UET Alumni Reunion: Çmimi i karrierës për të suksesshmit e dalë nga auditorët e UET

Rreth tre muaj përgatitje për të organizuar UET Alumni Reunion, që këtë vit erdhi krejt ndryshe nga edicionet e mëparshme. Për pasojë ky vit pati dy fitues të çmimit të Karrierës, Çmimin e Karrierës UET Alumni 2018 dhe Çmimin e Karrierës UET Alumni International 2018. Arjola Limani dhe Fation Shehu flasin pas marrjes së çmimit nga UET dhe japin nga një këshillë për studentët e ardhshëm

Një mbrëmje gala që mblodhi në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës me qindra të diplomuar nga ky institucion i arsimit të lartë që hapi dyert për të gjithë të rinjtë që kërkonin një arsimim të standardeve europiane në vitin 2006.

Rreth tre muaj përgatitje për të organizuar UET Alumni Reunion, që këtë vit erdhi krejt ndryshe nga edicionet e mëparshme.

Që në nisje të përgatitjeve e gjithë skuadra u mblodh fillimisht për të diskutuar idetë e para si të ngrinim një strategji për rikthimin e ish-UET-istave në UET dhe si t’u kushtonim atyre rëndësinë e merituar. Ndaj, puna filloi saktësisht 3 muaj më parë” –rrëfen presidentja e UET Alumni, Adela Danaj.

Pasi u mblodh një databazë me pozicionet aktuale të punës së të ish-diplomuarve , dhjetë ishin kandidaturat për Çmimin e Karrierës 2018.

“Pas përfundimit të listës, të dhjetë personazhet u kontaktuan në mënyrë që të merrnim aprovimin e tyre. Ajo që tërhoqi vëmendjen tonë ishte fakti, se një numër i konsiderueshëm i të kandiduarve jetonte dhe zhvillonte suksesshëm sferën profesionale jashtë Shqipërisë” -vijon Danaj.

Për pasojë ky vit pati dy fitues të çmimit të Karrierës, Çmimin e Karrierës UET Alumni 2018 dhe Çmimin e Karrierës UET Alumni International 2018.

Fituesit ishin dy ish-studentë që grumbulluan numrin më të madh të votave. Fituesja Arjola Limani, e cila punon pranë World Bank në Washington D.C ishte fituesja e Çmimit të Karrierës UET Alumni International.  “Unë nuk pata mundësi t’ia komunikoja si lajm, pasi për 30 minuta do të fillonte eventi. Në mbrëmje vonë, kur gjithçka kishte përfunduar, hapa kompjuterin që t’i shkruaja dhe ta uroja, por Arjola (me siguri do të qesh tani që do të lexojë këtë pjesë) ishte treguar më e shkathët, më kishte shkruar ajo mua, pasi miqtë e saj, prezent në mbrëmje kishin filluar t’i dërgonin mesazhet e tyre të urimit” -tregon duke qeshur Danaj, ndërsa shpjegon se e njëjta ndodhi ishte edhe me Fation Shehun, fituesin e Çmimit të Karrierës UET Alumni 2018. “Fationi ishte programuar të fliste gjatë ceremonisë si një prej të kandiduarve. Por, pas numërimit të votave, të cilat sikurse e thashë pak më lart finalizimi i numërimit të tyre ndodhi 30 minuta para nisjes së eventit, Fationi rezultoi fituesi. Kështu, patëm një prishje plani pasi na u desh të anulonim fjalimin e Fationit duke qenë se ai do të mbante fjalën përshëndetëse të fitores” -ka rrëfyer Adela Danaj për Mapo-n.

Ceremonia zgjati më shumë seç ishte parashikuar, pasi aty ndodhi dhe ritakimi me miq e shokë të vjetër, Aty ish-UET-istat filluan të rikujtonin historitë e tyre si dhe të ritakoheshin me ish-profesorët e tyre.

Pas përfundimit të këtij momenti, të gjithë u ftuan t’i bashkoheshin party-t që ishte menduar për fashën e dytë të këtij takimi. “UET Alumni kanë bërë historinë e UET dhe janë ata të cilët kanë ngritur lart emrin e Universitetit lider sot në Shqipëri. Për këtë arsye, Universiteti Europian i Tiranës u është mirënjohës për krenar për çdo arritje të tyre. Sot, UET është kudo dhe jo vetëm në Shqipëri!”.

