Udhëtarët diplomatë dhe fillimet e albanologjisë

EDWARD LEAR_1Nga Genciana Abazi-Egro*

Qeverisja thuajse e pavarur e Ali Pashë Tepelenës në dy dekadat e para të shek. XIX tërhoqi vëmendjen e Fuqive Europiane, duke i faktorizuar shqiptarët në politikën e madhe botërore. Pranë Ali Pashës u vendosën konsuj të vendeve perëndimore, emisarë ushtarakë, ndërsa oborrin/ sarajin e tij e vizituan poetë, gazetarë dhe politikanë të rangjeve të ndryshme.

Këto kontakte prodhuan një varg librash ku shqiptarët dhe gjuha shqipe zinin një vend të dukshëm dhe të rëndësishëm. Më 1813 John C. Hobhouse boton shënimet e udhëtimit të tij në trojet shqiptare; një vit pas tij sheh dritën e botimit udhëpërshkrimi i Martin William-Leake shoqëruar edhe me një studim të posaçëm mbi shqipen; ndërsa më 1815 del vepra e Henry Hollande dhe më 1820 botojnë librat e tyre të udhëtimit François Pouqueville dhe Thomas S. Hughes. Po më 1820 Ali Pasha dhe bashkë me të edhe shqiptarët, bëhen të njohur edhe në Amerikë nëpërmjet shënimeve të udhëtimit të dy gazetarëve amerikanë.

Për shqiptarët ky ishte prezantimi i parë me lexuesin perëndimor në fillimet e kohërave moderne. Në të vërtetë në Europë, në këto vite letërsia e udhëtimit ishte në modë dhe kishte një treg të madh lexuesish. Këta libra përbënin mjetin kryesor që po përdorte Europa për të njohur botën dhe për ta sjellë atë te lexuesit vendës. Për lexuesit europianë, ato shërbenin si orientim drejt të panjohurës jashtë qytetërimit të tyre, duke i ndihmuar në ndërtimin kulturalisht të tjetrit. Mirëpo për shqiptarët kjo mënyrë prezantimi nuk do të ishte shumë e përshtatshme, madje do të rezultonte edhe në disfavor të tyre. Kjo për dy arsye kryesore.

E para sepse ky prezantim dhe kjo njohje për shqiptarët u realizua jo nëpërmjet një kontakti të drejtpërdrejtë, por me ndërmjetësinë e udhëtarëve perëndimorë. Në shumicën e rasteve ata nuk njihnin shqipen dhe kontaktet me shqiptarët i realizuan me ndihmën e përkthyesve. Prandaj dhe njohja që ata patën për shqiptarët mbeti shumë e kufizuar dhe sipërfaqësore. Përveç kësaj kjo njohje u shoqërua edhe me një dozë të madhe subjektivizmi, që jo gjithnjë ishte pozitivisht në krah të shqiptarëve. Simpatitë dhe antipatitë që patën përjetuar gjatë udhëtimit ua shtuan përvojave të tyre eksploruese dhe në këtë trajtë i transmetuan edhe te lexuesit e vendeve të tyre. Në këtë mënyrë librat e tyre më shumë se sa i ndihmuan njohjes, shërbyen si orientim për lexuesin europian, i cili mbështetur në materialin e ofruar prirej drejt gjykimit, për të kaluar shumë lehtë edhe në paragjykim. Kjo situatë shprehet qartë në librin e konsullit francez F. Pouqueville, i njohur për marrëdhëniet e tensionuara që pati me Ali Pashë Tepelenën. “Po ofroj material të bollshëm për të gjykuar shqiptarët”, shkruan Pouqueville, ndërsa bën fjalë për shqipen dhe shqiptarët.

Pika e dytë që disfavorizonte shqiptarët, në këta libra ishte sistemi i referimit që udhëtarët perëndimorë përdorën për të kuptuar dhe prezantuar shqiptarët. Prezantimi i shqiptarëve dhe më tej analizimi e gjykimi i tyre u krye duke marrë për bazë realitetin europian, sipas vlerave dhe normave të vetë europianëve, e thënë ndryshe duke patur si pikë referimi qytetërimin e krishterë perëndimor. Mirëpo shqiptarët në shek. XIX ishin pjesë e Perandorisë Osmane dhe për më tepër gjatë shekujve osmanë qenë i vetmi popull ballkanik që në shumicë dërrmuese lanë identitetin e tyre fetar të krishterë dhe kaluan në atë islam. Ky fakt përbënte një disavantazh të madh përpara lexuesve europianë, pasi shqiptarët i lidhte fetarisht dhe për pasojë kulturalisht me Orientin, ndërkohë që gjeografikisht Europa i identifikonte si pjesë të sajën. Për të kapërcyer këtë situatë, udhëtarët perëndimorë gjatë përshkrimit të trojeve shqiptare dhe prezantimit të shqiptarëve iu referoheshin vazhdimisht grekëve e romakëve të lashtë, si: Homeri, Virgjili, Seneka, Tukididi etj. Kjo mënyrë prezantimi i bënte shqiptarët më të kuptueshëm për lexuesin europian dhe i afronte trojet shqiptare me vlerat e qytetërimit të lashtë grek, që ishte dhe një prej kolonave ku kishte filluar të mbështetej projekti për një Europë të re. Por nga ana tjetër, kjo mënyrë prezantimi metodologjikisht linte jashtë trajtimin e realitetit kulturor që shqiptarët kishin zhvilluar gjatë shekujve osmanë. Për ta ilustruar mjafton të themi që ata kanë lënë jashtë vëmendjes letërsinë e krijuar nga shqiptarët myslimanë në shek. XVIII dhe në gjysmën e parë të shek. XIX.

