UET drejt certifikimit nga KE për administrimin e Burimeve Njerëzore të Kërkuesve Shkencorë

Kërkimi shkencor është një nga veprimtaritë më domethënëse të një universiteti. Gjevori shkruan mbi mënyrën se si UET po përpiqet të ndërtojë mekanizma të cilët do ta bënin kërkimin shkencor në këtë universitet serioz dhe të vlefshëm për jetën shkencore dhe për shoqërinë. Ai thotë se UET është bërë pjesë e kartës europiane për kërkuesit shkencor, gjë që do të rregullojë marrëdhënien midis kërkuesve, universiteteve dhe financuesve të kërkimit shkencor

Nga Elvin Gjevori*

Universiteti Europian i Tiranës (UET) prej vitesh është fokusuar në ndërkombëtarizimin dhe profesionalizimin e kërkimit shkencor që financon dhe boton. Në këtë kuadër, UET ka ndërmarrë edhe një tjetër nismë që do të modernizojë dhe avancojë më tej standardin akademik të universitetit duke e bërë atë qendrën kryesore të prodhimit të dijes në Shqipëri dhe institucionin më tërheqës për bashkëpunime me institucione prestigjioze ndërkombëtare. Specifikisht, UET është bërë pjesë e Kartës Europiane për Kërkuesit shkencorë (The European Charter for Researchers) dhe ka nisur punën që të marrë certifikimin HR Excellence in Research nga Komisioni Europian si institucion që aplikon praktikat më të mira të Kartës nëpërmjet zbatimit të strategjisë për administrimin e burimeve njerëzore shkencore.

Çfarë është Karta Europiane për Kërkuesit shkencorë?

Karta Europiane për Kërkuesit shkencorë përmbledh një grup parimesh dhe kërkesash të përgjithshme që përcakton qartë rolet, përgjegjësitë dhe të drejtat e hulumtuesve dhe të punëdhënësve ose financuesve të kërkimit shkencor. Qëllimi i Kartës është të rregullojë marrëdhënien midis kërkuesve, universiteteve dhe financuesve te kërkimit shkencor në mënyrë që ajo të jetë e favorshme për ndërmarrjen e projekteve kërkuese që gjenerojnë, transferojnë dhe shpërndajnë njohuritë dhe zhvillimin teknologjik. Karta ka gjithashtu për qëllim avancimin e karrierës së kërkuesve dhe punësimin stabël të tyre. Karta vlerëson në mënyrë të qartë të gjitha format e lëvizshmërisë akademike dhe shkëmbimit ndërinstitucional si një mjet kyç për rritjen dhe zhvillimin profesional të kërkuesve. Në këtë kuptim Karta ofron një kornizë orientuese për kërkuesit, punëdhënësit dhe financuesit e cila i fton ata të veprojnë me përgjegjësi dhe profesionalizëm brenda mjedisit të tyre të punës dhe ta njohin njëri-tjetrin si partnerë të barabartë. Karta ‘mbron’ të gjithë kërkuesit në Bashkimin Europian në të gjitha fazat e karrierës së tyre dhe mbulon të gjitha fushat e hulumtimit në sektorin publik dhe privat, pavarësisht nga natyra e punësimit, statusit ligjor të punëdhënësit ose llojit të organizatës ku ndërmerret kërkimi. Karta merr parasysh rolet e shumta të kërkuesve, të cilët janë punësuar jo vetëm për të kryer hulumtime dhe aktivitete akademike, por gjithashtu janë të përfshirë në mbikëqyrje, mentorim, menaxhim apo detyra administrative në qendra kërkimore.

