UET finalizon reformën e menaxhimit, ja ekipi i ri akademik 2018- 2022, rektori Gjuraj për dekretim te Presidenti Meta

Universiteti Europian i Tiranës ka prezantuar dje, në një ceremoni zyrtare, ekipin e ri të drejtuesve akademikë për mandatin 2018-2022, duke nisur nga rektori i universitetit, ku rikonfirmohet prof. dr. Tonin Gjuraj, te dekanët e tri fakulteteve. 12 vite nga themelimi, pasi ka kaluar procese certifikuese dhe akredituese nga agjenci ndërkombëtare, UET ka ndarë, në respekt të ligjit të ri të arsimit pronësinë nga administrimi dhe ka nisur një fazë të re zhvillimi duke e zgjeruar ofertën akademike me fakultete të reja

Universiteti Europian i Tiranës ka prezantuar dje, në një ceremoni zyrtare ku merrnin pjesë edhe kolegë të universiteteve partnere, ekipin e ri të drejtuesve akademikë për mandatin 2018-2022. Rektor i universitetit është rikonfirmuar prof. dr. Tonin Gjuraj ndërsa dekan i fakultetit Juridik është emëruar prof. dr. Ferit Duka, i cili ka qenë edhe rektori i parë i këtij universiteti të themeluar në vitin 2006, ndërsa ekonomisti i njohur prof. asoc Selami Xhepa do të drejtojë Fakultetin Ekonomik dhe prof. asoc Dritan Egro atë të Shkencave Sociale. Gjatë ceremonisë janë prezantuar zëvendësrektorët si edhe drejtuesit e secilit prej departamenteve të çdo fakulteti.

Kjo ceremoni u organizua edhe për të njoftuar përmbylljen e një procesi të gjatë, ku Universiteti Europian i Tiranës përshtatet plotësisht me standardet e kërkuara nga ligji i ri i Arsimit të Lartë.

Sipas pronarit të Universitetit, Henri Çili, UET me hyrjen në dekadën e dytë, ku numëron 12 vite nga themelimi, ka përfunduar procesin e përshtatjes, duke ndarë sipas kërkesave të ligjit të ri të arsimit pronësinë nga administrimi, ku prej 1 janarit të këtij viti administrator i UET është Arbi Agalliu, duke respektuar kriteret e kërkuara ku administratori duhet të vijë nga profesionet jurist ose ekonomist me një përvojë mbi 7–vjeçare. Kjo ndarje e qartë ka shënuar një risi që përkon me frymën e reformës, e cila do të ndihmojë të kuptohet më mirë nga shoqëria se çfarë është pronësia në një sektor të edukimit të lartë, çfarë është administrimi ekonomik dhe ai akademik.

UET është universiteti i parë i cili po përgatitet të çojë dosjen për dekretimin e rektorit të UET nga presidenti i Republikës, Ilir Meta, siç e kërkon ligji i ri, duke formësuar kështu një precedent.

Në këtë dekadë të dytë, Universiteti Europian i Tiranës po riorganizon ofertën e tij akademike, duke kaluar nga një universitet me tri fakultete, në një universitet të madh me karakter universal, duke hapur të tjera fusha studimi si; arkitektura, mjekësia, inxhinieritë, artet etj.

Në fund të fjalës së tij, Çili foli edhe për një luftë tregtare, e cila vjen si sulm nga konsolidimi i institucioneve të arsimit të lartë privat.

Në fund të fjalës së tij ai tha se UET do të ngrejë padi gjyqësore për fushata apo subjekte që shpifin, shantazhojnë dhe bëjnë luftë të pandershme, ndërsa dëmshpërblimi nga këto procese do t’i dhurohet Institutit Europian Pashko për kërkimin shkencor dhe promovimin e ideve liberale, konkurrencës së ndershme dhe meritokracisë.

Rektori Tonin Gjuraj, i cili ka marrë besimin edhe për një mandat tjetër në drejtimin akademik u shpreh se procesi i përzgjedhjes së drejtuesve të rinj, ka qenë qendra e vëmendjes në muajt e fundit.

Përzgjedhja e re e bërë në nivel departamenti, dekanësh dhe zëvendësrektorësh, sipas cikleve të programeve të studimit është bërë sipas një procesi transparent dhe komisioni, i cili ka intervistuar kandidatët, ka bërë të ditur rektori Gjuraj ka qenë i përbërë edhe nga anëtarë jashtë institucionit.

“Ka qenë një preokupim i imi që në momentin kur u miratua Ligji për Arsimin e Lartë, në tetor të 2015-ës, të përshtatim, riorganizojmë dhe të ringremë institucionin në përputhje të plotë të ligjit. Kemi qenë nga IAL-të e parë, që kemi miratuar statutin e ri dhe çdo dokument tjetër rregullator dhe po vazhdojmë ta bëjmë. Kishte ardhur momenti të ndryshonim”- u shpreh rektori, duke shtuar se ekipi i tij akademik është ballafaquar me ekspertët e jashtëm në procesin e riakreditimit të programeve. Aktualisht Universiteti Europian i Tiranës ka 14 programe studimi të nivelit Master në proces riakreditimi, një proces që do të jetë i vazhdueshëm për të gjithë institucionet e arsimit të lartë.

Gjuraj, i cili ka bërë pjesë në stafin drejtues akademik të Universitetit Europian të Tiranës qysh prej fillimit, falënderoi për besimin që i është dhënë edhe për këtë mandat. “Sa kohë besimi vijon dhe sa kohë kam ende energji për të dhënë me ekipin e ri do ta përballoj këtë sfidë. Jam i nderuar që do të vijoj të punoj me ekipin e ri, disa prej të cilëve rikonfirmohen, por është një gjendje e re. Ndryshimi do të ndodhë, ekuilibrat do i ruajmë dhe flasim tani për dekadën e dytë, atë të zgjerimit dhe të zhvillimit”, -tha Gjuraj, duke përfunduar se ndihet krenar për arritjet e institucionit në 10-vjeçarin e parë.

 

Stafi i ri i drejtuesve Akademikë

Prof. dr. Tonin Gjuraj, Rektor

Prof. dr. Drita Kruja, Zv.rektore

Prof. dr. Ferit Duka, Dekan i Fakultetit Juridik

Prof. asoc. Dritan Egro, Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Edukimit

Prof. asoc. Selami Xhepa, Dekan i Fakultetit Ekonomik dhe i Teknologjisë së Informacionit

Dr. Teuta Xhindi, Përgjegjëse e departamentit Informatikë, Matematikë dhe Statistikë

Prof. dr. Ermira Qosja, Përgjegjëse e Departamenti Menaxhim dhe Marketing

Prof. asoc. Voltisa Lamaj, Përgjegjëse e Departamentit të Edukimit

Prof. asoc. Ermela Kripa, Përgjegjëse e Departamentit Financë dhe Ekonomiks

Prof. asoc. Belina Budini, Përgjegjëse e Departamentit të Komunikim dhe Marrëdhënie Publike

Prof. asoc. Roland Lami, Përgjegjës i Departamentit Shkenca Sociale të Aplikuara

Prof. asoc. Hemion Braho, Përgjegjës i Departamentit të Drejtësisë

 

Ferit Duka; UET nga bërthamë modeste në aktor kryesor i arsimit të lartë në vend

Ndihem shumë i lumtur, krenar, por njëherazi edhe shumë i përgjegjshëm që sot më jepet mundësia në emër të ekipit të ri për të thënë dy fjalë. Natyrisht kemi thënë shumë fjalë për UET-in; i meriton të gjitha, meriton edhe më shumë. Unë që jam bashkë me Henrin, Toninin dhe kolegë të tjerë, që nga dita e parë e këtij universiteti, e kam parë-flas si historian tani-të rritet me shpejtësinë e një orteku, nga një bërthamë modeste që kishim te ‘Rruga e Elbasanit’, tani jemi bërë një nga aktorët kryesorë të arsimit të lartë në Shqipëri, një universitet që e meriton plotësisht sloganin “Ne jemi kudo”. Kudo që shkon këtu në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e kudo tjetër, emri i universitetit tonë është prezent kudo dhe kjo na bën shumë të lumtur. Është një universiteti që ka nisur në mënyrë modeste, por që ka pasur lulëzim të shpejtë, ecje të shpejtë dhe sot, UET ka dalë me pretendime të reja, shumë të arsyeshme në skenën shqiptare; një universitet që kërkon të bëhet universal, që kërkon ta diversifikojë dhe zgjerojë ofertën akademike, një universitet që na bën krenar për standardet ku ka arritur.

Jam i bindur se të gjithë së bashku nën drejtimin e prof. Gjurajt do ta çojmë universitetin drejt lartësive të reja, do ta bëjmë më të fuqishëm dhe në përkujtim të 10-vjetorit tjetër apo 20-vjetorit universiteti ynë do të jetë shumë më i madh, shumë më i fuqishëm dhe që nuk do të ketë më vetëm Shkenca sociale, Juridik apo Ekonomik, por do të ketë mjekësinë, inxhinieritë, shkencat humane dhe çdo gjë tjetër që kërkon tregu i punës në Shqipëri dhe jashtë saj.

Arbi Agalliu: Filozofia e re e institucionit, fryma e përbashkët

Universitetin Europian të Tiranës e shoh si një ekip të vetëm; me të vjetër e të rinj, dhe filozofia e re e institucionit do të jetë fryma e ekipit të përbashkët. E shoh si element suksesi një frymë të përbashkët, sepse vetëm kështu mund të çajmë në këtë treg, që në të vërtetë është me shumë sfida, me shumë pengesa dhe për fat të keq nuk funksionon siç duhet të funksionojë tregu në një ekonomi të lirë dhe, për ta bërë mirë duhet vetëm fryma e bashkëpunimit.

Fatmirësisht Universiteti Europian i Tiranës po shkon drejt finales së organizimit sipas kompanisë angleze, e cila bëri vlerësimin e stafit dhe drejtuesve të institucionit dhe jemi në fazën finale të certifikimit dhe të procesit financiar të institucionit. Krahas suksesit akademik që UET ka pasur këta vite, me certifikime të kompanive kombëtare e ndërkombëtare të akreditimit do të shkojmë në një fazë të re të certifikimit ndërkombëtar; atë të mirëmenaxhimit financiar. Universiteti Europian i Tiranës ka hyrë në fazën e re të implementimit të organigramës së re të institucionit dhe zbatimit të të gjithë rekomandimeve, që ka dhënë kompania angleze, ku rekomandimi i parë ishte; pronari të qëndrojë sa më i ftohtë dhe larg institucionit duke na inspiruar dhe duke qenë vizionar, sepse është shpirti dhe fryma e këtij institucioni, Në këtë kontekst, të gjithë bashkë duhet të bëjmë mirë dhe të bëjmë ndershëm çdo detyrë që ndjejmë për ta bërë dhe duhet ta bëjmë.

 

Fakte &Shifra

5 vite i Akredituar nga Agjencia Britanike e Sigurimit të cilësisë QAA (Quality Assurance Agency).

Mbi 17 mijë studentë kanë zgjedhur të studiojnë në UET

2750 bursa ekselence, bursa sociale, bursa talenti dhe lidershipi, të dhëna nga institucioni.

Mbi 300 studentë vazhdojnë një ose më shumë semestër në universitetet më prestigjioze në perëndim në 2 vitet e fundit.

200 + pedagogë të brendshëm janë pjesë e stafit akademik

Mbi 90% e të diplomuarve janë të punësuar falë programit 250 +

7500 studentë të diplomuar në ciklet Bachelor dhe Master

325 libra të botuar nga UET Press

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Forumet UET, Gregory Jusdanis: Le të flasim për nacionalizmin e mirë!

I ftuar në një bashkëbisedim me studentë e pedagogë të Universitetit Europian...
Read More