Nga ana tjetër, zbulimi i shqiptarëve përpara lexuesit europian përveçse i ndihmonte njohjes dhe proceseve identitare në Europë, kontribuonte drejtpërsëdrejti në qëllimet strategjike që Fuqitë Europiane kishin lidhur me rajonin. Njohja e terrenit dhe e banorëve ndikohej nga interesat e politikës së ditës që Fuqitë Europiane kishin për shtrirjen e influencës së tyre. William Martin-Leake (emisar ushtarak britanik) dhe François Pouqeville (konsull i Francës), që qëndruan në Janinë pranë Ali Pashë Tepelenës më gjatë se cilido emisar tjetër i huaj, si pjesë të aktivitetit të tyre diplomatik dhe ushtarak kishin edhe njohjen e terrenit e të popullsisë vendëse. Ministri i Jashtëm britanik Horrowby, më 28 gusht 1804, në përshkrimin që i bënte misionit që W. Martin-Leake duhej të kryente në zotërimet e Ali Pashës, në pikën 10 shkruante kështu: “Duke ndjekur po ata objektiva, do t’i kushtoni vëmendje të veçantë gjeografisë së përgjithshme të Greqisë (territoret në zotërim të Ali pashë Tepelenës), me qëllim që për qeverinë britanike dhe për kombin të merrni njohuri, më të përpikta, sesa janë grumbulluar deri më tani për këtë vend interesant dhe me rëndësi”. Po në të njëjtën kohë (1805), Napoleon Bonaparti ndërsa shtiu në dorë Dalmacinë urdhëroi kreun ushtarak të trupave franceze, i cili kreu zbarkimin ushtarak francez në Dalmaci, ushtarakun e lartë Marmont, që të grumbullonte informacion në lidhje me burimet natyrore dhe situatën ushtarake të Bosnjës, Maqedonisë, Thrakës, Greqisë dhe Shqipërisë.

Ndërvarësinë që kanë librat e udhëtimit me interesat politikë të Fuqive Europiane e pohon në mënyrë të sinqertë edhe Martin-Leake në hyrje të librit mbi hulumtimet e kryera gjatë misionit të tij pranë Ali pashë Tepelenës. Nga parathënia mësojmë se rëndësia e gjuhës shqipe në gjysmën e parë të shek. XIX, varionte në varësi të zhvillimeve ndërkombëtare, madje ndryshonte nga dekada në dekadë. Në kostelacionin e ri të zhvillimeve europiane, pas rënies së Napoleon Bonapartit, për britanikët, sipas Martin-Leake shqipja kishte humbur rëndësinë e mëparshme. Dhe me të vërtetë në librat e udhëtimit që do të botojnë udhëtarët britanikë pas tij, sikurse David Urquhart (1838), Edwar Lear (1951), Edmund Spencer (1851) etj., shqiptarët dhe shqipja nuk janë më objekt i veçantë analize, por janë pjesë e udhëtimit eksplorues që ata kryejnë në viset e Ballkanit. Interesimi i drejtpërdrejtë britanik për shqiptarët dhe gjuhën shqipe do të rizgjohet në dekadat e para të shek. XX me shkrimet dhe librat e Edit’h Durham-it. Në këtë mënyrë nëpërmjet gjeografisë së autorëve që kanë eksploruar viset shqiptare dhe më pas i kanë hedhur në letër shënimet e tyre të udhëtimit, mund të ndjekim dhe ecurinë e interesave gjeostrategjikë të Fuqive Europiane dhe krahas kësaj edhe interesimin për Shqipërinë dhe shqiptarët në shek. XIX.

