UET sjell një tjetër risi: 10 mjeshtra bëhen pjesë e ekipit akademik në degët e Arteve

Universiteti Europian i Tiranës ka hedhur gurin e themelit në historinë e këtij universiteti në vitin e parë të hapjes së arteve të aplikuara. Të gjitha programet që përfshin departamenti i arteve të aplikuara janë mbështetur dhe do vazhdojnë të mbështeten me bursa studimi.

Viti akademik 2018-2019 shënon vitin e parë, përgjatë të cilit në UET do të zhvillohen degët e Artit. Në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e këtij universiteti, në praninë e shumë figurave të njohura, është prezantuar ekipi i ri i Departamentit të Arteve të Aplikuara që përbëhet nga pedagogë dhe mjeshtra në profilet përkatëse. Dhjetë mjeshtra të shquar të skenës do të jenë jo vetëm mentorët e profileve të artit në UET, por edhe imazhi i tyre.

Universiteti Europian i Tiranës ofron një sërë degësh arti, në të dyja ciklet e studimit, Bachelor dhe Master, si dhe njëkohësisht një diplomë profesionale dyvjeçare. Mundësitë për të zgjedhur janë të shumta; Artet Pamore, Artet Skenike dhe Artet Muzikore, secila prej tyre me profilet përkatëse. Aktrim, regji, koreografi, skenografi, pikturë, grafikë-dizajn, multimedia, piano, kanto, frymë, harqe, kitarë, kompozicion, cilido qoftë interesi apo pasioni, UET ‘polivalent’ i ofron të gjithë hapësirën e nevojshme një studenti për t’u formuar nga ana akademike. Vlen për t’u theksuar mbështetja e universitetit, i cili ofron bursa të plota dhe gjysmë bursa për të gjithë ata studentë që plotësojnë kriteret e paracaktuara dhe duan të ndjekin një prej këtyre degëve.

Ky vit akademik përbën edhe vitin e parë në të cilin UET funksionon si një universitet polivalent. Në këtë kuadër, rektorja e Universitetit Europian të Tiranës, prof. dr. Nevila Nika duke iu uruar ‘mirëseardhjen’ figurave të njohura të artit shqiptar, ka përshëndetur këtë sfidë të re të UET.

“Hapja e Departamentit të Arteve është vërtetë diçka krejtësisht e veçantë. Asnjë universitet në Shqipëri nuk e ka këtë larmishmëri, por ndoshta besoj dhe në botë është diçka e rrallë të ketë kaq shumë profile brenda një ndërtese. Megjithatë guximin e kësaj iniciative shpresojmë ta çojmë përpara sepse të gjithë ju që jeni këtu jeni figura shumë të njohura në fushat tuaja përkatëse, të gjithë ju kemi admiruar. Shpresoj që t’i jepni një tjetër ‘jetë’ kësaj ndërtese, e cila me shumë mund, prej vitesh, ecën përpara. Unë ju uroj mirëseardhjen dhe shumë suksese në këtë sfidë të re”, është shprehur rektorja Nika.

Ka qenë një punë intensive 2-vjeçare nga Departamenti i Arteve të Aplikuara, për të sjellë këtë ofertë akademike. Përgjegjësja e këtij departamenti, Mirela Oktrova, është shprehur se përpjekjet kanë qenë të hershme dhe puna për realizimin e programeve ka qenë sfidë për vetë rëndësinë që krijimi i të tilla degëve ka për UET.

“Që ne ia arritëm të jemi sot këtu është rezultat i një këmbënguljeje 2-vjeçare nga administrata e UET dhe i një investimi 2-vjeçar nga një grup shumë i madh profesionistësh. Kontribut i UET-it në këtë rast është kontribut prej pionieri. Së pari, është kontribut jo vetëm i parë, por edhe unik për plotësinë e ofertës në sektorin privat – ofertat e deritanishme kufizoheshin te mjeshtëritë e lidhura me filmin. Së dyti, është unik për mënyrën krejt private të financimit sepse ndërkohë studimi në arte jashtë UET ofrohet ose në institucione arsimore publike ose të institucione private, të subvencionuara pjesërisht nga shteti”, është shprehur dr. Oktrova.

Shpesh në shoqërinë shqiptare ekziston një paragjykim mbi degët e artit apo formimin e artistëve në përgjithësi. Megjithatë përkundrejt këtyre paragjykimeve, në treg ekziston e gjithë hapësira e nevojshme që këto degë të jenë të suksesshme dhe të marketueshme, veçanërisht degët e Artit të Aplikuar. Për këtë arsye, në procesin e zgjerimit dhe ristrukturimit të fakulteteve të tij, UET i jep atyre të gjithë rëndësinë e merituar.

