UET- Open Week 2018-2019: Kalendari, fjalime motivuese dhe një sondazh….

Në Javën e Orientimit në UET ishin të ftuar këtë herë ish-presidenti Bujar Nishani dhe biznesmeni i njohur, Samir Mane. Ata dhanë këshilla për të rinjtë, por edhe u bënë pjesë e një rrëfimi shumë interesant

Në kuadrin e javës së hapur në Universitetin Europian të Tiranës, një ndër aktivitetet e shumta janë edhe ditët e orientimit, të cilat tashmë janë kthyer në traditë në UET dhe kanë për qëllim të ndihmojnë studentët e rinj në ciklin akademik Bachelor dhe Master, që të njihen më shumë me programet, pedagogët, ambientet dhe disa nga rregullat bazë të universitetit.

Duke patur parasysh rëndësinë që ka për studentët e vitit të parë orientimi i tyre për programet, pedagogët, njohjen e ambienteve, rregullave dhe gjithçka ka lidhje me atë që do të përballen gjatë 3 viteve të ardhshme, Universiteti Europian i Tiranës zhvillon çdo vit në fillim të tetorit Javën Orientuese.

UET vjen këtë vit akademik me pesë fakultete në tërësi, tri fakultete të riorganizuara, si dhe dy krejtësisht të reja. Drejtuesit e universitetit, dekanët, shefat e departamenteve të çdo fakulteti kanë pritur studentët e rinj të UET-it, duke prezantuar tek ata universitetin, kurrikulat dhe pedagogët që do të kenë në 3 vitet e ardhshme.

Gjithmonë në Javën Orientuese janë të ftuar personazhe publike për të mbajtur fjalimet e tyre të inkurajimit. Këtë vit, lektorë të ftuar ishin ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, si dhe sipërmarrësi Samir Mane.

Rektori i UET, prof. dr. Tonin Gjuraj, në fjalimin e mirëseardhjes, iu uroi studentëve të rinj një rrugëtim të mbarë akademik.

Në fund të studimeve tuaja, uroj që të thoni jo vetëm që ishim të kënaqur, por gjërat dolën përtej pritshmërive tona, tha ai. Kurse Bujar Nishani, duke shprehur kënaqësinë që ishte ftuar në UET, e nisi fjalimin me një rrëfim personal. Ai foli para studentëve të Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Kurse biznesmeni i njohur shqiptar, Samir Mane, e përqendroi diskutimin e tij me studentët duke iu parashtruar nevojat që ka biznesi dhe tregu i punës sot.

Çfarë është Java e Hapur në UET

Universiteti Europian i Tiranës organizon Javën e Hapur, përgjatë së cilës do të zhvillohen një sërë aktivitetesh me fokus studentët, prindërit dhe shoqërinë.

“Open Week” filloi me inaugurimin e Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, ditën e hënë. Në këtë organizim u lançua edhe Çmimi i Inovacionit UET që do të jepet në shkurt të vitit 2019. Ky çmim shkon për maturantët talentë të cilët do të kenë një ide inovatore në fushat e inxhinierisë, informatikës dhe arkitekturës, që përfaqëson ky universitet.

E marta vazhdon me traditën tashmë të konsoliduar të Forumeve UET. Ky takim këtë herë i përket një hapje përtej universitetit në bashkëpunim me fondacionin ‘Konrad Adenauer’ ku i ftuar do të jetë nga liderët e ‘Konrad Adenauer’ për 29 vjet në Turqi, dr. Colin Dürkop, i cili do flasë për marrëdhëniet e Ballkanit me Europën dhe Marrëdhëniet e Shqipërisë me Europën.

Ndërkohë që dita e mërkurë rezervon një prezantim të studentëve me diplomat profesionale të cilat janë risi e këtij viti akademik. Diplomat profesionale janë pesë: Aplikime Informatike, Dizajn i Aplikuar dhe Modë, Kontabilitet, Menaxhim dhe Turizëm. Studentët dhe të interesuarit do të mund të njihen më mirë me karakteristikat e tyre, mënyrën se si funksionojnë dhe çfarë ofrojnë.