Karta është e ndarë në dy pjesë kryesore që adresojnë: 1. Procesin e kërkimit shkencor; dhe 2. rekrutimin e punësimin e kërkuesve nga institucionet që financojnë kërkimin. Qëllimi është që kërkuesit të punojnë në një ambient që mundëson dhe inkurajon transparencë ne punësim, standard të shkëlqyer shkencor, promovim të drejtë dhe trajtim të barabartë të kërkuesve. Specifikisht, Karta përmban principe dhe detyrime për institucionet kërkimore për sa i përket: lirisë akademike, principeve etike, përgjegjësisë institucionale, sjelljes profesionale, detyrimeve kontraktuale, llogaridhënies, praktikave të mira të kërkimit shkencor, marrëdhënieve me publikun, përhapjen dhe përdorimin e punimit shkencor, marrëdhëniet me drejtuesit, detyrat administrative, si dhe edukimin e vazhdueshëm dhe zhvillimin profesional. Për sa iu përket punëdhënësve dhe financuesve, Karta ka të tjera detyrime dhe përcaktime, si: njohja e profesionit, mosdiskriminimi, standardet e qendrës ku ndërmerret kërkimi, kushtet e punës, punësimi stabël dhe i përhershëm, financimi dhe pagesat, balanca gjinore, zhvillimi i karrierës, lëvizshmëria akademike, aksesi në trajnime dhe edukim të vazhdueshëm, aksesi në këshillim karriere, të drejtat e pronësisë intelektuale, bashkautorësia, udhëheqja e temave, mësimdhënia, sistemi i vlerësimit të punës, sistemi i ankesave dhe apelimit, pjesëmarrja në trupat vendimmarrëse, si dhe rekrutimi.

Edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, pavarësisht se nuk janë anëtarë të BE, mund të bëhen pjesë e këtij procesi për t’iu afruar standardeve të vendeve të BE dhe për të ecur me tutje në rrugën e anëtarësimit. Për t’u bërë pjesë mjafton një letër njoftuese nga rektori i universitetit drejtuar sektorit përkatës në Komisionin Europian, ku thuhet që universiteti bie dakord me Kartën dhe zotohet të marrë masa për zbatimin e saj në praktikë. Përpara se të merret certifikimi paraprak, universiteti – brenda një viti nga firmosja e Kartës – duhet të ndërmarrë një analizë të brendshme institucionale për të identifikuar mangësitë sipas standardeve të Kartës dhe publikojë masat që do të merren për t’i adresuar mangësitë e identifikuara. Plani i masave duhet të jetë konkret dhe me kufizime kohore të qarta. Pasi analiza e brendshme dhe plani i masave të jenë vlerësuar si të mjaftueshëm nga organet e Komisionit Europian, atëherë merret certifikimi institucional për HR Excellence in Research.

Për çfarë shërben Karta dhe Certifikimi?

Teksa arsimi universitar dhe kërkimi shkencor bëhen gjithmonë e më ndërkombëtare, vlerësimi i universiteteve vështirësohet. Me futjen në treg të aktorëve privatë, sidomos në Europën lindore, kjo vështirësi është dhe më e madhe. Karta shërben për të ofruar një etalon të gjithëpranuar vlerësues ku universitetet, pavarësisht madhësisë, vjetërsisë apo pronësisë të krahasohen e të vlerësohen. Në këtë mënyrë universitetet dhe financuesit janë në gjendje të konkludojnë nëse partneri i tyre potencial përmbush kushtet bazë të kërkimit shkencor apo jo. Certifikimi i shërben qëllimit të krahasimit, por është gjithashtu një instrument i brendshëm institucional për përmirësimin e vazhdueshëm të praktikave të miradministrimit të burimeve njerëzore të kërkimit shkencor. Bazuar në vetëraportimin e mangësive dhe planit për adresimin e tyre, Komisioni bën herë pas here vizita kontrolluese për t’u njohur më nga afër me progresin. Gjithashtu, sapo një plan masash plotësohet, bëhet një plan i ri për përmirësimin e mangësive të reja. Në këtë kuadër, ky është një proces i cili nuk ka një ‘finish line’ pasi vazhdon për aq kohë sa institucioni merret me kërkim shkencor dhe përpiqet që të arrijë një nivel gjithmonë e më të lartë.