“Në këtë rrugëtim kemi disa pritshmëri, që na vënë përpara disa sfidash. Fillimisht të diplomojmë artistë të formuar, përkundër paragjykimit shoqëror për artistët që ekziston rëndom në Shqipëri. Së dyti, të diplomojmë artistë të aftë për të menaxhuar vetveten. Është e rëndësishme që artistët të jenë të adaptueshëm edhe në tregun privat, përkundër tendencës së shoqërisë për ta parë talentin dhe profesionin e artistit të akomodueshëm vetëm në institucionet publike”, tha Përgjegjësja e Departamentit të Arteve të Aplikuara në fjalën e saj.

Gjithashtu, një përshëndetje e veçantë ka ardhur nga studentët e parë të regjistruar në degët e Artit në UET.

Belinda Dragoti është një ndër studentet e para të regjistruara në degën Arte Pamore, profili Grafik-Dizajn. Këtë degë, tregon se e ka zgjedhur me shumë dëshirë pasi i përgjigjet më së miri interesave të saj.

“Përgjithësisht maturantët teksa vihen përballë zgjedhjes për shkollën e lartë, kanë shumë dilema por unë e kisha të qartë universitetin dhe degën që do të ndiqja. Hapja e Departamentit të Arteve në UET, profilizimi dhe thellimi më tepër në arte i degës së dikurshme Komunikim-Dizajn, është për mua një plus që më bën akoma më të sigurt në zgjedhjen time. Jemi vetëm në javën e dytë të shkollës por mund të them se jam gjendur në një ambient shumë mikpritës ku ndihem e motivuar që të punoj sa më fort. Për mua kombinimi i pasionit dhe vullnetit janë çelës drejt një suksesi të garantuar. Në UET neve na ofrohen të gjitha hapësirat e duhura për këtë dhe na jepet mundësia të realizojmë synimet tona”.

Eni Kasa është po ashtu, një ndër dy studentet që janë regjistruar të parat në Arte Pamore. Profili që ajo ka zgjedhur është Grafik-Dizajn. Eni tregon se javët e para të shkollës kanë qenë mjaft të këndshme dhe se është mjaft kurioze për atë që do të vijë.

“Të flas për eksperiencën time në UET është akoma herët por përshtypjet e para janë më të rëndësishmet që mund të kemi. Në rrugëtimin e deritanishëm jam shumë e kënaqur me shkollën. Nuk e kisha aspak të vështirë të zgjidhja degën për të cilën do të studioja. Isha tërësisht e bindur që doja Arte Pamore. Deri në këtë moment që kam studiuar jam e kënaqur me të gjithë stafin. Jam shumë e lumtur gjithashtu edhe shumë kurioze të di se çfarë më pret në të ardhmen në këtë rrugëtim”.

Hygert Shparthi është student në vitin e parë në degën Arte Muzikore, profili Kanto dhe tregon se për të ky është një moment shumë i veçantë.

“Është shumë emocionuese të ndodhesh këtu, mendoj që do të jetë një eksperiencë shumë e bukur dhe jam shumë entuziast për gjithçka do mësoj”.

Amarildo Bala, student në vitin e parë në degën Arte Skenike ka zgjedhur të studiojë në profilin Regji dhe tregon se vendimin për të zgjedhur UET e mori menjëherë sapo mësoi se ky universitet do të ofronte këtë degë.

“Konkurrova edhe tek Akademia e Arteve, por në momentin që lexova njoftimin që UET do të ofrojë degën Arte Skenike, me profil regji, vendosa të vij këtu. Tani që mentor do të kem profesor Leka Bungon ndihem shumë i privilegjuar”.

 

10 mjeshtrat mentorë të studentëve të artit në UET

Në kuadrin e zgjerimit të universitetit, në UET janë hapur dhe shumë programe dhe profile të arteve të aplikuara. Pikërisht në ditën e parë të leksionit të degëve të arteve në UET, me anë të një ceremonie u prezantuan 10 mjeshtra të artit, të cilët do të jenë pjesë përbërëse e mentorshipit dhe e formimit të studentëve të artit. Përfshirja e 10 artistëve do të jetë ndihmesa e parë në këtë rrugëtim, të cilët janë mjeshtra të shquar të skenës, ku do të jenë jo vetëm mentorët e profileve të artit në UET, por edhe imazhi i tyre. Dhjetë artistët duke filluar nga sopranoja Edit Mihali, Artisti dhe dirigjenti Zhani Ciko apo dhe mjeshtrat e skenës Leka Bungo e Viktor Zhusti do të përgatitin artistë të formuar, përkundër paragjykimit shoqëror për artistët që ekziston rëndom në Shqipëri.

Prof. Anita Tartari, Pianiste

Prof. asoc. dr. Edit Mihali, Soprano

Prof. asoc. dr. Roberta Mone, Koreografe

Anila Zajmi Katanolli, Skenografe,

Prof. dr. Fatos Qerimaj, Instrumentist

Prof. Zhani Ciko, Dirigjent

Dr. Abaz Hado, Piktor

Leka Bungo, Regjisor

Viktor Zhusti, Aktor

Helidon Haliti, Piktor

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

OBITUARY/ “E shkuara është një vend i huaj!”

Shuhet në moshën 95-vjeçare njeriu që i dha shumë trashëgimisë si disiplinë...
Read More