Arjola Limani, ëndrra amerikane e studentes së UET 

Nga auditorët e Fakultetit Juridik në Universitetin Europian të Tiranës në zyrat e Bankës Botërore në Washington D.C. Kjo nuk është ëndërr, por realiteti i Arjola Limanit, studentes që u diplomua në UET.

“Fillova të punoj në Bankën Botërore rreth një vit më parë si konsulente për monitorimin dhe vlerësimin e performancës së këtij institucioni” – rrëfen Arjola nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas marrjes së çmimit të karrierës ndërkombëtare të UET Alumni, ditën e enjte.

Rrugëtimi në fushën profesionale ka qenë i mbushur me të panjohura. “E fillova si Juriste për çështjen e pronave pas përfundimit të Bachelor-it e duke e vazhduar më pas me mbulimin e fushave siç janë ato të financave dhe prokurimeve publike. Ndër vite nuk i kam ushqyer vetes një pasion për një fushë të caktuar” – vijon Arjola, ndërsa shton se karakterizohet nga pasioni dhe dëshira për të eksploruar dhe ndërmarrë iniciativa dhe sfida të reja si aktualja, e cila është e fokusuar në ekonomi dhe statistikë.

“Detyrat e mia të para në Bankë lidheshin me kërkim shkencor dhe analizim të dhënash për raportin më të rëndësishëm të vlerësimit të performancës së tre institucioneve që përbëjnë The World Bank Group. World Bank Group Corporate Scorecard: një pikëpamje gjithëpërfshirëse e rezultateve dhe performancës në efektshmërinë e saj operacionale dhe organizative të tre institucioneve: Banka Botërore (BB), Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC) dhe Agjencia Garantuese e Investimeve Multilaterale (MIGA)”.

Rrugëtimi ndërkombëtar i Arjolës ka nisur nga Tirana në Arkansas për të studiuar Zhvillim Ndërkombëtar (International Development) në Clinton School of Public Service. “Pas përfundimit të vitit të parë u zhvendosa në Lima (Peru) ku punova për Heifer International e më pas në Washington D.C ku pas një procesi të gjatë aplikimesh dhe intervistash u përzgjodha si “The McLarty Scholar” për të punuar pranë Vital Voices Global Partnership. Interesimi për Bankën Botërore filloi pikërisht pas zhvendosjes nga Peruja”.

Arjola u shpërngul drejt SHBA-së pas përfundimit të studimeve Master në UET. Studioi në shtetin e mundësive për “International Development”. “Karriera dhe puna ime këtu lidhen ngushtësisht me këtë të fundit, por sigurisht që disiplina dhe përkushtimi gjatë studimeve për Drejtësi pranë UET kanë luajtur një rol të rëndësishëm”.

Arjola ka rrëfyer edhe momentin kur iu komunikua nga Zyra UET Alumni se ishte përzgjedhur si një nga Kandidaturat për Çmimin e Karrierës UET Alumni International 2018.

“Ishte kënaqësi për mua dhe familjen time. Nuk ka më mirë se kur vlerësohesh për arritjet e tua nga grupime si ato të Universitetit”.

Arjola ka një këshillë për studentët e ardhshëm të universitetit ku ajo mori bazat e para të dijes akademike.

“UET është një derë e hapur mundësish. Këshilla ime do ishte që secili të ndjekë ëndrrën e tij. Eksploroni çdo mundësi që keni, që të nxirrni në pah talentin tuaj! Jam e bindur që çdokush nga ju ka një talent dhe mendoj qe është përgjegjësia juaj ta bëni atë të dukshëm për të tjerët”.

Fation Shehu, nga formimi i duhur akademik drejt medias së VIP-ave

Zgjedhjen për të studiuar në Universitetin Europian të Tiranës e bazoi te besueshmëria te personalitetet e stafit akademik dhe tek ambicia e investitorëve për të krijuar një Universitet lider për cilësinë. “Ishte një raport i bazuar te besimi dhe që koha tregoi se ishte zgjedhja e duhur, pasi kualiteti profesional në mësimdhënie ka qenë i nivelit maksimal. Po ashtu si edhe zgjerimi infrastrukturor, që tashmë pasqyrohet me vepra” -rrëfen Fation Shehu, fitues i çmimit të Karrierës, UET Alumni 2018.