Certifikimi është gjithashtu një pasaportë tejet e vlefshme për bashkëpunimet ndërkombëtare dhe mundësinë e universiteteve për të qenë të aftë për të aplikuar për financime apo marrë pjesë në konsorciume të mëdha ndërkombëtare për kërkimin shkencor. Ky certifikim është bërë kusht i domosdoshëm paraprak për të aplikuar në projektet Horizon 2020 dhe po mendohet që të bëhet kusht edhe për pjesëmarrje ne projektet Erasmus +. Kjo tregon se marrja e këtij certifikimi ka vlerë jo vetëm nga pikëpamja e përmirësimit të brendshëm, por edhe për aftësinë e universitetit për t’u përfshirë në projekte ndërkombëtare shkencore. Në një farë mënyre, marrja e këtij certifikimi është një akreditim i dytë ku universiteti është mbikëqyrësi më i fortë i vetes në mënyrë që të mbajë certifikimin dhe të vazhdojë të jetë një aktor në tregun ndërkombëtar të kërkimit shkencor.

E fundit, por shumë e rëndësishme është se Karta gjithashtu ofron një platformë virtuale për punësimin e kërkuesve shkencor kudo në Europë për të rritur lëvizshmërinë e kërkuesve dhe mundësinë e tyre për të gjetur punësim të përshtatshëm. Teksa tregu i përbashkët në Europë është bërë realitet, ulja e barrierave të brendshme institucionale dhe rritja e transparencës në punësim është një hap i rëndësishëm për botën akademike e cila ende është një ‘treg’ i veçuar dhe jorrallë nepotik. Kështu Karta ka potencialin që të hapë dhe të bëjë transparent procesin e punësimit dhe promovimit akademik duke ofruar edhe më shumë mundësi për kërkuesit shqiptar sidomos ato që janë të arsimuar në institucione Europiane dhe Amerikane.

Human Resource Excellence in Research dhe UET

Universiteti Europian i Tiranës është akredituar plotësisht nga agjencia britanike e akreditimit e kontaktuar nga qeveria shqiptare për këtë qëllim. Universiteti është krenar për këtë arritje por është gjithashtu i vetëdijshëm se për të qenë një aktor domethënës në rajon dhe më gjerë duhet që të mbajë standardin më të lartë akademik dhe administrativ. Për këtë arsye, UET ka filluar përgatitjet që të jetë pjesëtar aktiv i Kartës Evropiane për Kërkuesit Shkencor dhe të marrë certifikimin HR Excellence in Research, duke u bërë universiteti i parë shqiptar që merr këtë certifikim. Në UET është ngritur grupi i punës që do të drejtojë analizën e brendshme institucionale dhe do të strukturojë planin e masave për të adresuar mangësitë e identifikuara. Puna do të zgjasë disa muaj dhe nuk do të jetë e lehtë pasi ky është një akreditim i dytë, por UET është i vendosur në këtë proces pasi e sheh si të domosdoshëm për të avancuar standardin e kërkimit shkencor. Në dekadën e dytë të tij, UET është i vendosur të konsolidohet si qendra kryesore në rajon për prodhimin e dijes mbi zhvillimet shqiptare dhe marrja e këtij certifikimi është një element i rëndësishëm në realizimin e këtij projekti.

Gjithashtu, duke qenë se UET është në prag të një ristrukturimi dhe zgjerimi domethënës, ndërmarrja e këtij procesi vetëvlerësues dhe vetëkurues i koordinuar nga Komisioni Europian, është një element i rëndësishëm për sigurimin e cilësisë së brendshme për të bërë të mundur që zgjerimi institucional të mos cenojë cilësinë akademike dhe kërkimin shkencor. UET synon që nëpërmjet këtij procesi të jetë universiteti i parë në Shqipëri me procedura tërësisht transparente ku politikat dhe rregulloret e brendshme të universitetit të jenë publike dhe në gjuhën angleze. Ky proces, përveçse i vlefshëm për kërkimin shkencor në UET është gjithashtu i rëndësishëm për institucionet e tjera universitare në Shqipëri pasi do të shënjojë rrugën ku të tjerët do të kalojnë për të përmirësuar standardet e tyre që të gjithë së bashku të përmirësojmë dhe ndërkombëtarizojmë kërkimin dhe botimin shkencor në Shqipëri.

*studiues, pedagog UET

Shkruar Nga
More from revista mapo

Po ndodh diçka e rëndësishme në PD

Nga Fitim Zekthi Tre vjet pasi ka ardhur në pushtet, koalicioni i...
Read More