Dita e enjte dhe e premte përbëjnë ditët e orientimit për studentët. Të gjithë të regjistruarit në UET, në të gjitha degët dhe fakultetet e tij, do të kenë mundësinë të njohin më shumë universitetin që kanë zgjedhur. Po në këtë ditë, një tjetër target-grup i rëndësishëm për UET, prindërit e studentëve, merr vëmendjen e merituar në një ‘forum’ të organizuar enkas për të dëgjuar zërin e tyre, kërkesat që kanë ndaj universitetit si dhe pritshmëritë e tyre ndaj tij.

Aktivitetet vazhdojnë edhe të premten. Këtë herë në kuadrin e ditës Erasmus Day në Ballkan. UET zhvillon një takim me gjithë studentët Erasmus që kanë kryer një apo më shumë semestër studimi në universitetet perëndimore të cilat janë po ashtu pjesë e këtij programi të shkëmbimit studentor. Ashtu siç ndodh çdo të premte, edhe përgjatë kësaj jave do të zhvillohet promovim libri. Këtë herë, bëhet fjalë për një libër me autor presidentin e UET, prof. dr. Adrian Civici, si dhe Dekanin e Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, prof. asoc. dr. Selami Xhepa. Ky libër vjen në kuadrin e tetorit gjerman, ka në fokus personazhin Konrad Adenauer në një shumësi aspektesh.

“UET parents survey”: Zgjodhëm UET për cilësinë dhe sigurinë ofron

Universiteti Europian i Tiranës në kuadrin e fillimit të vitit akademik 2018-2019 po zhvillon javën e hapur në UET me një cikël debatesh, forumesh, promovime, dhe tryeza diskutimi, takime të hapura me studentë të rinj dhe prindër. Pikërisht me këta të fundit UET zhvilloi një diskutim të hapur e quajtur “UET parents survey” se pse kishin zgjedhur UET për studimet universitare për fëmijët e tyre. Universiteti Europian i Tiranës ka kaluar në një proces të riorganizimit dhe e zgjerimit të ofertës akademike, ku nga 3 fakultete është shtuar me 5 të tilla Nga biseda që bëmë u vunë re disa çështje tepër thelbësore që kishin të bënin me cilësinë që ofron sektori privat, dhe kryesisht Universiteti Europian i Tiranës. Një aspekt tjetër që kishin zgjedhur ishte edhe dhe gama e gjerë e programeve dhe profileve të studimit që UET ka si ofertë akademike. Gjithashtu prindërit vlerësuan edhe mundësinë e bursave që UET ka në sistemin e tij, duke i akomoduar të gjithë studentët.

 

Kalendari i UET- Open Week 2018-2019

E Hënë, 8 Tetor: Lançimi i Çmimit të Inovacionit dhe prezantimi i Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës

E martë, 9 Tetor: Forumet UET – I ftuar Drejtori i Konrad Adenauer Dr. Colin Durkop

E mërkurë, 10 Tetor: Prezantimi i Programeve Profesionale 2-vjeçare

E enjte, 11 Tetor: Diskutimi ‘Industria e Turizmit dhe nevoja për burime njerëzore’

E enjte, 11 Tetor: Orientimi i studentëve për Fakultetin e Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale

Enjte, 11 Tetor: Orientimi i studentëve për Fakultetin e Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare

E enjte, 11 Tetor: Orientimi i studentëve për Fakultetin e Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit

E Premte, 12 Tetor: Erasmus Day

E premte, 12 Tetor: Orientimi i studentëve për Fakultetin e Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës

E premte, 12 Tetor: Orientimi i studentëve për Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike

E premte, 12 Tetor: Promovimi i librit “Shënime për Adenauerin”

 

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

MEDIA TREND/ Bieta Sulo, me sytë nga e ardhmja

Prezantuesja e emisionit “Ftesë në 5” në Top Channel vjen në këtë...
Read More