Librat e udhëtimit, pavarësisht përvojave të ndryshme dhe marrëdhënieve që ndërtuan autorët me shqiptarët, u hartuan të gjitha sipas të njëjtit model. Udhëtarët duhet të përshkruanin përvojën dhe vëzhgimet e tyre të përditshme. Ky format krijonte hapësirë për eksplorime të natyrës shkencore, d.m.th. vëzhgim, interpretim, eksplorim. Në këtë mënyrë ata përshkruanin terrenin dhe zbulonin banorët, jepnin një variant të origjinës, bënin fjalë për besimet fetare, gjuhën që përdornin, mënyrën e jetesës dhe gjithçka tjetër që mendohej se ishte e domosdoshme për njohjen, por dhe që lexuesi perëndimor kishte nevojë të dinte. Në këtë mënyrë jepej një informacion i plotë, por pa një kategorizim dhe klasifikim të mirëfilltë që kërkon një stad tjetër studimi. Kjo njohje sistematike i shkëput nga veprat e udhëtarëve të shek. XVII dhe XVIII sikurse Lady Montagu, Edward Brawn etj., të cilët thjesht sa kishin dhënë mbresa dhe informacione, pa kaluar në një eksplorim të mirëfilltë.

Këta libra udhëtimi të shkruar në dekadat e para të shek. XIX nuk ishin raste sporadike dhe të shkëputura, por u hartuan në ndërveprim me njëri-tjetrin. Autorët kanë lexuar librat e udhëtimit të botuar më parë, madje japin vlerësimet e tyre për to, i citojnë dhe i referohen për shumë çështje të caktuara. Përveç kësaj, për njohjen paraprake të shqiptarëve, para nisjes së udhëtimit, ata kanë lexuar të njëjtat burime sikurse Historia e Skënderbeut e Marin Barletit (1508) dhe në shumë raste Fjalorin latinisht-shqip të Frang Bardhit (1635), Gramatikën e shqipes të hartuar nga Da Lecce (1716). Ndërkohë që edhe udhëtarët perëndimorë në vitet ’40 të shek. XIX, sikurse Ami Boué, Edmund Spencer etj., u ngritën mbi këtë njohje, e plotësuan atë dhe ofruan një panoramë në zhvillim të realitetit shqiptar duke shtuar edhe botimet e reja që ishin realizuar ndërkohë (fjalorin e Xylander-it dhe botimin shqip të Dhiatës së Re nga Shoqëria Biblike Britanike).

Ky ndërveprim ndërmjet tyre ka bërë që dija mbi shqiptarët dhe shqipen e ofruar nga këta libra të jetë sistematike dhe të njohë një rritje të vazhdueshme. Këtu ka ndihmuar edhe fakti që ato zotëronin një treg të gjerë dhe të qëndrueshëm, u drejtoheshin një game të gjerë lexuesish dhe ishin lehtësisht të gjendshëm. Ato janë vlerësuar si botime të suksesshme, pasi brenda një kohe të shkurtër njohën disa ribotime, madje vazhdojnë të ribotohen edhe në ditët tona.

Pikërisht kjo njohje sistematike në rritje dhe tradita që krijuan këta libra udhëtimi i veçon ato nga librat e paktë shkencorë që kishin trajtuar deri në atë kohë shqiptarët dhe shqipen. Librat shkencorë të shek. XVIII dhe të gjysmës së parë të shek. XIX (G. Wilhelm Leibniz, Johann Thunmann etj.,) u drejtoheshin qarqeve akademike, ishin të vështirë për t’u gjetur dhe mbi të gjitha ishin sporadikë. Kështu që ata nuk patën ndikim dhe mbetën të kufizuar vetëm brenda një qarku të kufizuar studiuesish.

Udhëtari dhe dijetari francez Ami Boue, më 1840, me gjasë është i pari që artikulon marrëdhënien e re që po krijohej mes librave të udhëtimit dhe dijes sistematike shkencore:

“Kanë ardhur kohëra që studimet shkencore, veçanërisht ato gjuhësore, nuk shihen më si të huaja nga diplomatët në detyrë, sepse është shumë qesharake që të duash të njohësh një vend pa ditur nocionet elementare të gjuhës që flitet”.

Me të vërtetë tradita që krijuan librat eksplorues të udhëtimit kulmoi me veprën e konsullit austro-hungarez Johann Georg von Hahn, udhëpërshkrimi i të cilit ngrihet në eksplorim me pretendime shkencore. Libri Studime shqiptare (3 vëllime) ishte produkt i udhëtimit që Hahn ndërmori në trojet shqiptare gjatë kohës kur shërbeu si konsull i Austro-Hungarisë në Janinë (1847-1850). Kjo vepër solli një ndryshim cilësor, jo vetëm në njohjen e shqiptarëve, por qëndron në themel të paradigmave kulturore dhe shkencore që studimet albanologjike do të zhvillonin në shek. XX. Për këtë arsye kjo vepër vlerësohet gjerësisht si gurthemeli i shkencave albanologjike.

* Pedagoge, UET

Shkruar Nga
More from revista mapo

Merr fund drama që mbajti pezull botën

Nuk janë të pakët prindërit që vendosin të ndëshkojnë fëmijët kur ata...
Read More