Fationi thotë se në UET gjeti seriozitetin për të pasur tolerancë zero në vlerësime. “Ishte Universiteti që në atë periudhë theu tabunë, sa i përket mentalitetet që vlerësimi me nota në Universitet privat do ishte i lehtë. Kjo rriti edhe besimin tim për të ardhmen e zgjedhjes që kisha bërë dhe mbi të gjitha, për të pasur një nivel të lartë kërkesë llogarie”.

UET ishte një zgjedhje e bërë me besim që nuk e zhgënjeu aspak në pritshmëritë e tij.

Ish-studenti rrëfen se ka qenë në punë edhe gjatë kohës kur ndiqte studimet. “Kam qenë në atë periudhë zv.kryeredaktor i gazetës Panorama Sport, që ishte dhe është më e shitura në treg. Por, studimet më dhanë garancinë të mund të ngrija një zyrë timen, e cila mund të kishte një imazh të mirë në treg. Sot, gëzoj një studio të tillë, me imazh pozitiv dhe profesionalizëm të lartë” –rrëfen ai, ndërsa shton se ende planifikon kohën mes zyrës juridike dhe bizneseve të tjera që administron, “për të gjetur kohën dhe mundësinë, që të përkushtohem maksimalisht te doktoratura”.

Fationi është i mendimit se shembujt e suksesit në këtë dekadë dhe në të ardhmen po bazohen gjithnjë e më shumë të aftësia dhe meritokracia. “Studimi serioz, të jep mundësinë që të bësh diferencën falë aftësive. Nga eksperienca personale, besoj se çdo student, duhet ta presë me shumë optimizëm të ardhmen, nëse është i përqendruar dhe jep maksimumin në shkollimin e tij”.

Fationi vlerëson shumë fazën e praktikave mësimore edhe internshipeve që UET-i ka në kurrikulat e tij. “Mendoj se çdo student, ka nevojë për praktikë disamujore, para se të bëjë kapërcimin e plotë të statusit nga student në i punësuar. Jam në dijeni që UET e përdor këtë format dhe mendoj se i ndihmon realisht shumë”.

Për një maturant që është në kërkim të një dege me vlerë dhe një universiteti cilësor Fationi i këshillon të zgjedhin UET. “Kualiteti i mësimdhënies është i lartë dhe për këdo që ka vullnetin të jetë i mirëshkolluar, kjo është baza kryesore”. Ndër arritjet kryesore të karrierës së tij Fationi thekson sukseset që ka arritur me zyrën e tij ligjore, “kam përfaqësuar me sukses çështje shumë të rëndësishme në Shqipëri, çka më kanë dhënë mundësinë për të krijuar imazhin e mirë në këtë fushë. Njëkohësisht, studimet më kanë vlejtur për të nisur dhe pasur sukses edhe në sipërmarrje të tjera biznesi, si në median time private sportive, “VIP SPORT MEDIA”, që është ndër më të klikuarat, por edhe në disa sektorë të tjerë biznesi”.

Çmimin e Karrierës e vlerëson si një ndër kënaqësitë më të veçanta dhe motivues për të ardhmen. “Mbi të gjitha, një prestigj, duke ditur personalitetet që ishin kandidatë”.

Pyetjes sesa ka ndikuar formimi i tij akademik në rritjen profesionale, Fationi i përgjigjet: “Median time e kam quajtur “VIP”, por është ironi për mënyrën se si njerëzit i konceptojnë vipat. VIP e kam vënë si bashkim i tre shtyllave të rëndësishme. Vërtetësi, Integritet, Profesionalizëm. Dhe pikërisht këto shtylla i lidh me formimin akademik. Nëse ke marrë formimin e duhur, ke kapacitetin për të qenë profesionist dhe nëse je profesionist, e ke të lehtë të kesh integritet. Gjithçka lidhet me edukimin..”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ne dhe/apo “Balena blu”

Nga Dr. Mirela Oktrova Ndërsa e gjithë shoqëria vazhdon të jetë ende...
Read More