UET Alumni, Elson Frroku: Lumturia kur bën atë që do


 
 

Të dyja ciklet e studimit – Bachelor dhe Master – i ka kryer në Marrëdhënie Ndërkombëtare. Sot jep mësim në një qendër humanitare të “World Vision”, drejton Unionin e Studentëve të Universiteteve të Pavarur dhe merret me kërkim shkencor. Nuk kam rrogë të majme, thotë Frroku, por bëj atë që dua. Në fund të ditës është i lumtur për zgjedhjen që ka bërë dhe krenar që të gjitha i ka arritur me meritë. Ai gjithashtu jep disa këshilla praktike për maturantët se çfarë të kenë parasysh kur zgjedhin studimet dhe universitetin…

Kur e pyesin se ç’vlerë ka patur arsimimi për të, u përgjigjet me shprehjen e një presidenti të Universitetit të Harvardit. “Arsimi formon njerëz fisnikë, të cilët më pas marrin vendime të fisshme”, – thoshte Derek Bok në 1700–ën e po aq vlen edhe në perceptimin e tij si student, por edhe jashtë auditorëve ku diploma e marrë në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Bachelor, ndjekur edhe nga Masteri i Shkencave, ia ka dorëzuar aftësitë e duhura për të konkurruar në tregun e punës.

“Sipas mendimit tim universiteti të krijon mundësinë e njohjes dhe shkëmbimit të mendimeve në një bashkësi heterogjene njerëzish dhe profesionesh. Pikërisht këtu formohet edhe qasja e punësimit, duke dhënë atë që ke dhe di të bësh më mirë në vendin dhe kohën e duhur pranë njerëzve dhe profesioneve të duhur”, thotë Elson Frroku, i cili tashmë punon si lektor në një qendër humanitare projekt i “World Vision”, si edhe drejton Unionin e Studentëve të Universiteteve të Pavarur. “Asistoj në kërkim shkencor për kolegët e mi dhe në disa organizata, gjithashtu jam përzgjedhur me votë asambleje si anëtar i kryesisë në rang kombëtar për qarkun tim në një organizatë politike vertikale rinore “Forumi i Rinisë Euro-Socialiste të Shqipërisë” FRESSH. Të gjitha këto arritje janë shumë të rëndësishme për mua, sepse i fitova me meritë. Nuk mund të them që për momentin kam një rrogë të majme, por të paktën bëj atë që dua”, rrëfen Frroku, duke shtuar se të gjitha i ka arritur falë këmbënguljes dhe vullnetit për të mësuar fort në fakultet e për të njohur njerëzit e duhur në universitet e përtej tij. “Dhe e kam ndërgjegjen e pastër”, shton.

Kujton se cilat ishin arsyet që në vitin 2013 zgjodhi UET-in, institucionin që do e formonte në arsimin e lartë dhe sot thotë se ishte kombinimi më i mirë. “Zgjodha UET për tri arsye të thjeshta; së pari, ishte një konglomerat i emrave më të njohur në fushën e arsimit të lartë në Shqipëri, së dyti ishte komunikimi dhe mikpritja e stafit që nuk reshti së shpjeguari, duke më treguar të gjithë kurrikulën dhe emrat e stafit. Kjo e fundit ishte një vlerë e shtuar për mua. E treta, jo më pak e rëndësishme, çmimi ishte konkurrues në treg. Zgjodha privatin sepse, degën apo programin e studimit që unë dëshiroja, universitetet shtetërore nuk e kishin asokohe madje nuk e kanë akoma, as tani”.

Elsoni shton se mësimdhënia në UET e bëri të gdhendë modelin e universitetit bashkëkohor, tipik perëndimor. “Modeli që krijova në UET për konceptin e universitetit më ka ndihmuar shumë dhe njëkohësisht penguar akoma më shumë për të zgjedhur programin e studimit dhe fakultetin për në Master. Më ka ndihmuar sepse kërkesat e mia ishin shumë të larta në raport me atë që kisha përjetuar në UET. Më ka penguar sepse në Shqipëri e kisha thuajse të pamundur të gjeja diçka më të mirë”.

Për skeptikët e universiteteve privatë, Elsoni ka një përgjigje. “Programi që ndoqa dhe lëndët të cilat zhvilloja në UET ishin të të njëjtit nivel literature me universitetet më të mira në Europë. Kjo është lehtësisht e verifikueshme”, -thotë ai, duke shtuar se UET ka literaturën më të mirë në Europë. “Ajo çka UET duhet të shtojë sipas mendimit tim është mësimdhënia në gjuhen angleze paralel me atë shqipe dhe numrin e fakulteteve, të tilla si; mjekësia, inxhinieria, arkitektura etj., të tregohet konservator në ruajtjen e emrave të stafit pedagogjik, të vazhdojë me të njëjtin intensitet fleksibiliteti në formulimin e kurrikulave në përputhje me universitetet më të mira europiane dhe mbi të gjitha të vazhdojë të jetë “TREND” në shoqërinë shqiptare ashtu siç di ta bëjë”.

Për maturantët, të cilëve do u duhet të bëjnë zgjedhjen më të rëndësishme të jetës prej të rriturish Elsoni thotë se do të kish bërë të njëjtën zgjedhje. “Këshilla e vetme që do kisha është që të jetë sa më shumë aktiv në mediumet që krijon UET, pra të qëndrojë në UET ‘9 me 9’”.

Ai gjithashtu jep disa këshilla konkrete ku duhet të bazohet një maturant sot për të zgjedhur universitetin e tij, ku e para do të ishte marrja në konsideratë e kurrikulës së programit studimor të dëshiruar, ndjekur nga akreditimi i universitetit, niveli i stafit akademik, si edhe struktura organizative e universitetit. “Pra nëse ke një problem, a ke ku ankohesh dhe mbi të gjitha a ka kush të përgjigjet apo jo?”, këshillon ai, duke mos lënë pa përmendur edhe funksionin e rregullt të orëve të mësimit apo edhe bashkëpunimet me universitete të huaja.

“Një tjetër këshillë e rëndësishme është të kontaktojnë me Alumnin e universitetit. Kështu verifikon edhe nivelin e universitetit, punësimit dhe marrëdhënieve të tyre pas universitare, të cilët nuk kane asnjë arsye që të gënjejnë, ose puna e tyre flet vete”, flet ai nga përvoja vetjake si pjesë e rrjetit të ish-studentëve të UET.

Një tjetër pikë e rëndësishme në zgjedhjen e universitetit si për maturantët ashtu edhe për prindërit do të ishte të shqyrtonin edhe kostot. “Jo si çmim nominal, por si vlerë produktiviteti. Pra nëse një universitet është i lirë në çmim dhe nuk është cilësor atëherë shpenzimi është nul. Shumë e rëndësishme për një familje shqiptare. Nëse një maturant shqyrton te gjitha këto variabla, jam i sigurt se do bëjë zgjedhjen e duhur”, përfundon ai, ndërsa për studimet e tij vazhdon të jetë i bindur, sidomos kur çdo ditë në jetën profesionale për atë që ka dashur gjithmonë, qysh ditën kur zgjodhi ç’do studionte dhe ku…

Shkruar Nga
More from Redaksia

Përse mbretëresha Elizabeth nuk e lejon Kate Middleton të lyejë thonjtë?

Princesha Kate Middleton është një nga femrat më të komentuara në botë....
Read More