UET, lind ‘Medicus’, revista shkencore e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike

Në Universitetin Europian të Tiranës prezantohet Fakulteti i ri i Shkencave Mjekësore Teknike. Revista e këtij fakulteti quhet “Medicus” dhe është përgatitur nën kujdesin e dekanit Isuf Kalo. Në ditën e tij të lindjes, UET rezervoi një nderim edhe për mjekun e shquar, Flamur Tartari

Universiteti Europian i Tiranës prezantoi ditën e djeshme Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike, një fakultet i cili synon të përgatisë mjekë profesionistë dhe bashkëkohorë për të përmirësuar dhe për të kontribuar në mjekësinë shqiptare.

Përveç prezantimit të fakultetit të ri në Universitetin Europian të Tiranës, u prezantua edhe revista ‘Medicus’, revista e parë shkencore e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, një revistë e cila mbart edhe filozofinë që do të ketë kjo hapësirë e re për mjekësinë në Shqipëri. Revista Medicus është përgatitur nga një grup profesionistësh, të udhëhequr nga dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike në Universitetin Europian të Tiranës, Isuf Kalo. Është një revistë, e cila mbart ambicien ndaj këtij universiteti për ta parë mjekësinë sa më bashkëkohore.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike shprehet se ky fakultet, që lindi në këtë universitet në një kohë shumë të shkurtër, është një univers jo vetëm mësimdhënës, por një ambient kulturor ku kultivohet etika.

“Ky fakultet u krijua dhe sot po inaugurohet dhe pret në gjirin e tij studentët e tij të parë. Për studentët e parë të këtij fakulteti, dua t’i përshëndes dhe t’i admiroj që mes shumë degësh të tjera zgjodhën mjekësinë. Është një fushë ku njeriu ndihmon njeriun, është një fushë që do përkushtim. Nuk është një fushë që punohet me vida, por ku energjia e saj është dashuria njerëzore, empatia për të sëmurin, dashuria për tjetrin. Unë dua t’i siguroj këta studentë në këtë fakultet, i cili do jetë ndryshe nga të tjerët, pikërisht se ka lindur në universin e UET, i cili është një univers jo vetëm mësimdhënës dhe mësimmarrës, por dhe një ambient kulturor ku kultivohet etika, ambient liberal ku shkëmbehen ide, promovohen dhe botohen libra. Studentët që do përfundojnë në këtë fakultet nuk do kenë vetëm një diplomë, por do jenë të formuar dhe si njerëz me kulturë qytetare. Besoj se këta studentë do ikin me bluzë të bardhë, me faqe të bardhë dhe me zemër të bardhë,” –tha Kalo.

Vlerësimi për mjekun Tartari

Universiteti Europian i Tiranës ka një traditë, ku presidenti i universitetit shpreh mirënjohjen me një çmim ndaj emrave të cilët japin kontribut të rëndësishëm në fusha të caktuara dhe shoqërinë shqiptare. Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Adrian Civici, shprehu mirënjohjen për merita të veçanta, mjekut të njohur Flamur Tartarit.

Më tej Civici shprehet se ky fakultet i ri do jetë i suksesshëm pasi ka pedagogë, të cilët kanë etikë profesionale, pasion dhe vullnet të pashtershëm.

“Kishim shumë dëshirë kur nisëm të diskutonim që Universiteti Europian i Tiranës duhet të kishte dhe një Fakultet Mjekësie, por shumë shpejt përtej dëshirës, ajo që na sundoi të gjithëve ishte përgjegjësia dhe përgjegjshmëria. Një fakultet mjekësie është ndoshta nga ato lloj profesionesh apo fakultetesh jo vetëm shumë të domosdoshme për shoqërinë, por dhe shumë delikate, të cilin po nuk e ofrove me cilësinë dhe standardet e duhura, në vend që të bësh diçka të mirë, mund të bësh diçka të keqe. Ajo që na dha besimin e duhur për hapjen e këtij fakulteti, ishte prezenca e mjekëve dhe personaliteteve më të shquara në Shqipëri dhe jo vetëm që u afruan menjëherë për t’u angazhuar dhe njëkohësisht për të qenë pedagogë në këtë universitet. Do të jetë një fakultet që do eci mirë dhe do ketë sukses pasi ka profesorë që kanë etikë profesionale, dëshirën, pasionin dhe vullnetin dhe mbi të gjitha garantojnë atë që ne duam të realizojmë,” përfundoi Civici.

Fjalën e tij për prezantimin e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike e mbajti edhe mjeku i njohur Flamur Tartari, i cili u shpreh se do të japin maksimumin e tyre në këtë punë me shpresën se do të krijojnë atë që quhet mjekësia bashkëkohore.

“Ne mjekët jemi shumë të shpejtë kur gjejmë dashamirësi. Kritika ka kudo, por them se në të ardhmen do ta bëjmë akoma më mirë këtë punë, dhe do të japim atë që quhet mjekësia bashkëkohore. Nuk dua t’i bëj reklamë Universitetit Europian të Tiranës, por mjafton vetëm fakti se muret e këtij ambienti janë të mbushura me të gjitha portretet e intelektualëve të Shqipërisë, flet për vazhdimësinë, kulturën, dashamirësinë dhe zhvillimin e këtij universiteti për brezat e ardhshëm,” u shpreh Tartari.

***

Kontribuuese dhe kërkuese shkencore e Universiteti Europian të Tiranës është edhe Mersila Duli, e cila shprehet se kjo është një ditë e rëndësishme për Universitetin Europian të Tiranës pasi ky fakultet është i një rëndësie themelore.

“Sot është një ditë e rëndësishme për UET pasi projekti që lançohet është i një rëndësie themelore. Sot në tregun e arsimit të lartë operojnë rreth 10 institucione të arsimit të lartë, të cilat ofrojnë programe studimi në fushat e mjekësisë. Departamenti i Infermierisë dhe Fizioterapisë lind në UET jo vetëm si një nevojë për plotësimin e kërkesave të tregut lidhur me profesionistët, infermierë, fizioterapistë, në treg kombëtar dhe ndërkombëtar ky, por lind si një sfidë. Sot UET është një markë. Standarde të cilat janë më së miri të vërtetuara përmes institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare të akreditimit. Studentët tanë do jenë të diplomuar me një diplomë, e cila ka vlerë dhe u jep atyre mundësi punësimi të ngjashme me kolegët e tyre që studiojnë në universitetet europiane perëndimore. Në një sistem shëndetësor thuhej që të jetë i suksesshëm duhet që në qendër të jetë pacienti. Dhe për analogji një gjë të tillë e realizon më së miri UET sepse në qendër ka studentin, me kërkesat e tij akademike, me kërkesat e tij sociale, kulturore dhe ekonomike duke u drejtuar drejt tregut të punës”, -tha Duli.

Përgjegjësja e Departamentit të Imazherisë Voltisa Lama tregon se si lindi nevoja për Departamentin e Imazherisë. Si drejtuese e këtij departamenti ajo shprehet se e ardhmja rezervon zbulime të reja dhe ky profesion nuk “plaket kurrë”.

“Së pari pse lindi nevoja për departamentin e imazherisë në UET që unë përfaqësoj dhe së dyti, cila është veçantia e këtij departamenti. Përdorimi inovativ i teknologjisë mjekësore duke filluar që nga teknikat tashmë të aplikuar si laparaskopia, rezonanca magnetike e duke shkuar deri te ndërhyrjet me robotë, kanë nevojë për profesionistë të shëndetit, të cilët kanë ekspertizë specifike. Kujdesi shëndetësor në ditët e sotme, bën thirrje për ata ekspertë, të cilët kanë një ekspertizë të kombinuar dhe një formim mjekësor kërkues, por edhe inxhinierikë. Janë pikërisht këta ekspertë multidisiplinarë të pajisur mirë të cilët do të jenë në ndihmë të pacientit. Në këtë kuadër jam e lumtur që ne sot përurojmë departamentin e imazherisë në UET. Programet e studimit janë dizenjuar për të arsimuar teknicienët imazheristë në të dyja ciklet e studimit. Si në ciklin Bachelor edhe në ciklin Master. Cikli Master do të thellohet në programet imazherike në teknikat specifike imazherike diagnostike por edhe ato ndërhyrëse siç është radioterapia. Së dyti, cila është veçantia e kësaj dege? Përpara 15 vitesh, dy shkencëtarë, Lauterbur dhe Mansfield fituan çmimin Nobel në mjekësi për zbulimet e tyre më të hershme për përdorimin e imazherisë diagnostike. E ardhmja besoj se rezervon zbulime të reja, pra ky profesion nuk “plaket kurrë”. Kjo degë është në qendër të inovacionit, çka besoj se është motivuese dhe frymëzuese sidomos për ata studentë të cilët janë të hapur për të eksploruar të renë”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Instrumente për të nxitur inovacionin te SME-të në Shqipëri e rajon

Nga Erjon Curraj* Një nga produktet konkrete të projektit është InnoTools, një...
Read More