UET Gjimnaz Tour: Këshillim karriere për maturantët në bankat e shkollës

Pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës kanë udhëtuar në të gjitha gjimnazet e vendit për të informuar nga afër maturantët me ofertat e tyre akademike dhe duke i bërë një këshillim karriere për degët më të kërkuara në treg dhe prirjet apo talentin e të rinjve. Këtë vit ky tur disaditor do të shtrihet edhe në gjimnazet e Kosovës dhe Malit të Zi

Asgjë nuk i duhet lënë rastësisë. Aq më pak kur bëhet fjalë për profilin e studimeve të larta. Për maturantët që së shpejti do të përballen me stresin e Maturës Shtetërore dhe dilemat për zgjedhjen e degës apo universitetit, Universiteti Europian të Tiranës ka gjetur një zgjidhje përmes një turi informues nëpër të gjitha gjimnazet e vendit me ofertën akademike. Prej 12 vitesh tashmë UET Gjimnaz Tour është shndërruar në një traditë të suksesshme, ku maturantët jo vetëm marrin informacion, por edhe këshillim karriere nga profesionistë që e njohin tregun e punës dhe kërkesat e përditësuara që ka ai vazhdimisht. Gjithashtu, ish-nxënës të gjimnazeve, ndajnë eksperiencën e tyre tashmë si studentë me më të rinjtë.

Për drejtoreshën e ciklit Bachelor në Universitetin Europian të Tiranës, dr. Anisa Subashi “Gjimnaz Tour është një prej mënyrave që lidh drejtpërdrejt universitetin me maturantët, çfarë u bën këtyre të fundit më të lehtë vendimmarrjen për degën e studimit që duan të ndjekin.

Këshillimi i karrierës është një koncept shumë i gjerë, duke filluar që nga informimi dhe orientimi në lidhje me një program të caktuar studimi, e deri tek eksplorimi i mundësisë së punësimit apo rritjes në karrierë brenda një institucioni.

Në rastin konkret, gjimnaz tour nënkupton informimin e të rinjve në lidhje me mundësitë e ndryshme të studimit që ata kanë, nënkupton parashtrimin apo eksplorimin e secilës alternative studimi, nënkupton dhënien e përgjigjeve mbi shqetësime apo pyetje që ata kanë”, – u shpreh Subashi. Bashkëpunimi i UET me gjimnazet nuk ngelet vetëm te “gjimnaz tour”, por gjatë muajit Mars UET zhvilloi në ambientet e tij forumin Gjimnaz – Universitet me temë “Rëndësia e këshillimit të karrierës në vendimmarrje”.

Gjithashtu UET organizon edhe UET Tour ku maturantët e gjimnazeve nga i gjithë vendi vizitojnë Universitetin Europian të Tiranës ku ndjekin edhe orë të ndryshme leksioni dhe seminari.

Bashkëpunimet midis UET dhe gjimnazeve në të gjithë Shqipërinë, në fakt nuk janë një risi por një traditë tashmë e mirëkonsoliduar prej disa vitesh. Zyra e Pranimeve dhe kujdesit ndaj studentëve në UET në kuadër të këshillimit të karrierës dhe ditëve të informimit të maturantëve, organizon çdo vit aktivitete promovuese, informuese si dhe argëtuese për maturantë nga e gjithë Shqipëria. Janë organizuar shkolla dimërore dhe verore “Unë Lider” UET, ku 100 maturantë trajnohen mbi lidershipin apo organizimi i konkurseve letraro-artistike ku çmimeve të para u ofrohet bursa studimi në UET, akordimi i Bursave të Ekselencës për maturantët më të mirë në Tiranë, pjesëmarrje në panaire informuese, organizimi i forumeve Gjimnaz-Universitet gjatë të cilave stafi pedagogjik i shkollave të mesme ndan shqetësimet dhe rekomandimet për përmirësimin e procesit të diplomimit dhe lehtësimin e regjistrimeve në universitet nga ku përfundohet dhe me një Policy Paper e cila çdo vit i propozohet Ministrisë së Arsimit etj., si dhe aktiviteti më i madh në këtë kuadër si Gjimnaz Tour UET, ku stafi i UET në ditë të planifikuara shpërndahet në grupe pune në të gjithë Shqipërinë duke takuar gjimnazistë, duke i informuar ata mbi procedurat e aplikimit, procesin e regjistrimit si dhe atë çfarë UET ofron në programe studimi dhe shërbime të tjera.

Gjithashtu më herët, UET ka nisur një bashkëpunim me 100 gjimnazet më të mëdha në gjithë vendin si dhe dhurimin e 200 librave për bibliotekën e këtyre gjimnazeve.

Këto ture informuese prekin thuajse të gjithë vendin duke nisur nga Tirana, Durrësi, Kavaja, Fieri, Vlora, Librazhdi, Përrenjasi, Korça, Pogradeci, Bilishti, Laçi, Lezha, Shkodra, Malësi e Madhe, Lushnja, Berati, Skrapari, Burreli, Bulqiza, Peshkopia, Memaliaj, Tepelena, Përmeti, Gjirokastra, Himara, Saranda, si edhe gjimnaze jashtë Shqipërisë, në Mal të Zi dhe Kosovë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Puka dhe eksodi human

Nga Leonora Laçi “Mos pyet se çfarë bëri vendi yt për ty,...
Read More