U përfitua në mënyrë të paligjshme, sekuestrohen mbi 360 mijë m² në Spille

Prokuroria e Kavajës ka urdhëruar sekuestrimin e mbi 360 mijë metra katrorë truall në zonën bregdetare të Spillesë, pasi dyshohet se është përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

Sekuestro është vendosur për 4 parcela, ndërsa nga hetimi rezultoi se toka u ishte dhënë banorëve në kundërshtim me ligjin.

HETIMI

Në bazë të veprimeve hetimore të deritanishme të Prokurorisë së Kavajës, gjykata ka pranuar kërkesën për vendosjen e sekuestros mbi 4 parcela toke, me sipërfaqe secila, si vijon:

Parcela nr.1, ZK 3501, ndodhur në Spille-Kavajë me sipërfaqe 39.900 m2.
Parcela nr.35, ZK 3501, ndodhur në Spille-Kavajë me sipërfaqe 47.500 m2.
Parcela nr.37, ZK 3501, ndodhur në Spille-Kavajë me sipërfaqe 223.300 m2.
Parcela nr.178, ZK 3501, ndodhur në Spille-Kavajë me sipërfaqe 52.000 m2.
Nga hetimet e Prokurorisë së Kavajës ka rezultuar se kjo sipërfaqe e tokës, e shpërndarë në katër parcela, u është dhënë banorëve të ndryshëm në kundërshtim me aktet ligjore që rregullon procesin e marrjes së tokës në pronësi. Në bazë të ligjit “Për Tokën”, duhet të shpërndaheshin vetëm tokat bujqësore. Ndërkohë, nga verifikimet e kryera nga Prokuroria e Kavajës, rezulton se sipërfaqja e sekuestruar tashmë është tokë pa fryt (ranishte), e cila ka qenë e përjashtuar nga procesi i privatizimit.

Nga veprimet hetimore në terren të Prokurorisë së Kavajës ka rezultuar se të gjitha këto pasuri të kthyera dhe regjistruara në emër të personave të ndryshëm me ndërrim të zërit kadastral nga “tokë pa frut” ose “pyll” në “tokë bujqësore” dhe në vijim të ndara me Akte të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), në fakt janë ende ranishte në breg të detit ose pyll. Më pas këto pasuri të regjistruara në emër të shtetasve sipas AMTP janë tjetërsuar (shitur) me anë të kontratave noteriale tek blerës të dytë ose të tretë. Për këto arsye ngrihet dyshimi i bazuar se të gjitha praktikat për regjistrimin e pasurive në parcelat nr.1, 35, 37 dhe 178 të ZK 3501 ndodhur në Spille Kavajë (bregdeti) janë bazuar në dokumentacione tërësisht të falsifikuara. Nga ana tjetër ka rezultuar nga të dhënat e para hetimore se personat të cilët kanë përfituar në bazë të këtyre praktikave pasuri të paluajtshme sipas AMTP-ve përkatëse në kushtet kur këta persona kanë qënë trajtuar më parë me tokë bujqësore sipas ligjit nr.7501/1991 “Për tokën” pasi kanë qënë pjesë e familjeve bujqësore më datë 01.08.1991 apo edhe raste kur AMTP-të janë gjetur me vula të skanuara, pa nënshkrime, pa numra dhe data etj.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se AMTP-të e përdorura për regjistrimin e pasurive dhe kalimin e pronësisë nga shtet në privat janë të gjitha të pas vitit 2000.

Bazuar nga sa më sipër, si dhe në tërësinë e veprimeve hetimore të deritanishëm, Prokuroria e Kavajës ka vlerësuar se është e nevojshme vendosja e masës së sigurimit pasuror të sekuestros preventive mbi parcelat nr.1, 35, 37 dhe 178 të ZK 3501 ndodhur në Spille Kavajë (bregdeti). Vendosja e kësaj mase është e nevojshme pasi lënia e lirë e këtyre pasurive dhe të transaksioneve mbi to krijon mundësinë e tjetërsimit, ndryshimit dhe fshehjes së pronësisë reale dhe të origjinës së regjistrimit të pasurive dhe të personave të përfshirë në krijimin e praktikave të falsifikuara për përvetësimin e sipërfaqeve të tokës si dhe krijon mundësinë e kryerjes së zgjatjes dhe rëndimit të pasojave të veprës penale duke sjellë pasoja të rënda materiale interesave të ligjshme të shtetit si rrjedhojë e humbjes së pronësisë mbi sipërfaqe pylli dhe ranishte apo edhe dëmtim të interesave të ligjshme materiale të personave të tjerë që potencialisht mund të kryejnë blerje në mirëbesim të pasurive të regjistruara dhe që i përkasin këtyre parcelave.

Shkruar Nga
More from Revista User

Djegia e makinës së Flori Mumajesit, hetohen konfliktet me këto këngëtarë

Zjarri që përfshiu garazhin e një pallati mbrëmjen e së dielës në...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *