UET-Politikat e semantikave, njeriu në qendër

Nga Mimoza Ahmeti

Fundjava që shkoi i gjeti studentë dhe profesorë të Universitetit Europian të Tiranës në Kompleksin Turistik të Llogarasë për të debatuar e reflektuar mbi tema bashkëkohore të humanitetit dhe shoqërisë, nën labelin e Trans-humanizmit. Merrja pjesë si e ftuar për të prezantuar e mediatuar edhe Universitetin Mediterran ku punoj, por gjithashtu për të përfituar nga kjo eksperiencë treditore e reflektimit ndaj edukimit -UET.

Politikat e semantikave tashmë i nënshtrohen një strategjie të shumanshme; kultura nuk është vetëm diçka që transmetohet por bëhet në të njëjtin akt me transmetimin; politikat janë tepër të vëmendshme në përqasjen e kushteve sociale me objektin e interpretimit, për të krijuar njëherësh adresën institucionale ku ndërtohen pritshmëritë e sistemeve në formën e lëndëve.

Ishte iniciativa e këtij universiteti,(dr. Henri Çili zë një vend parësor), për të rifutur filozofinë në sistemin tonë shkollor të mesëm dhe për ta bërë provim shteti, tashmë diçka e realizuar, që takon vijimësinë me futjen e këtij fakulteti (filozofisë) në Universitetin UET; janë të ftuar të gjithë ata studentë që kanë dëshirë të mendojnë dhe të ideojnë me mendimin e tyre vetëperceptim dhe organizim social, që i paraprin aksionit. Kjo ishte dhe metatema e diskutimeve ku të gjitha temat përbërëse referonin duke mbajtur vëmendje intensive ndaj kategorive të ndryshme sociale njerëzore dhe transformimit të raporteve të tyre me botën pozitive, mjetet e rrugët e nevojshme.

Nxënës të shkollave të mesme si “Qemal Stafa” Tiranë etj., jo vetëm ishin pjesë e audiencës por edhe bënë pyetje a debatime duke përshëndetur nxehtësisht këtë takim, shprehje e nevojës për mendim të pavarur.

Msc. Gent Cakaj referoi për të rejat shkencore që hedh fusha e neurologjisë kundrejt veprave penale të personave në akuzë, duke i parë ato si pjesë derivative e sjelljes kolektive dhe përgjegjësisë, jo thjesht si produkt autonom i personit. Shkalla e përgjegjësisë dhe e intencionit, analizuar nga neuroshkenca, na flet për një relativitet tepër të dukshëm të konceptit të “autonomisë” së akteve jo normë.

Nga ana tjetër, sociologjia moderne operon me “autonominë” e subjektit, vetëreferencën e tij- kusht ky për ndërtimin e sistemeve.

Kjo kontradiktë formale mes optikave të fushave të vëzhgimit, fizike dhe sociale, çon në idenë kontroversale se subjekti autonom është i tillë brenda mjeteve të dallimit shoqëror, ku përfshihet gjuha, konceptet etj., të cilat nuk janë krijim per se i tij, por i edukuar…

Neuroshkenca pikërisht sjell informacion për sociologjinë, por këtu dalin hapur implikimet me ligjin, të cilat edhe pse për momentin nuk mund të zgjidhen, ekspozohen para tij, ndërsa subjekti që ka bërë shkeljen, lehtësohet në vetëperceptimin e fajit duke u ndërgjegjësuar për natyrën joautonome të veprimit të shkeljes së tij.

“Kurajoja të jesh”, ishte tema që u analizua me hollësi nga prof. dr. Gjergj Sinani: “Filozofia është një mënyrë e të menduarit që nënkupton dhe i jep formë të qenurit të gjërave dhe strukturave të të qenurit, në teori dhe praktikë; feja është mënyra e të menduarit që konfiguron dhe përfaqëson simbolet dhe ritet që ndërmjetësojnë kuptimin e qenies…”. Paul Tillich, autor gjerman, kishte frymëzuar me veprën e tij këtë kërkim mbi kurajën. Siç edhe e kuptohet, bëhej fjalë për konceptin ontologjik të kurajës, zhvillimin individual të kurajës, dhe hapësirat limite sociale, si barriera dhe element strukturimi, të kurajës së mëtejshme.

Msc. Fitim Zekthi diskutoi mbi trans-humanizmin. Një shkencë e re e konservimit të egos kjo; premtime të paimagjinueshme për zgjatimin e tipologjisë mentale individuale dhe rritjen e jetës së njeriut deri mbi 200 vjet, intencion për ta bërë atë thuajse të pavdekshëm.

Habi lindën nga projektimi i këtij realiteti të ri, të vijimësisë së jetës përtej sinorëve natyralë të plakjes dhe vdekjes. Kjo temë edhe shkaktoi debat të freskët pasi intrigonte përfytyrimin e një bote eternale dhe po aq të pakonceptueshme.

Prof. dr. Aleksandër Kocani hapi edhe një herë një temë që mbetet plaga e vazhdueshme e sociologjisë bashkëkohore, dhe jo vetëm në vendin tonë: Sociologjia ka mbetur ende në nivel deskriptimi të shoqërisë. Ajo nuk është një gjendje të vendosë në qendër të saj subjektin e njeriut, duke e lënë atë vetëm, pa mjete orientimi si të drejtohet në pyllin e shoqërisë.

Nga kjo pikëpamje duhet një sociologji e re për të dalë nga lymi i shikuesit pasiv të botës, në atë të krijuesit të saj, me qëllim që bota të ndryshojë, vuri pak a shumë në dukje profesori.

Dr. Klementin Mile, hodhi dritë mbi konceptin a antihumanizmit, i cili, siç edhe theksoi ai është i vetmi fokus që e merr njeriun seriozisht si kapacitet, si premisë, si problem.

Teoricieni i kësaj teorie, Niklas Luhmann, theksoi Mile, është versioni më i plotë dhe më i suksesshëm i alternative të projekteve humaniste nisur më herët me Martin Heideger, Max Weber dhe Michel Foucault.

Vetëreferenca- si baza e ndërtimeve të sistemeve, në nivel social dhe psikik-individual-(ishte topiku që parashtrova në mënyrë komplementare në diskutim), një thyerje radikale kjo që Niklas Luhmann i bën konceptit të shoqërisë deskriptive, duke vendosur njeriun në qendër me orientim vetëreferues, ku universaliteti dhe singulariteti brendashkruhen. E mbyllur por njëherësh e hapur, vetëreferenca kërkon në probabilitetin social dhe bëhet pjesë e kërkimit nga tjetri në të, si probabilitet.

Lidhjet dhe mënyrat operacionale transformohen në bazë të mundësive, dhe bota është në çdo çast e rinovueshme prej aktit të rikrijimit.

Koncepti i vetëreferencës e nxjerr sociologjinë nga gracka deskriptive dhe i hap udhën një shoqërie radikalisht konstruktive, që nuk mbetet në vonesën e pritjes iluzive.

Luhmann mendon që është kuptimi që i hap rrugë sjelljes, se bota mbahet në muret e kuptimit, se kuptimi si mendim krijues vjen prej shtrëngimi dhe negacioni, dhe se informacioni është vetëm ekspozim i këtij procesi- për sistemet sociale, dhe se vetë koncepti “sistem” nuk është i mjaftueshëm për të brendapërshkruar botën, pasi ajo, bota, është lëvizje, ndërsa ai, sistemi, si koncept, është një imazh mekanik.

Takimi përmbante më shumë se dy seanca, pasi ishte i madh numri i folësve dhe dëshira. Ai vazhdonte pastaj në kafene dhe përgjatë darkës, gjë e cila tregonte për një uri të pashterur për të ndarë shpirt e mendje në rang lektorësh, studentësh e nxënësish.

Strategjia e këtij takimi siç edhe parashtroi dr. Çili, mbetej ringritja e nivelit të semantikave të edukimit në UET dhe në sistemin arsimor shqiptar, bashkëkohësia në tema dhe në cilësinë e diskursit, vazhdimësia e mbajtjes së semantikave nëpërmjet studentëve të rinj që vijnë nga gjimnazet dhe në tërësi moderimi i shoqërisë shqiptare për të përqafuar proceset e integrimit, që njëherësh përbën edhe procese të rakordimit të vlerave.

Pas ditësh debati e zbulimi mendimi, u kthyem nga ky takim me shpresën se reforma në arsim dhe mendimi filozofik cilësor mund të takohen në ridimensionimin e sistemit arsimor dhe interesit për të, duke dhënë efekte përtej audiencave studentore.

Ky takim vinte fill pas krijimit të Shkollës Kontekstualiste dhe mbante tonet e zërit të saj.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Fenomeni mediatik Elvis Naçi dhe rreziku fideist

Nga Klementin Mile  Deri para një jave nuk e dija fare kush...
Read More