorizuar, ka rritur shumë rrezikun për jetën të turistëve në ujërat e plazheve tona. Me këto zhvillime nxihet reputacioni turistik dhe Shqipëria bëhet vendi i tragjedive ujore, pa llogaritur ato rrugorë, më të mëdha individuale të turisteve nga mbarë bota!

Shkruar Nga
More from Redaksia

Dita e dytë e takimit informal të ‘Rama 2’ dhe urimi i kryeministrit

Edi Rama do të vijojë edhe ditën e sotme takimin e tij...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.