UET sjell përvojën e BE-së nga vendet e Vishegradit

Leksion nga assoc. prof. Levente Littvay (CEU)

Si pjesë e projektit trevjeçar në UET, ‘Politikat e Bashkimit Europian: Mësimet e marra nga vendet e Vishegradit’, cikli i leksioneve të hapura të këtij viti nisi me profesorin e ftuar Levente Littvay, nga Universiteti i Europës Qendrore (CEU). Projekti është i financuar nga Fondi i Vishegradit, Grantet e Vishegradit për Universitete.

Ky është viti i tretë i implementimit në UET. Tematika e leksionit të parë të hapur trajtonte një çështje tashmë të mprehtë të realitetit politik e social, atë të rritjes së mbështetjes ndaj partive e udhëheqësve politikë, proces që vërehet në dekadat e fundit në Europën Qendrore por që është prezent edhe në rajone të tjera si në disa vende të Europës Perëndimore apo të Amerikës Latine. Sikurse është e udhës, e gati e pashmangshme, shkencat sociale, e më konkretisht shkencat politike, nuk mund të shmangin përfshirjen e tyre në shpjegimin e fenomenit të populizmit.

Profesor Levente Littvay, në prani të një audience të interesuar të shkencave politike e marrëdhënieve ndërkombëtare në nivelin master dhe atë bachelor, vërejti se studimet mbi populizmin, në të shumtën e herës, deri tani janë përqendruar në studime mbi një vend të vetëm, si p.sh. mbi tiparet e populizmit në Argjentinë, Venezuelë, Poloni, Hungari, Itali apo Shqipëri. Studime të këtij lloji, pa strategjinë krahasimore, përmendi profesor Littvay nuk ndihmojnë fort të kuptojmë çfarë janë realisht partitë, udhëheqësit apo lëvizjet populiste.

Të kuptuarit më të mirë të realitetit, kërkon sipas profesor Littvay-t, shmangie nga konceptime që lidhen ngushtazi me specifikat kombëtare apo kulturore. Duke tërhequr vëmendjen e studentëve si dhe komentet e pyetjet e tyre, profesori i ftuar Levente Littvay paraqiti trajektoren e zhvillimit të populizmit në Hungari, Sllovaki, Poloni dhe së fundi në Republikën Çeke. Duke iu përgjigjur dilemës nëse populizmi apo lëvizjet e partitë populiste rritin pjesëmarrjen e qytetarëve në politikë, një pjesë e gjetjeve të studimit të profesor Littvay-t dhe kolegëve të tij vërejnë se, në një shqyrtim krahasimor të gjithë rasteve të shfaqjes së populizmit, nuk provohet një pandehmë e tillë, e efekteve pozitive të populizmit.

Ndër të tjera, populizmi nuk ka një ngjyresë të theksuar ideologjike, po huazon pjesërisht disa elemente ideologjike në të majtë apo në të djathtë, apo një kombinim i papërcaktuar siç mund të jetë populizmi i Lëvizjes 5 Yjet në Itali.

Ajo çka e përcakton populizmin është vendosja e popullit në qendër (jo individëve apo shtresave sociale) dhe hakërrimi i rrejshëm kundër elitave sunduese politike, ekonomike e kulturore. Në ciklin e dytë të leksioneve profesor Littvay diskutoi mbi zgjedhjet parlamentare të 2018-s në Hungari.

Hungaria është aktualisht një nga sfidat e brendshme të BE-së dhe studentët shqiptarë duhet të njihen me skenarë të tillë për të kuptuar si funksionon kondicionaliteti i BE-së gjatë anëtarësimit dhe çfarë ndikimi kanë zhvillimet e tilla për demokracinë brenda BE. Gjatë qershorit, studentët e UET do të njihen dhe me rastin e Polonisë dhe përvojën polake të BE-së, përmes të njëjtit projekt.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Statuti dhe Kuvendi i Partisë Demokratike nuk shtoi asnjë energji opozitare

Nga Ervis Iljazaj Ngjarjet e brendshme të Partisë Demokratike, hartimi dhe miratimi...
Read More