Udhëtimi i Ramës dhe Bashës në Bruksel, duhet të na qetësojë dhe jo të na shqetësojë

Nga Ervis Iljazaj

Që nga marrëveshja e 17 Majit midis Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, shumë nga kritikët e lidershipit të këtij të fundit, e shohin këtë akt politik si një nga përgjegjësitë kryesore të humbjes së Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 Qershorit. Dhe, sa herë që ndodh, qoftë edhe një takim formal midis tij dhe kreut të mazhorancës, shihet si një akt tradhtie ndaj kauzës së Partisë Demokratike. Një këndvështrim pa asnjë logjikë politike ky, a thua se një politikan futet në zgjedhje për t’i humbur ato.

I gjendur në këtë presion, vetë Lulzim Basha ka një lloj kompleksi sa herë që bëhet fjalë për idenë e bashkëpunimit me mazhorancën, dhe për këtë fakt ka shkëputur çdo lloj komunikimi me Edi Ramën, duke ndryshuar totalisht aksionin politik të opozitës.

Aksion politik, që kohët e fundit është karakterizuar me të drejtë ose jo, nga konfliktualiteti i lartë. Mirëpo, do apo s’do opozita dhe aktorë të tjerë rreth saj, bashkëpunimi me mazhorancën është kusht i paevitueshëm për mbarëvajtjen politike. Nuk njeh mekanizëm tjetër demokracia, përveçse legjitimimit të kundërshtarit. Prandaj, është në interes të Shqipërisë dhe vetë Partisë Demokratike që sa herë që është e nevojshme bashkëpunimi politik, të mos pengohet nga ide absurde se kjo dëmton opozitën.

Ky lloj paniku absurd, ndodhi edhe në rastin më të fundit, ku kreu i qeverisë dhe lideri i opozitës udhëtuan drejt Brukselit për takimin e radhës që parashikojnë procedurat e integrimit në Bashkimin Europian.

Menjëherë në shtypin e ditës filluan teoritë konspirative të një takimi sekret në Bruksel midis dy liderëve kryesorë të politikës shqiptare. Duke nxjerrë lloj-lloj hamendësimesh për një marrëveshje të re të ndërmjetësuar nga biznesmenë të rëndësishëm.

Si ka mundësi që edhe njëherë që politika shqiptare shkon bashkë në Bruksel, edhe pse me qëndrime të ndryshme, ky udhëtim anatemohet dhe krijon shqetësim?

Ndërkohë që, e kundërta duhet të ishte e vërtetë. Udhëtimi i dy aktorëve kryesorë politik për një qëllim të përbashkët, duhet të ishte në normë dhe i zakonshëm për politikën shqiptare. Kriteri kryesor i Kopenhagenit që parashikon integrimin në BE, është ai politik. Politik në kuptimin e vullnetit të përgjithshëm që duhet të tregojë politika për këtë proces. Gjë e cila nuk ka ndodhur gjatë gjithë tranzicionit shqiptar. Ndoshta, ky udhëtim është nga të rrallët ku opozita dhe mazhoranca shkojnë drejt Brukselit së bashku, të përfaqësuar nga liderët e tyre.

Prandaj, të gjitha ankthet dhe shqetësimet që u shprehën në media nga një pjesë e grupeve rreth Partisë Demokratike, për faktin se aty po ndërtohet një marrëveshje e re, janë të pavend.

Aq më tepër, kur në deklaratën e Lulzim Bashës nuk tregohej asnjë shenjë “miqësie” ndaj qeverisë. Në të gjitha qëndrimet e tij, kreu i opozitës pasqyroi një gjendje në prag katastrofe të realitetit në Shqipëri.

Nxitja për të shkëputur çdo urë bashkëpunimi midis opozitës dhe mazhorancës, është një gjest shkatërrimtar për politikën shqiptare, dhe shkon vetëm në favor të atyre që përfitojnë nga ky konfliktualitet. Mazhoranca dhe opozita, e kanë për detyrë të bashkëpunojnë sa herë është e nevojshëm për reformat e mëdha që i duhen vendit, si reforma zgjedhore, ajo në drejtësi, apo të tjera që kanë ndikim direkt në përshpejtimin e proceseve të integrimit. Nuk duhet të ngatërrojmë betejën politike normale në një demokraci, me konfliktualitetin, që është në dëm të saj.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Elvis Hoxhën e pyes: Kush na do ne më shumë se Amerika?

Nga Arjan Çuri Këto ditë është zhvilluar një debat publik mes dy...
Read More